E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshime për epidemi nga uji në Poliçan, 70 të shtruar

Poliçan- Panik për një epidemi uji në Poliçan. Alarmi vjen pas një fluksi shumë të madh pacientësh që janë shtruar në urgjencën e këtij spitali me shenjat tipike të një infeksioni epidemik dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas mjekëve, aktualisht në spital ndodhen të shtruar rreth 70 persona, të të dy gjinive dhe të grupmoshave të ndryshme. Mësohet se ata janë paraqitur me gjendje këputjeje trupore dhe me diarre, për të cilën mjekët dyshojnë se mund të jetë një epidemi nga uji.

Fluksi i madh i pacientëve dhe fakti se ata vijnë nga e njëjta zonë, I ka bërë mjekët më dyshues në këtë pistë, ndërkohë që institucionet përkatëse po bëjnë analizat e ujit të pijshëm.

Duke parë gjendjen e rëndë në këtë spital dhe parashikimet se mund të vijnë të sëmurë të tjerë, në drejtim të spitalit të Poliçanit kanë mbërritur edhe mjekë të

Beratit, për të dhënë ndihmën e tyre profesionale.

Mbërritja e tyre erdhi pas kërkesës për ndihmë nga spitali rajonal, i cili e kishte të papërballueshëm fluksin e pacientëve. Mësohet se nga të shtruarit nuk ka njoftime për komplikacione, vetëm se numri po vjen në rritje.

Vetëm pak ditë më parë, i njëjti problem u konstatua në Urën Vajgurore dhe analizat e bëra dëshmuan se faji ishte i ujit që konsumonin banorët, tërësisht jashtë parametrave të lejuara dhe i ndotur me fekale.

Pas kësaj, u mor vendimi për mbylljen e ujësjellësit që bënte furnizimin e banorëve të zonës dhe u këshilluan banorët që të mos e konsumonin ujin e çesmave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›