E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënder Sherifi; Kur Rugova më përkthente poezitë

Skënder Sherifi shfaqet sërish rrugëve të Tiranës. Pas botimit me poezi “Love”, e gjitha në frëngjisht, duket se është rikthyer “mbrapsht” duke përmbledhur në një vëllim të ri poetik disa krijime të botuara në shqip në vitet ’79-’80, të përkthyer nga frëngjishtja nga Ibrahim Rugova, që është një nga impresionet që ruan sot poeti. Ndonëse shfaqen rrallë poezitë e Sherifit në shqip, ky libër vjen si botim i shtëpisë botuese nga Kosova “Faik Konica”, e shoqëruar me pasthënie të studiuesit dhe kritikut Ramadan Musliut. Ndërsa për herë të parë gazeta “standard” boton dhe një kolazh me foto të poetit, nga jeta e tij në qarqet kulturore të botës frankofone

Teksti poetik i veprës “Lojë e kundërlojë” të Skënder Sherifit shtron disa nga problemet që, pak a shumë, janë të pranishme në këtë moment në poezinë tonë, qoftë si inicime problemore të imponuara nga kontaktimet e saj me vlerat standarde të poezisë evropiane, qoftë si tendenca origjinale të shfaqura nga kushtet e zhvillimit të saj në këtë kohë, kur çdo vlerë dhe jo vlerë i nënshtrohet gjykimit të sërishëm dhe verifikimit më konkret. Fjala është për kompleksitetin e kushteve shoqërore e historike dhe të kontesktualizimit të artit të sotëm brenda përbrenda këtij konteksti. Prandaj çështja e fenomenit letrar mbetet një problem i diskutueshëm për shumë arsye, ngase vetë momenti i pikërishëm ndikon në vetë shfaqjen e kriterit objektiv në hetimin e vlerës. Mendoj se rrënjët e këtij problemi shtrihen deri aty ku shtrohet pyetja e përcaktimit të fondamentit të vetë artit, por dhe të poezisë në veçanti. Tendenca e parë dhe më e rëndësishme që hetohet në dukje të parë dhe që lidhet me pohimet e përparshme, gjithsesi është përpjekja që të definohet dhe t’i jepet statusi i duhur subjektit krijues, si vetëdije poetike- artistike mbi momentin kohor edhe dëshmon praninë e vet në këtë hapësirë. Ndër të tjera, kuptohet në mënyrë të tërthortë, është vënë në theks qysh në kuptimin kontrastik të titullit të librit: Lojë dhe kundër lojë, ku shprehet roli i poezisë, por edhe i vetë subjektit krijues, ngjashëm me trajtimin e Platonit që ia atribuon poetit. Në semantikën e titullit është përqendruar gjakimi i poetit për të kuptuarit e dialektikës jetësore, e cila ashtu siç jepet të kuptohet nga tekstim, del si e ç’trajtësuar, si e dezintreguar nga faktorët destruktivë njerëzore dhe lë të kuptohet se fjala është për një variant të tjetërsimit të natyrës njerëzore, fakt këtë që jemi mësuar ta shohim si rrjedhojë të zhvillimit të industrializimit dhe të teknicizimit të jetë së njeriut. Rezonimi i këtillë i subjektit i afrohet më tepër natyrës së vet, qenies së vet autentike. Kjo realizohet si formë e manifestimit të kogitës poetike dhe të mendimit aktiv. Poezia e këtij lloji, ndër të tjera, shquhet edhe si një meditacion lirik, si shprehje abstrakte e objektivitetit të observuar. Edhe vetë ligjërimi poetik i këtij tipi ka si karakteristikë qenësore prirjen për konkretësi sa më të madhe, prirjen që preokupimin poetik ta realizojë me minimum mjetesh poetike. Vetë mesazhi poetik është ironizomi i një situate jetësore, ironizomi i natyrës destruktive të njeriut.

Procesi i vetironizimit, para së gjithash, duhet të kuptohet si një katarzë, si spastrim shpirtëror nga e keqja që ka kapluar këtë botë të përçudshme. Në fund të secilës vjershë thirrje e këtillë apelative jehon si një zë njerëzor i humbur në “xhunglën e hekurt”, si akt i vetëdijshëm ku kërkohet ajo pjesë e patjetërsueshme e shpirtit njerëzor. Në këtë vijë të intonacionit poetik kjo poezi është e afërt me poezinë e poetit arbëresh Vorea Ujkos, që do të thotë se afria e këtillë tematike lidhet me kushtet e njëjta të ekzistimit të subjektit poetik. Tjetërsimi dhe lufta e rrëqethshme kundër “mjerimit seksual dhe formave të eksploatimit” të ngritur në shkallën e ironisë, konstituohen si karakteristika të planit struktural të këtij teksti poetik.

