E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbytet në det 11-vjeçarja nga Shkodra

Velipojë

Ka qenë duke u larë në det, por papritur ka humbur nga sytë e familjarëve, të cilët edhe pse e panë dhe u munduan ta ndihmojnë, nuk kanë mundur ta shpëtojnë dot nga mbytja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në plazhin e Velipojës, kur një vajzë 11 vjeçe është mbytur në det teksa ka qenë duke u larë. Lajmi është konfirmuar dhe nga të dhëna të policisë lokale, sipas të cilave, fëmija ka qenë me familjen si pushuese rezidenciale në këtë zonë. Sipas të dhënave, vajza me inicialet S. B. kishte hyrë në det për t’u larë, por për një moment është zhytur dhe ka pirë shumë ujë, gjë që ka shkaktuar edhe mbytjen e saj. Ndërkohë që familjarët, banorë në lagjen “Manush Alimani” të Shkodrës, e kanë parë dhe kanë rendur me vrap ta ndihmojnë, por çdo përpjekje ka rezultuar e kotë. Sipas policisë, vajza ka dalë pa shenja jete, kur edhe pas përpjekjeve të para për t’i dhënë frymëmarrje artificiale, asnjë gjë nuk ka ndryshuar. Vajza më pas është transportuar për në morgun e qytetit. Ndërkohë, pushuesit në këtë plazh, qoftë ditorë apo edhe ata që rrinë me ditë të tëra, ankohen për mungesën e grupeve të shpëtimit në gjithë gjatësinë e plazhit. “Nuk ka as roje bregdetare dhe asnjë mjet shpëtimi, kjo nuk është normale”, - thonë pushuesit. Vetëm një javë më parë ishte në qarkullim një skaf policie, por edhe ai vetëm për pak kohë e më pas u “zhduk”. Ndërkohë që në këtë plazh janë shënuar vazhdimisht viktima të moshave të ndryshme, pikërisht nga mbytja në ujë dhe mungesa e ndihmës së shpejtë që mund t’i shpëtonte.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›