Kush është më i fituar në ministri, T-ja apo K-ja?
Interesante e MTKRS-së për këtë vit janë investimet shumë më të mëdha në zhvillimin e turizmit se sa një vit më parë, pra në vitin 2007. Edhe pse ministri Pango është shprehur se mbyllja e 2007 ka qenë e suksesshme në fushën e turizmit paçka se investimet kanë qenë shumë të pakta në krahasim me sivjet, hamendësohet, duke pasur parasysh fondet e larta të buxhetit të sivjetshëm dhe krahasimin me vjet, se turizmi ynë do të jetë më i realizuar se kurrë në fund të këtij sezoni.
Fondet e buxhetit për vitin 2007 nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë investuar në total 1.722.849 milionë lekë në zhvillimin e turizmit, në art dhe kulturë, në zhvillimin e sportit, programeve kulturore, menaxhim administrimi etj. Në realizimin e buxhetit të 2007-s MTKRS, duke pasur në prioritet zhvillimin e artit dhe kulturës ka investuar në to nga plani buxhetor plot 678.454 milionë lekë. Për zhvillimin e turizmit po në 2007 nga buxheti janë shpenzuar 79.088 milionë lekë nga të cilat u investuan rreth 15 milionë euro, për rikonstruksionin e një pjese të aksit të rëndësishëm rrugor të rivierës shqiptare.
Krahasuar me pjesën tjetër që menaxhon ministria, sivjet këto shpenzime janë ulur në fushën e artit dhe trashëgimisë, duke shkuar në favor të turizmit me rreth 86%, rritja në këtë fushë është për krijimin e Fondit të Zhvillimit të Turizmit.
Duke qenë se strategjia e sivjetshme e turizmit për zhvillimin e tij përqendrohet në përmirësimin e cilësive, rritjen e imazhit të Shqipërisë nëpër botë, krijimin e produktit të promovueshëm me çmim të leverdishëm etj., kanë sjellë rrjedhimisht edhe rritjen e shifrave të investimeve dhe të përqendrimit të fondeve të MTKRS-së në këtë fushë. Vitin e kaluar ministri Pango është shprehur i kënaqur nga mbyllja e një viti të suksesshëm në fushën e turizmit krahasuar me investimin e “dobët” të vjetshëm (gjithmonë duke e krahasuar me shifrat e larta të 2008-s).
Duke iu referuar shifrave të buxhetit të sivjetshëm, në të vërtet shpenzimet janë rritur në të gjitha fushat, në art, trashëgimi kulturore, sport dhe veçanërisht në fushën e zhvillimit të turizmit, ku në krahasim me vitin 2007 ato janë dyfishuar, për të realizuar fushatat promocionale në nivel kombëtar e ndërkombëtar, sigurimin dhe përmirësimin e zhvillimin e turizmit, duke promovuar mbrojtjen dhe ruajtjen e zonave të pikave turistike, vlerat e trashëgimisë kulturore dhe mbështetjen e profesionalizmit në sektorin e turizmit, pjesëmarrjen në panaire etj.
Në fushën e turizmit janë parashikuar investime me vlerë 37 milion lekë, krahasuar me vitin 2007 ato janë rritur 68%, nga të cilat 16 milionë lekë, të cilat flitet se do të përdoren për sinjalistikë turistike në tetë qytete, si dhe 21 milionë lekë fondi për zhvillimin e turizmit, akorduar Agjencisë Kombëtare të Turizmit për mbështetje financiare në formë grandi për zhvillimin e kësaj fushe.
Duket se buxheti 2008 siguron një perspektivë të mirë zhvillimi para së gjithash në fushën e turizmit dhe duke pasur parasysh investimet e dobëta të vjetshme dhe raportin e kënaqshëm për turistët në fund të vitit 2007, e deklaruar nga Pango me gjithë këto shpenzime të buxhetit 2008 pritet një “boom” në rritjen e GDP-së nga turistët dhe nga arritja e qëllimeve të kërkuara dhe aq të paguara njëkohësisht.
Lorena Kollobani