Intelektualët dënojnë dhunimin e Maks Velos
Në një letër solidarizuese, disa intelektualë rreshtohen krah Maks Velos, pas dhunës që është ushtruar ndaj tij nga një biznesmen. Në deklaratën e tyre thuhet: “Ne, miq dhe kolegë të Maks Velos, jemi tej mase të indinjuar për sulmin që i është bërë dje këtij arkitekti, artisti dhe shkrimtari nga një ndërtues biznesmen në Tiranë. Maks Velo është nga të paktit arkitektë, në mos i vetmi që ngre zërin sot për ruajtjen e kujtesës historike dhe të gjelbërimit në Tiranë e gjetiu, kundër shëmtimit urbanistik dhe kundër sulmit të antikulturës mbi kryeqytetin tonë. Ai ka botuar disa herë, me fotografi, shembuj negativë e pozitivë nga zhvillimi arkitekturor jo vetëm i Tiranës, por edhe i Korçës dhe vendeve të tjera të Shqipërisë. Mirëpo angazhimi i tij qytetar e pruri dje nën brutalitetin e një njeriu, i cili kujton se pasuria e tij dhe lidhje të caktuara që mund të ketë me politikanë, e sjell në pozitë sunduese në shoqërinë tonë, nga ku mund të mbysë edhe zërin publik”. Më tej intelektualët shprehen se edhe më i rëndë dhe fyes bëhet ky akt kur mendon që është ushtruar presion mbi një njeri të moshuar, që për lirinë e shprehjes ka vuajtur vite të tëra burgu dhe dhune. “Ia drejtojmë këtë letër të hapur instancave qendrore të shtetit tonë, që të marrin masa ndaj personave të tillë agresivë dhe në përgjithësi të tregojnë shumë më tepër vëmendje për mbrojtjen e lirisë së shprehjes. Ne jemi të gjithë njerëz që shkruajmë dhe flasim në radhë të parë në emër të një pasurie dhe në emër të një prone publike. Ndihemi të pambrojtur, në qoftë se kushdo që ka para, që merr leje ndërtimi ose hap biznese të mëdha, mund të na kërcënojë hapur, ashtu sikurse i ndodhi sot Maks Velos. Shkrimet dhe prononcimet tona nuk janë akte ligjore, ato janë shprehje mendimesh të lira që nuk mund të pengohen prej askujt (edhe sikur të ishin akte ligjore, ato mund të kundërshtoheshin vetëm në gjykata, por jo me brutalitet në rrugë të hapur, në një vend publik, sikur i ndodhi dje para hotel “Sheratonit”, Maks Velos)”, vijon deklarimi i intelektualëve. Ata vërejnë me shqetësim se njerëz të caktuar, që janë në një masë të madhe përgjegjës, bashkë me politikën, për shëmtimin e Tiranës, të rrethinave të saj, për ngushtimin e hapësirave tona të jetesës, kërkojnë ta ngushtojnë edhe lirinë tonë të botimit. “Bashkisë së Tiranës, bashkive dhe komunave të tjera u bëjmë thirrje që t’i kenë në vëmendje shkrime të angazhuara si të Maksit, sepse ato shprehin në fund të fundit opinionin publik dhe njëherësh atë të profesionistit, kundër lakmisë për fitim dhe betonim që shumë shpesh po ngadhënjen mbi estetikën, mbi një zhvillim të qëndrueshëm e të shëndetshëm të qyteteve tona”, përfundon deklarata e tyre, e cila më në fund mban edhe firmat e Ardian Klosit, Aleksandër çipës, Andrea Stefanit, Arben Kumbaros, Artan Lames, Gëzim Qëndros, Kujtim çashkut, Piro Mishës, Mustafa Nanos, Xhemal Matos dhe të tjerë.
#