“My space Tiranë - Berlin”
Ekspozitë me fotografi nga Shqipëria dhe Gjermania
Në Tiranë janë duke u bërë përgatitjet e fundit për hapjen e ekspozitës "My Space Tirana - Berlin". Julie August dhe Adela Demetja, dy kuratoret sapo kanë mbërritur. Një kuadër ndodhet mbi një karrige. Në mes të kuadrit një skenë fetare me treshen Zoti, i biri dhe Shën Mëria, që duket si skenë familjare. Në anën tjetër të kuadrit një orë tik-taku. Kuadri rrethohet nga një kornizë pasqyrë. Në të pasqyrohet një grua e moshuar, që po fle. Çdo gjë që shihet në këtë sipërfaqe lidhet dhe ndahet nga një e krisur. Ledia Kostandini e ka fiksuar përjetësisht këtë moment në këtë fotografi. Tani fotografia ka marrë rrugën e prezantimit para publikut, atij shqiptar dhe atij gjerman. Ajo është pjesë e ekspozitës "My Space" që pritet të hapet më 22 korrik në Tiranë. "My space" është një ekspozitë, që ka ftuar artistë shqiptarë dhe gjermanë për të treguar si e përfytyrojnë ata "my space" ose "hapësirën time", hapësirën që i rrethon, ambientin e punës, ambientin ku janë rritur, pra si e shikon artisti atë hapësirë ose ambient që është i rëndësishëm për të." Në galerinë e Institutit të Arteve do të prezantohen fotografitë e 12 artistëve shqiptarë. Në galerinë Zeta të Valentina Koçit do të prezantohen punimet e tre artistëve gjermanë. Të dy ekspozitat do të prezantohen në muajin nëntor në "Muajin Evropian të Fotografisë" në Berlin. Qëllimi është të zgjerohet hapësira e recepsionit të artistëve shqiptarë, që në Berlin të kuptohet se në Shqipëri ekziston një skenë artistike dhe anasjelltas. Julie August është njëra nga kuratoret e "my space". Por e rëndësishme është edhe që në Tiranë të mund të shihen punime të artistëve gjermanë, prandaj projekti fillon me Tiranën. Ne do të bëjmë si të thuash një lloj këmbim ambienti. Artistët nuk prezantohen vetëm në vendin e tyre, por prezantohen edhe në vendin tjetër, në hapësirën tjetër.
Cilat janë ndryshimet, çfarë i karakterizon artistët shqiptarë?
Bashkëpunimi me artistët është shumë i këndshëm. Duhet të them se në fillim kisha paragjykime. Unë prisja që shqiptarët të mos ishin të përpiktë në kohë, që të vinin me vonesë, por kjo nuk ndodhi. Ata me të cilët unë kam punuar ishin shumë të rregullt, unë i ftova dhe ata erdhën, më treguan të gjitha punimet ose mi dërguan ato kur unë iu luta. Ajo që vihet re është se artistët në Shqipëri kanë pak mundësi prezantimi. Kur ofrohet diçka, atëherë sheh se interesimi është shumë i madh. Në Gjermani kjo nuk ndodh gjithnjë, kurse në Shqipëri të gjithë më thanë "po", duam të bashkëpunojmë, zgjidh nga punimet tona çfarë do të prezantohet.
Si eci bashkëpunimi me ta?
Shumë artistë nga Shqipëria nuk janë shumë të ushtruar me prezantimin e vetes së tyre. Ata për shembull tregojnë shumë nga punimet të tyre dhe nuk bëjnë vetë përzgjedhje çfarë duan të tregojnë, të zgjedhin vetë punimet më të mira. Shumica e tyre e kanë të vështirë të shkruajnë ose të flasin për punët e tyre. Por mbase kjo nuk është vetëm shqiptare. Unë dua të theksoj se bashkëpunimi ka ecur shumë mirë, duke përfshirë dhe atë me Adela Demetjan. Pa të unë nuk do të kisha arritur asnjë gjë.