E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energji daullesh

Ritmet e nxehta të Afrikës mbërrijnë në Shqipëri. «Tambouret e Brazzes » një nga perkursionet më të famshme të Evropë, në 12 vite karrierë kanë mahnitur audiencat e katër kontinenteve. Në koncertet që do të organizojnë në Himarë dhe në Durrës ata do të tregojnë traditën e muzikës së tyre se sa është Hip-Hopi afër daulleve të tyre tradicionale Ngoma të Mbretërisë Bantu, ku banorët e saj mbartin simbolizmin e daulleve "Kongo diantotéla" të gjeneratat e reja.

Energji daullesh

Shoqata franko-shqiptare «Argjiro» dhe Ambasada Franceze në Tiranë sjellin për herë të parë në Shqipëri "Tambouret e Brazzes". Kjo iniciative për sjelljen e këtij grupi të famshëm afrikan që kanë bërë të njohur kulturën e Afrikës qëndrore në të gjithë botën, futet në regjistrin e madh të frankofonisë dhe të dialogut të kulturave. Ky grup spektakolar, perkusioni nga Afrika Qëndrore do të mbajnë koncertin në dy qytete bregdetare, në Himarë dhe Durrës, repektivisht sonte në mbrëmje dhe nesër.

Realizimi i këtij turneu është bërë edhe në mbështetje të ambasadës franceze. „Tambouret e Brazzas“, në 12 vjet të karrierës së tyre muzikore kanë mahnitur audiencat e katër kontinenteve. Muzika e tyre tregon se sa është Hip-Hopi afër daulleve të tyre tradicionale Ngoma të Mbretërisë Bantu, ku banorët e saj mbartin simbolizmin e daulleve "Kongo diantotéla" te gjeneratat e reja. Ngoma është bashkimi i fjalëve «Ngo» fuqia e leopardit dhe «MA» dhuntia që të është dhënë. «Tambouret e Brazzes » e themeluan së pari këtë “Fuqi të dhuruar” në Brazzaville, kryeqytetin e Kongos, ku Emile Biayenda, baterist jazzi dhe themelues i grupit mblodhi bashkë njëqind të rinj Ngoma nga i gjithë vendi. Stili i tyre revolucionar u bë një model për gjeneratat e reja të muzikantëve. Kjo “fuqi” i ndihmoi ata të mbijetonin gjatë luftës civile të Kongos në vitin 1997, pas një turneu evropian, në pamundësinë për t’u kthyer në vendin e tyre, ata ishin të detyruar të qëndronin në Coutunu, porti kryesor në Benin, dhe që atje ata u bënë të njohur në tërë Evropën, Afrikën Perëndimore, Hong Kong, Japoni, për t’u vendosur më pas në Francë në vitin 2001. Grupi i themeluar në vitin 1991 nga Emile Biayenda, baterist, kitarist, autor e kompozitor, i cili është i njohur në tërë Afrikën dhe në Evropë për reggae, jazz dhe muzikën tradicionale.

“Les Tambours de Brazza” janë shkrirja e trashëgimisë muzikore të Afrikës me modernitetin, aty ku instrumentat tradicionale shkrihen me instrumentat si kitara, sanza ka bërë që traditat e kulturës muzikore afrikne të barten deri në ditët e sotme dhe të korrin një sukses në mbarë botën.

Turneu shqiptar i Tambureve të Brazzas, është një tjetër aktivitet i pazakontë dhe i panjohur për publikun shqiptar i shoqatës « Argjiro », e cila në muajin qershor i ofroi një spektakël si ajo e “Dervishëve Fluturues” nga Stambolli. Ky është aktiviteti i gjashtë i Argjiros në Shqipëri.

E pyetur për shtytjen e sjelljes në Shqipëri të këtyre grupeve të veçantë Presidentja e shoqatës franko-shqiptare ARGJIRO dhe producente e këtij aktivteti, Ilda Mara u shpreh se «qëllimi ynë është që të ndihmojmë në zhvillimin e dialogut të Kulturave. Shqipëria është anëtare e frankofonisë dhe ky aktivitet në bashkëpunim me ambasadën franceze në Tiranë është një kontribut në prurjen e një tjetër kulturë frankofone në Shqipëri. Ne po mundohemi me të gjitha forcat që të ndihmojmë në dialogun ndërkulturor, të shndërrojmë Shqipërinë në një qendër vlerash dhe kulturash. Shqipëria gjithnjë e më tepër po bëhet një referencë kulturore në Evropën juglindore, me festivalet e saj të shumta cilësore si ato të teatrove, të muzikes e të arteve të tjera vizive, dhe ky turne është vetëm një gur më tepër në gjallërimin e jetës kulturore dhe të turizmit kulturor në Shqipëri. Eshtë e vërtetë që ne në Shqipëri s’kemi ndonjë njohuri të madhe ndaj muzikës afrikane, po kjo do të jetë një premierë që jam e sigurt që publiku do t’a mirëpresë. Shqipëria me kapacitetin e saj artistik, me pasuritë e mëdha natyrore dhe trashëgiminë e madhe kulturore që ajo bart, do të shndërrohet në vitet e ardhshme në një destinacion kulturor evropian»

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›