E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshime për aftësinë e BQE për menaxhimin e krizës

Analiza

Nga LANDON THOMAS Jr.
“New York Times”

Ndërsa ka shenja se depozituesit e frikësuar po lëvizin kursimet e veta nga telashet e periferisë drejt bankave më të sigurta në Gjermani, nëpër bursat e botës nga Hong-Kongu në Frankfurt e Nju Jork, po përhapen fjalë se ndoshta Banka Qendrore Europiane mund të mos jetë në gjendje të parandalojë një panik bankar klasik.

Euro humbi terren sërish të martën, si pasojë e shqetësimeve të vazhdueshme për problemet e borxheve publike që kanë mbërthyer Europën. Rënia e euros qe pjesërisht pasojë e lajmit që katër banka kursimi në Spanjë u detyruan të bashkohen me njëra-tjetrën për shkak të humbjeve të mëdha të lidhura me kreditë për prona të patundshme. Kjo ngjarje shtoi vlerësimin e disa analistëve që thonë se bankat e Spanjës nuk kanë ruajtur kapitale të mjaftueshme mënjanë për të mbuluar humbjet e kredive të këqija.

Megjithatë, nuk ka ndonjë provë që të tregojë se paratë po largohen nga Europa në sasi të mëdha. Nga ana tjetër, Banka Qendrore Europiane ka ende shumë mjete të rëndësishme për të ndaluar rrënimin e bankave më të rëndësishme. Ajo mund të blejë më shumë bonde prej tyre, apo mund të rrisë interesat me qëllim që të tërheqë kapitale nga bota. Por erozioni i vazhdueshëm i euros kundrejt monedhave të tjera, si dhe pasiguritë e tregjeve financiare, ngrenë për Europën një pyetje më të rëndë: Kush mund t’i mbulojë problemet e bankave në rast se kreditë që ato u kanë dhënë vendeve si Greqia, Portugalia apo Spanja do të duhet të klasifikohen si borxh i keq?

“Nëse do të kishim një vend dhe një bankë qendrore, problemi mund të quhej i zgjidhshëm”, thotë Timothy Congdon, një ekonomist dhe euroskeptik në Londër. “Por këtu ne kemi një monedhë dhe gjashtëmbëdhjetë qeveri. Pra, kush nga këto do të garantojë borxhet e Greqisë e Spanjës”?

Congdon argumenton se frika që disa vende mund të detyrohen të dalin nga monedha e përbashkët europiane, ka shkaktuar sakaq zhvendosje të depozitave nga jugu i kontinentit për në veri. Ai tregon se në bilancin e BQE-së të publikuar më 18 maj, ka pasur një rritje me 46 miliardë euro në sasinë e kredive që u janë dhënë “institucioneve të kreditit të zonës euro” (Të martën, banka publikoi të dhëna të reja që tregojnë për një rritje të mëtejshme me 5 miliardë euro).

Rritja tregon se Banka Qendrore po u jep para bankave të nivelit të dytë, që po vuajnë nga tërheqja e depozitave, thotë Congdon. BQE ka ofruar financime të përgjithshme prej 60 miliardë eurosh për bankat e nivelit të dytë që nga 30 prilli.

“Njerëzit në Spanjë, Portugali e Greqi, kanë frikë se mund t’i humbasin depozitat e veta, thotë Congdon. Ata po i zhvendosin depozitat për te bankat në Gjermani”. Një zëdhënës i Bankës Qendrore refuzoi të japë komente. Lëvizjet e fundit të depozitave brenda BE-së kanë filluar që në shtator 2008, pas rënies së “Lehman Brothers”. Por që nga ajo kohë, fenomeni është shtuar, gjë që i ka detyruar bankat t’i drejtohen gjithnjë e më shumë për kredi Bankës Qendrore Europiane, si dhe operacioneve ndërbankare. Bankat në Greqi nuk janë më në gjendje të tërheqin kapitale në tregun ndërbankar dhe kështu janë tërësisht të varura nga BQE për të tërhequr financime.

Ndërkohë, sipas një studimi të BNP Paribas, depozitat e klientëve individualë në bankat e Eurozonës u ulën me 8.8 miliardë euro në mars, në krahasim me shkurtin. Në krahasim me një vit më parë, depozitat janë ulur me 50 miliardë euro. Megjithëse është ende herët të thuhet, nëse ky fenomen vijon gjatë pjesës tjetër të vitit, BQE do të duhet të ndërhyjë për të garantuar besueshmërinë e sistemit bankar. Deri tani, refuzimi i bankës për të vepruar është interpretuar nga shumë investitorë si shenjë pavendosmërie.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›