Mirëpo, çështja e këtillë, kur njeriu do të jetë objekt i adaptimit ekologjik, sikur mbetet problematizuese për shumë arsye. E para dhe kryesorja është se ideja qendrore e poezisë, problemi i alieniacionit, nuk arrin të konsolidohet aq sa duhet në rrethanat e societetit tonë, ngase një rrethi rural, siç është ky yni, nuk mund të servohet automatikisht problemi i urbanizimit të jetës. Kjo kurrsesi nuk do të thotë se poezia vuan nga jobjektiviteti, por ajo me temën e trajtuar mbetet diku në periferinë e problemeve jetësore të njeriut tonë, por megjithatë hapin një horizont të ri, prej nga duket fytyra e shëmtuar e dehumanizimit të shkaktuar nga teknicizmi i jetës. Vetë ideja qendrore e këtij teksti poetik ka një orientim ekzistencialist. Ndërkaq vetë ky orientim është si pasojë e preokupimeve që determinohen nga rrethanat jetësore. Prandaj edhe poezia, së fundi, del si një formë e dëshmimit fizik dhe biologjik të qenies njerëzore. Ajo para së gjithash është një formë e ekzistimit, një formë e manifestimit të vetëdijes njerëzore dhe krijuese. Edhe ironizomi i vetes shpreh atë shkallë të vetëdijes, kur njeriu e sheh pozicionin e vet jetësor, kurse apelacioni i tij është vetëm një zë proteste kundër “ndotjes” dhe “variacione absurditetesh”. Zëri vetëdëshmues i ekzistencës vjen nga “hapësira e brendshme”, nga ai vend ku “jeta do ta mposhtë gjithmonë vdekjen”. Struktura kuptimore dhe realizuese e këtij teksti, kur të shikohet si definitivisht objektives, del si e dyanshme: teksti që vlerën e përqendron në faktorin tematik-motivor dhe vlera e tekstit që koncentrohet në veprimin krijues- objektives. Sa i përket aspektit të parë gjithsesi do të vlente pohimi i mësipërm mbi realizmin e ironisë poetike dhe asocionimin e jetërsimit, mirëpo çështja e aspektit të dytë konsiston në strukturimin e pluralitetit kuptimor të shprehjes. Esenca e këtij teksti realizohet sipas dy mënyrave kryesore: aplikimit intensiv të ligjërimit konkret dhe të përditshëm, me ç'rast atmosfera poetike kryesisht krijohet përmes asocionimit të situatës jetësore me një prirje për intonim sarkastik, ku çdo gjë i nënshtrohet dyshimit dhe skepsës. Materia poetike sipas këtij strukturimi është e zhveshur nga dendësia figurative dhe asociacionet e lira. Subjekti krijues dhe faktori njerëzor përgjithësisht qëndrojnë sa në pozitën e një objekti, aq edhe në pozitën e një subjekti, mbase në këtë rast shfaqet ironia e vetvetes si pjesëtare të një procesi kolektiv, siç është alienimi i raporteve ndërnjerëzore. Poezia dhe shprehja poetike e rrjedhës së këtillë manifestohet pjesërisht edhe me anën e abstraksionizmit të temës poetike ku në plan të parë vihet gjykimi mbi situatën e më pastaj hetohen relacionet e tjera. Kjo tendencë shpie kah neutralizimi i gjykimit dhe kah përgjithësimi i idesë poetike. Prandaj edhe pika kulmore e kuptimit të vjershës arrihet përmes përcaktimit të pozitës së vetë subjektit krijues si vetëdije artistike dhe shoqërore. Vetë revolta e hapur dhe qëndrimi subjektiv shfaqen në formë postulati apriori, i cili e përjashton rolin e përvojës së trashëguar nga kohët të tjera. Në këso situate ndjehet ekspansioni i retorizmit konkret, moralizimit të imponueshëm dhe patetikës së vetë gjykimit poetik.

