Në dorë të KQZ’së
Të martën pritet të dihet saktësisht për vlefshmërinë e krejt votave të 12 dhjetorit, një pjesë e të cilave janë rinumëruar.
Prej më shumë se 40 për qind të kutive të votimit, të hënën pa u rinumëruar ishin vetëm edhe 129 sosh.
Deri më tash nuk është njoftuar për shpërputhje të mëdha sa i përket numrit të votave të partive, ndryshe prej votave të kandidatëve, ku ka pasur ndryshime në gjithsej 740 kutitë e votimeve.
Sipas burimeve të Expressit brenda QNR’së, mund të rivotohet edhe në disa qendra votimi, ku janë gjetur parregullsi të mëdha dhe zgjedhjet të përsëriten në të njëjtën ditë me zgjedhjet në Skenderaj, Drenas e Deçan.
“Shumica e kutive janë në rregull. Ka edhe kuti në të cilat janë vërejtur parregullsi që e tejkalojnë kuotën e lejueshmërisë. Mirëpo, mbetet në dorën e KQZ’së të vendosë më tutje”, ka thënë burimi brenda QNR’së.
Megjithëkëtë, drejtori i QNR’së, Burim Ahmetaj, ka treguar për procesin e rinumërimit dhe ka premtuar përfundim të shpejtë të rinumërimit.
“Nga data 18 dhjetor deri më 2 janar janë rinumëruar gjithsej 631 vendvotime. Më 2 janar gjithsej janë rinumëruar 58 vendvotime, ndërsa më datën 31 dhjetor, 30, çka do të thotë se nga 760 vendvotime, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 129”, ka thënë Ahmetaj në mbledhjen e KQZ’së.
KQZ’ja refuzon LDK’në për OJQ’të
Të hënën, KQZ’ja ka marrë vendim të emërojë anëtarët e këshillave të vendvotimeve për komunat Deçan, Skenderaj, Drenas, Lipjan dhe Malishevë, për rivotim më 9 janar.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ’së, Xhemail Peqani, ka sqaruar se krejt të emëruarit e rinj nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundvitit.
“Lista është e pastër”, ka thënë ai.
“Asnjë nga anëtarët e KVV’e që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, nuk është më pjesë e listës së KVV’e për zgjedhjet e 9 janarit 2011 për komunat e lartpërmendura, në të cilat do të përsëriten zgjedhjet”, ka theksuar ai.
KQZ’ja ka hedhur poshtë kërkesën e LDK’së lidhur me mospërfshirjen e përfaqësuesve të OJQ’ve në këshillat e vendvotimeve për rivotim me 9 janar.
Anëtari i KQZ’së nga radhët e LDK’së, Florian Dushi, ka dhënë shpjegime pse nuk duhet lejuar anëtarët e OJQ’ve të jenë pjesë e procesit elektoral.
“Jo rrallëherë kemi pasur raste kur OJQ’të kanë qenë në shërbim të një apo subjekti tjetër politik, pa pasur ndonjë qëllim që të përcaktojë se cilit subjekt konkretisht”, ka thënë Dushi, duke kërkuar miratimin e kërkesës së LDK’së.
Megjithëkëtë, KQZ’ja nuk e ka miratuar as kërkesën e AKR-PD-PSD-PPI-PPK-PNDSH-PGJK lidhur me emërimin e anëtarëve të këshillave të vendvotimeve për komunën e Deçanit, të propozuar nga Qendra e Koalicionit dhe jo atyre të propozuar nga dega e këtij koalicioni.
Mirëpo, anëtari i AKR’së në KQZ, Fadil Maloku, ka hedhur akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë.
“As gjykata, as prokuroria për mendimin tim nuk e kanë kryer punën”, ka thënë ai.
“Askush asnjëherë deri më tash nuk ka dhënë përgjegjësi dhe kjo është pasojë që ne po thirremi në ligj, a në fakt ligji nuk është duke funksionuar dhe po na sjell probleme edhe neve si KQZ”, ka thënë Maloku.
Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga fillimi i fushatës treditëshe elektorale, partitë politike kanë vendosur të mos bëjnë fushatë për kërkim të votave, sikurse e kanë praktikuar në fushatën e dhjetorit.
Tash, shumica e tyre po shkojnë shtëpi për shtëpi për të kërkuar sërish votat.
Fushata elektorale për zgjedhjet e 9 janarit fillon të mërkurën dhe përfundon të premten, duke pasuar me heshtjen zgjedhore.
Zgjedhjet përsëriten në tri komuna plotësisht, kurse në Lipjan dhe Malishevë, në disa qendra të votimit ku janë vërejtur parregullsi.