Dyshime për tragjedinë
Lavdie Murturi (1990) u varros të hënën. Ajo nuk mundi t’u përballojë lëndimeve që mori ditën e fundit të vitit që kaloi, në njërën nga rrugët e Prishtinës. Lavdia ndërroi jetë dy ditë pas aksidentit.
Murturi është vajza e cila u aksidentua të premten, natën e Vitit të Ri. Atë ditë, një veturë e kompanisë “London Taxi” goditi semaforin. E ndjera po e kalonte rrugën, por semafori që u rrëzua e goditi 20-vjeçaren në kokë.
Menjëherë pas aksidentit që ndodhi pak metra larg Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ajo u dërgua me urgjencë për trajtim mjekësor. Por duke mos u bërë ballë plagëve të marra, Lavdia ndërroi jetë të dielën.
Të hënën qindra njerëz, familjarë, shokë e shoqe, madje edhe profesorë, u mblodhën te xhamia, afër varrezave në Prishtinë. Prej aty, ata që deshën t’i japin vajzës së re lamtumirën e fundit, u nisën drejt varrezave. Tash e përgjithmonë, Lavdia do të prehet e qetë në varrezat e qytetit të saj.
Ata që rrinin afër varrit, e që nuk ndaleshin së qari, ishin dy vëllezërit dhe babai.
Me dhembje në shpirt, pas ceremonisë, Nimon Murturi, babai i Lavdisë së ndjerë, vendosi të flasë për Express.
Ai nisi të shpjegojë në detaje versionin e aksidentit, të cilin e kishte dëgjuar prej njerëzve. “E di që në ditën e aksidentit vajza ime ka qenë duke shkuar në fakultet. Se si ka ndodhur ngjarja komplet, akoma nuk jam informuar”, thotë ai për Express.
Megjithatë, Nimoni vazhdon të ketë besim në Policinë e Kosovës. Thotë se është në pritje të detajeve shtesë nga policia rrugore, për mënyrën se si ka humbur jetën vajza e tij.
“Kam qenë i zënë duke u kujdesur në spital për vajzën. E tash që nuk e kam më, do t’i marr vesh të gjitha”, thotë ai.
Nimoni thekson se kjo që i ka ndodhur vajzës së tij, mund t’i ndodhte çdokujt tjetër.
“Mua vajzën ma ka shkelë taksisti. Për 2 euro e gjysmë sa punojnë ata, të shkaktojnë kaq dhimbje të mëdha sa më ka shkaktuar mua, kjo nuk është në rregull”, thotë babai i së ndjerës.
Ai u bën thirrje të gjithë taksistëve të kryeqytetit që të jenë shumë më të kujdesshëm. Por, Nimoni ka edhe një apel tjetër. Kësaj radhe për qytetarët dhe policinë rrugore.
“Semafori që i ka rënë vajzës sime në kokë, është ngjitur prapë. Por ai mund të bjerë prapë, sepse vetëm është i futur në dhe. Nuk ka kurrfarë sigurie. Prandaj, lus policinë që ta rregullojë atë semafor. Por, i lus edhe qytetarët që të kenë kujdes derisa kalojnë aty, sepse mund të pësojnë si vajza ime”.
Sidoqoftë, Nimoni vazhdon të ketë dyshime, nëse semafori ka qenë i ngulitur në tokë edhe ditën kur ndodhi aksidenti që i mori jetën së bijës. “Sepse, nëse do të ishte në tokë, nuk do të kishte rënë aq lehtë mbi vajzën time. Ose nuk do t’i kishte sjellë lëndime vdekjeprurëse”, thotë i bindur ai.
Si ndodhi tragjedia
Aksidenti ka ndodhur më 31 dhjetor, rreth mesditës. Me të marrë informacionin, në vendin e ngjarjes ka dalë Policia e Kosovës, e cila ka dërguar në mbajtje personin, i cili dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin.
Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë, thotë se rasti dyshohet se ka ndodhur kur ngasësi i automjetit taksi ka qenë duke lëvizur në rrugën “Agim Ramadani”. Me të arritur në semafor te Fakulteti Teknik, nuk i është përshtatur shpejtësisë dhe iu ka shmangur automjetit “Audi”, i cili ishte duke lëvizur nga Fakulteti Teknik në drejtim të Rrethit të Spitalit. “Në shmangie e sipër në të djathtë, vetura ka goditur semaforin, e më pas semafori e ka goditur këmbësoren Lavdie Murturi, e cila ishte duke e kaluar rrugën në vendkalim në drejtim të Fakultetit Teknik”, rrëfen Sadriu.
Sipas Sadriut, vozitësi i taksisë është dërguar menjëherë në mbajtje. “Në lidhje me rastin është informuar prokurori publik i Prokurorisë Komunale, që ka autorizuar Njësinë e hetimeve të aksidenteve të merret me rastin. Ndërsa ngasësi i automjetit A. B. është ndaluar në polici për 48 orë”, thekson Sadriu për Express.