Përkundër prirjes së parë, në këtë tekst ekziston përpjekja që midis këtij kolazhi abstraksionesh dhe gjykimesh të përbartet edhe prirja për strukturimin metaforizues të tekstit, por që ky proces i metaforizimit të temës poetike kalon nëpër domenin e gjykimit. Prandaj edhe intonimi i poezisë është nga pak simbolizues, madje synohet të hetohet fuqia simbolizuese e nocionit dhe e terminëve abstraktë. Këtu rol të dorës së parë ka leksiku poetik, i cili buron nga një ambient, gjithashtu urban:

"Bredha në mesnatë Në bulevardin e koshiencës Diku në natën e peshkatarëve Në kohën kur yjet U bëjnë pak dritë Udhëtarëve të frikësuar Nga zbrazëtia e mungesës "

Në këtë kontest prirja për meditim ngjitet me prirjen për metaforizim dhe si produkt i kësaj del meditacioni lirik. Nocionet dhe termat abstrakte si: bulevardi i koshiencës, zbrazëtia e mungesës etj., shquhen me një dozë të caktuar simbolizimi. Efekte të këtilla mund të gjejmë aq dendur sa të krijohet përfytyrimi se fjala është për një veprim krijues internacional, por që ky veprim hedh në shesh prirjen për strukturim të dyanshëm dhe eklektik. Kjo e fundit tregon se përkundër asimilimit të mjaftueshëm të përvojës mungesa e përvojës jetësore. Megjithëkëtë, kjo poezi realizon maksimalisht përpjekjet që poezia të kuptohet si formë e ekzistencës, por edhe si gjykim mbi format e ekzistencës.

* * *

Libri i dytë me vjersha "Oksigjeni", i Skënder Sherifit tematikisht dhe stilistikisht lidhet me të parin "Lojë e kundërlojë", i cili qe botuar në vitin 1980 dhe sikundër edhe disa libra të parë të autorëve tanë të asaj periudhe, ndikoi të hapet edhe një horizont i ri i poezisë sonë. Veçoritë tematike mund të përkufizohen si aso që buronin nga jeta e njeriut të sotëm dhe nga pozita e tij ekzistenciale që varet nga shkalla e caktuar e civilizimit teknologjik.

Edhe libri më i ri "Oksigfeni", me një titull të elementit kimik që kushtëzon jetën, ekzistencën e çdo qenieje të gjallë, pikërisht është ende në suaza të kornizave tematike

që i kërkufizuam si jetë të njeriut në rrethin e teknicizuar, 'të civilizimit të teknicizuar, organizimi dhe sistemi i organizimit të së cilës determinon sjelljen psiko-sociale dhe morale të qenies individuale dhe kolektive.

Për këtë poezi dhe për librin në përgjithësi (si sistem idesh dhe pikëpamjesh) është interesant se vepron së pari si formë e përjetimit të kësaj jete dhe së fundi si rezonim ndaj situatave jetësore. Prandaj, subjekti, madje edhe ai që mund të ketë statusin e një personazhi lirik, është ai që u nënshtrohet ligjësive të caktuara, por edhe manifeston shkallën e lartë të vetëdijesimit ndaj situatës përkatëse. Si komponentë qenësore e koordinatave tematike, pra të jetës së njeriut në stadin e sotëm të civilizimit, është tragjikja dhe tragjiciteti jetësor, i cili kushtëzohet se nga "liria e një drejtimi" e lindjes, aq edhe nga totalitarizmi i kushtëzuar nga mbisundimi i njeriut nga makina dhe dirigjuesit e tyre.

Tragjiken si komponenten qenësore të mesazhit artistik dhe si intonim parësor të kësaj poezie e kemi edhe në vjershat që tematikisht lidhen me problemet e së kaluarës nacionale të kolektivitetit që i përket edhe vetë poeti. Në vjershën "Shqiptari", autori na bën me dije se portreti i shqiptarit dhe autoportreti i tij i kanë "3000 vjet histori në fytyrë", kurse portreti kolektiv i tij dallon nga fakti se ata janë "shqipe e vetmuar/që shumë pak qesh" dhe se e gjithë historia e tij është tragjedi. Tragjike është edhe jeta e fsha-tarit, i cili në vargjet e këtij poeti del si artist që mjeshtërinë e bujkut e ka mësuar nga arti luftarak: "Ata e përdorin kosën" si mjeshtër të artit luftarak. Në kuadër të këtij koncepti të tragjikes mund të vihet edhe krijimi i historisë kulturore të këtij kolektiviteti, në të cilin kontribut të madh kanë dhënë edhe vëllezërit Frashëri (vjersha "Vëllezërit Frashëri"). Nga vjershat e këtij cikli ("Kundruall të vërtetës dhe legjendës") sikur del mesazhi se e gjithë historia e njeriut është një luftë për ekzistencë, kurse ideja e humanitetit është përpjekje e njeriut që të ndryshojë diçka në rrjedhë e sipër.

