E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Topalli fshehu dijeninë e kryeministrit për Gërdecin

“Kryetarja e Kuvendit ka fshehur faktet që tregojnë se Berisha kishte dijeni për Gërdecin”. Kështu është shprehur sot, deputeti i PS-së, Erion Braçe gjatë një konference për shtyp, ku ka deklaruar me fakte se Topalli po varros dhe po manipulon të vërtetën.

Ai ka denoncuar një dokument parlamentar që iu bashkëngjit votimit dhe vendimit për dhënie leje të Prokurorisë së Përgjithshme për procedim penal ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

“Do të doja të denoncoja përfshirjen e kryetares së Kuvendit në përpilimin e dokumentave parlamentare që falsifikojnë të vërtetën, shtrembërojnë të vërtetën, varrosin të vërtetën mbi implikimin e Sali Berishës në krimin shtetëror të Gërdecit”- tha Braçe, duke treguar se bëhet fjalë për “Raportin mbi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për Autorizim për proçedim penal ndaj deputetit Mediu”, produkt i Këshillit për Rregulloren dhe Imunitetin, i drejtuar, mbikqyrur dhe urdhëruar ekskluzivisht nga Topalli.

Në tre volume, të dërguara nga Prokuroria e Përgjithshme e të administruara në Kuvend, në komision gjenden komunikata ditore, me të cilat vihet në dijeni Sali Berisha për depozitim të predhave të artilerisë së rëndë për demontim në Gërdec në kundërshtim me V.K.M e marrë e firmosur prej tij.

“Ne e kemi respektuar kërkesën e prokurorisë për ruajtjen e dokumentave dhe sekretit të hetimit që materializohet mbi to, por kur kryetarja e Kuvendit, varros të vërtetën, abuzon e manipulon me dokumentat zyrtare nën administrim, me qëllim favorizimin e tutorit Sali Berisha, kemi detyrën të bëjmë transparence”- tha ai.

Braçe ka cituar dokumentin që publikoi, duke dëshmuar se Berisha ka qenë i informuar.

“Sali Berisha ka qenë në dijeni të plotë të biznesit kriminal në Gërdec; Ai ka marrë vendime me vullnet të plotë në favor të biznesit kriminal në Gërdec; Ka hartuar ligj në favor të biznesit kriminal dhe shtetëror në Gërdec, si dhe një trafiku korruptiv municionesh në mashtrim të plotë Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe rregullave të tij. Sali Berisha zgjodhi të mashtrojë Departamentin Amerikan në favor të përfitimeve personale mban biznesi me një kriminel 22-vjeçar. Ai zgjodhi ta dërgojë fajin tek amerikanët për një javë rresht pas tragjedisë së Gërdecit dhe vazhdon ta bëjë edhe në media ndërkombëtare si në “Corriere della Sera”, së fundmi, e jo te gangsterët e tij”- tha Braçe.

Sipas tij, që prej dhjetorit të 2007, Sali Berisha ka qenë në dijeni familjarisht të biznesit kriminal të Gërdecit dhe është marrë çdo ditë me kërcënime e marifete të rënda shtetërore për fshehjen e provave dhe mospublikimin e tyre që lidhnin familjen e tij. Madje ai, që prej fillimit, sipas Braçes, ka pasur familjen e tij të angazhuar e punësuar në biznesin kriminal të Gërdecit dhe ka ndjekur përditë ecurinë e demondimit.

“Në dosjen e krijuar në Kuvend, gjenden komunikatat ditore të informimit të tij personal për këtë biznes: në dosje gjendet komunikata e datës 13.02.2008, me nr. protokolli 90, “konfidenciale”, në të cilën informohet kryeministri për 337.7 ton predha 122 mm, 102 ton 100 mm, 23.7 ton 152 mm, 1450 shtimje 100 mm, 600 shtimje 122 mm.

Kjo është e vërtetë e rezultuar nga dokumentat e dërguara dhe administruara në Kuvend”- theksoi ai.

Por, sipas tij, këto konkluzione të ftohta, të marra nga dokumentat e administruara në Kuvend janë fshehur nga Topalli, e cila në këtë mënyrë ka bërë një krim.  

Reagon Topalli: Janë vetëm shpifje

Pas deklaratës së deputetit të PS-së, Braçe ka reaguar menjëherë zëdhënësja e kryetares së Kuvendit. Sipas saj, deklaratët e bëra janë vetëm shpifje dhe trillim i radhës.

“Çdo raport i ardhur nga Prokuroria i është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve të Këshillit të Rregullores. Nuk ka asnjë dokument që të faktojë se kryeministri i vendit ka qenë i informuar apo ka pasur dijeni për Gërdecin. Kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes në një njoftim shtypi për të njëjtën çështje pak kohë më parë”- tha ajo.

Raporti i Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin paraqitur në seancën plenare, sipas saj, përcakton qartë dhe me përgjegjësi të plotë ata që kanë pasur dijeni apo informacion për këtë çështje.

Ajo ka theksuar më tej se dosjet e ardhura nga Prokuroria janë të hapura për çdo deputet që interesohet të dijë të vërtetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›