E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyrrahu urban i 2008-ës

Të enjten pasdite u mbajt seminari i fundit i ciklit ”Arkeologjia, arkiometria dhe arkitektura 2008” organizuar në kuadër të fushatës së pestë të gërmimeve në amfiteatrin roman, të cilat mbyllen të shtunën më 9 gusht. Seminaret janë të hapura për publikun. Argumenti i paraqitur sot është prezantimi për herë të parë për publikun i rezultateve të një gërmimi të rëndësishëm, i drejtuar nga Departamenti Arkeologjik i Durrësit gjatë periudhës maj-gusht 2007 dhe që lidhej me lejen e bashkisë për ndërtimin e një godine në lagjen nr. 3 rruga “H. Troplini” Durrës, ndërmjet sheshit qendror të qytetit dhe portit aktual. Gërmimi është drejtuar nga prof. Afrim Hoti dhe ka një sipërfaqe prej 372 metra katrorësh, dhe ka arritur një thellësi prej 4.30 metrash. Gërmimet kanë ndaluar si pasojë e rritjes së nivelit të ujit dhe shndërrimit të tij në kënete, çka duket edhe tani që në thellësinë prej rreth 1. 80 metra. Janë zbuluar në një situatë stratigrafike të vështirë mbetje të periudhës greke, klasike të vonë, helenistike, romake dhe mesjetare. Në urgjencën e dokumentimit të strukturave të zbuluara para se të përmbyteshin dhe me qëllim interpretimin e kompleksitetit të dukshëm Departamenti i Arkeologjisë se Durrësit, kërkoi mbështetjen shkencore dhe teknike të misionit arkeologjik italian, që në njëjtën kohë po punonte në gërmimet e programuara në amfiteatër. Ekipi i këtij misioni: prof. Sara Santoro, Barbara Sassi, për leximin statigrafik dhe interpretimin, Alberto Monti, përgjegjës i relivimeve, i përkrahur nga Mikele Ferrarini, Mirela Kocollari, Silvia Gregori, Roberto di Febo (për kërkime bilografike) kanë realizuar një rilevim me “tot station” dhe një përshkrim e dokumentim të strukturave së bashku me një hipotezë të parë interpretimi që bazohet mbi kuotat, teknikat e ndërtimit dhe tipologjitë e mureve. Dokumentacioni është vënë në dispozicion të Departamentit të Arkeologjisë së Durrësit dhe është integruar në dokumentacionet e drejtuara nga prof. Afrim Hoti dhe kolegët e tij gjatë vjeshtës. Strukturat e zbuluara janë interpretuar si magazina dhe oborre, korridore, urëza dhe kanalizime urbane, mbetje të ambienteve publike të një lagjeje portuale e pajisur mirë. Megjithëse me orientime të ndryshme, të gjitha strukturat kanë një degradim drejt detit (lindjes). Në anën veriore të gërmimit një strukturë rrethore me diametër 8 m, e realizuar me mure të jashtme dhe qoshe prej guri dhe të mbushura më llaç, është interpretuar si një kullë e sinjalizimit me dritë dhe që bënte pjesë në sistemin kompleks në portin e vjetër, të famshëm dhe shumë të frekuentuar të Durrësit. Sipas teknikës së ndërtimit, struktura është e datueshme në fund të shek. 4 – fillimi i shek. 3 para Krishtit. Teknika e tij e ndërtimit është krejt e ndryshme nga fortifikimet e antikitetit të vonë në Durrës (muret që perandori Anastasi I dhe pasardhësit e tij ndërtuan në shek. 5-6 pas Krishtit janë kulla me majë), si nga bazamenti rrethor në qendër të Forumit bizantin dhe që duhet të shërbente si mbajtëse e një statuje mortore. Lidhja me magazinat, urat, sistemin hidraulik dhe cisternat i jep më shumë jetë hipotezës së farit. Faret antike greke e romake të njohura në detin Mesdhe janë pothuajse 100: burimet e shkruara dhe paraqitjet në pikturë, skulpturë dhe në monedha është shume e dendur, sepse fari ishte një monument për festimin e fuqisë së sundimtarëve, për shfaqjen e teknikës dhe teknologjisë ndërtimore. Vetëm 20 nga këto fare njihen nga mbetjet e tyre arkeologjike. Më i famshmi prej tyre, Fari i Aleksandrisë, që ishte një nga shtatë mrekullitë e botës ka humbur përgjithnjë; ai që është ruajtur më mirë ndodhet në La Korunja në Spanjë, dhe këtë vit ka marrë titullin e Monumentit të Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit nga UNESCO-ja. Me këtë rast, në muajin qershor në një kongres ndërkombëtar ku ndodheshin specialistë të fareve antike nga e gjithë bota, u prezantua hipoteza që zbulimi i Durrësit ishte një far. Hipoteza u mbështet nga studiuesit: forma e rrumbullakët është tipike për faret e Mesdheut lindor dhe përqasja më e afërt janë tre faret e ishullit Thasos të epokës greke dhe të atij roman të sapozbuluar në Patara në Turqi. Bashkësia shkencore ndërkombëtare uron që gërmimet e reja me mjete financiare të përshtatshme të mund të konfirmojnë këtë hipotezë shumë tërheqëse dhe të kërkohen të gjitha mjetet për të ruajtur dhe për ta bërë të vizitueshëm nga publiku këtë monument antik kaq të rëndësishëm dhe të çmuar. Bashkia e Durrësit, e cila punon në bashkëpunim të ngushtë me projektin pilot për realizimin e Parkut Arkeologjik Urban e ka futur këtë pjesë në konkursin e ideve për riprojektimin arkitektonik të sheshit qendror të Durrësit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›