Cikli i dytë "Oksigjeni", është pikërisht ai që na bën me dije për idenë mbi tragjicitetin e të sotmes. Kemi këtu vjersha që janë reflekse dhe meditime të poetit për fatin e njeriut në kokën e sotme, dhe perspektivën aktuale historike. Vjershë mbase më e mira dhe e nivelit antologjik, është ajo me titull "Utopia bardhë e zi", ku autori me një ironi të fuqishme dhe me një procedim pothuajse natyralist realizon një imazh poetik që mund të jetë ekuivalent i atyre që për çdo ditë shfaqen në botë: absurditeteve të historisë aktuale dhe të civilizimit të" sotëm. Vjersha "Utopia bardhë e zi" është një pasqyrë e të ndodhurave të ditëve tona: blasfemimit të qenies njerëzore në çdo meridian të rruzullit tokësor: Indokinë, Ugandë, Argjentinë, Kil, Afrikë e Azi e pothuajse çdokund. Ironia poetike arrin kulmin kur poeti konstaton se humaniteti është një utopi, të cilës (ironikisht) poeti s'i ka besuar kurrë. Pikërisht kjo është shkalla më e lartë e vetëdijësimit të njeriut për absurdin e kohës së vet, i cili rrënon çdo ideal. Vlera e vjershës është se arrin ta shkrijë patetikën, konkreten, natyralisten dhe çdo gjë që duket se është "jopoetike" në një mesazh të vetëm: jeta ka marrë ngjyrën e absurdit dhe ekzistenca po e humb kuptimin.

Këtë koncept të vetëdijësimit mbi mbizotërimin e absurdit në jetë e ndeshim edhe në vjershat e tjera të cilat sa merren me intimitetin e poetit, i cili reagon ndaj situatave të ndryshme, aq edhe te vjershat që janë fiksim i ndodhive të jetës aktuale.

Në këtë mes është në interes të theksohet fakti se autori sikur na bën me dije se jeta e njeriut ka arritur atë stad sa më nuk përfillet logjika. Prandaj, cikli vijues me po atë titull na bën me dije se poeti në këtë çrregullim të logjikës duhet të gjejë azil në art, porse edhe ai tashmë u është nënshtruar ligjësive të tilla: "Nëse je normal /nuk je artist/ s'mund të krijosh asgjë me vlerë/" ("Dëgjo artist!", faqe 30). Ç'është atëherë ajo që i mbetet njeriut, përveç se arti, i cili shënon një shkallë më të lartë të utopisë. Ai sikur del se është verifikim i asaj mbetjeje të humanitetit dhe të identitetit njerëzor.

Edhe vjershat e ciklit "Të vdesësh së jetuari" janë në vazhdën e këtij koncepti, ku portretizohet fytyra e njeriut të t’huajësuar sa nga pamundësia për ta organizuar jetën e vet aq edhe nga determinimi i botës së sendeve që e posedojnë njeriun e ditëve tona. Këto vjersha mbase vështruar në planin e artikulimit artistik janë edhe vjershat më të arrira, dallohen për pastërtinë e imazheve, multikoloritin e tyre dhe refleksionin që mbështetet sa në racionalitet aq edhe në manifestimin e përfytyrimeve shqisore dhe të përjetimeve të poetit. Kualiteti kryesor i këtyre poezive është fragmenti, i cili sa shfaqet si një imazh disparat dhe i mëvetësishëm aq edhe ide e pavarur, e që pastaj të gjitha këto fragmente të njësohen në një tërësi. Pa dyshim se kemi vjersha fortë të realizuara që janë dëshmi të potencialit të dalluar krijues të këtij poeti. Vjershat e këtij cikli pa dyshim se mund të konsiderohen si shembuj të sensibilitetit modern, artikulimit që është në nivel të kërkesave të kohës. Prandaj, kjo poezi si për problemin e jetës urbane, e cila s'është një fiksim natyralist dhe deskriptiv, por projektim i thyerjeve të brendshme, ashtu edhe për mjetet shprehëse, pa dyshim origjinale dhe funksionale njëkohësisht, mund të konsiderohet si një faqe e ndritshme e poezisë sonë të ditëve tona.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›