E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëtitore librash

Pas Ulqinit, botuesit, bashkë me librat e tyre do të udhëtojnë drejt Vlorës, ku të mërkurën, nga 13-18 gusht 2008 do të ekspozojnë punën e tyre për 6 mbrëmje rresht në shëtitoren Vlorë-Skelë, në segmentin para Parkut të Fëmijëve “Aulona” dhe lokalit “Dy Palmat”. Tradita e iniciuar dhe organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptare vazhdon deri në fund të këtij sezoni pushimesh. Rreth 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, 5000 tituj të ekspozuar, nga të cilët rreth 600 të rinj, një numër i madh krijuesish të njohur e të rinj, janë disa nga treguesit e këtij panairi, i cili do të mbahet për të nëntën herë në qytetin e bukur bregdetar. Në vitet e shkuara panairi në Vlorë është mbajtur në pranverë, gjatë sezonit shkollor, dhe është ndjekur me interesim mjaft të madh nga lexuesit vlonjatë, madje, duke fituar statusin e qytetit ku libri shqip shitet dhe lexohet më shumë, pas Tiranës. “Në këtë edicion të 9-të libri nuk u ofrohet vetëm vlonjatëve, por edhe pushuesve të shumtë nga gjithë Shqipëria, dyndjes nga Kosova e Maqedonia, si asnjëherë tjetër, por edhe emigrantëve të shumtë që kalojnë pushimet pranë familjeve të tyre në këtë muaj pushimesh nga puna e tyre në Itali, Greqi e gjetkë”, - thonë organizatorët. Organizatorët, Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Bashkia e Vlorës, mbështetur edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve të Vlorës, Biblioteka e qytetit, si dhe dega e Vlorës e Shoqatës “Labëria”, janë optimistë për interesimin e lexuesve vlonjatë dhe pushuesve të shumtë. Ndaj dhe numri i botuesve pjesëmarrës në Vlorë është gjithmonë më i madh se në qytetet e tjera ku bëhen veprimtari të tilla të ngjashme.

“Vlora është shquar gjatë këtij sezoni për veprimtaritë e shumta kulturore e sportive në funksion të pushuesve, organizuar nga bashkia e qytetit, institucionet kulturore të qytetit, por edhe trupat private dhe kjo veprimtari me librin e shton dhe e pasuron akoma më shumë programin e këtyre veprimtarive të planifikuara apo spontane”.

Edhe pse këto janë panaire verore, që zhvillohen gjatë mbrëmjeve dhe në mjediset e jashtme, si pjesë e veprimtarisë pushuese e turistike të qyteteve më të spikatura bregdetare shqiptare, përsëri nuk do të mungojnë veprimtaritë me librin, si takimet me krijuesit dhe përurimet e botimeve të më fundit të autorëve kryesisht vlonjatë, por edhe veprimtari qendrore të programuara nga organizatorët.

Panairi do te jete i hapur çdo ditë në datat 13–18 gusht, nga ora 18:00–24:00. Një ceremoni e thjeshte, e paraprirë nga një program i veçantë artistik do ta çelë në orën 21:00, me praninë e një numri të madh të ftuarish, njerëz të kulturës, krijues dhe të administratës shtetërore, si dhe të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, zotit Shpëtim Gjika dhe personaliteteve të tjera të ftuar. Te ftuar të veçantë në ceremoninë e çeljes të këtij edicioni do të jenë edhe Presidenti Alfred Moisiu dhe shkrimtarja deputete Diana Çuli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›