Dyshimet e Gazës
Si gjithnjë, konflikti izraelito-palestinez qëndron në mes të diplomacisë dhe dhunës. Kështu, SHBA-së i mbetet që nëpërmjet bashkëpunimit me Izraelin dhe komunitetin ndërkombëtar ta thyejë këtë bllokim dhe të ecë përpara një marrëveshjeje. Mirëpo dështimi i strategjisë diplomatike të Abbasit - mungesa e përfitimeve të prekshme edhe në rast të një suksesi - do të dëmtojë atë që ka mbetur nga besimi që palestinezët kanë për të dhe do të fuqizojë ndikimin politik të “Hamasit”
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, tani e ka paraqitur personalisht kërkesën e Palestinës për anëtarësim të plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara para sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. Ajo që mbetet të shihet është nëse “Hamasi”, i cili e ka kontrolluar Rripin e Gazës që nga qershori i vitit 2007, do ta mbështesë këtë nismë të rivalit të vet të përbetuar, Autoritetit Palestinez të Abbasit, që ndodhet në Bregun Perëndimor. Dështimi për më shumë se një vit për të arritur ndonjë përparim në negociatat me Izraelin i ka bindur Abbasin dhe kolegët e tij që t’i shkojnë pas opsionit të OKB-së. Po ashtu, vazhdimi i ndërtimit të kolonive nga Izraeli në Bregun Perëndimor e ka forcuar përshtypjen palestineze se negociatat nuk do të jenë frytdhënëse, derisa mundësia e rezolutave të OKB-së që mbështesin zgjidhjen me dy shtete tani do të mund të vihej në sprovë. Për më tepër, është besim i përgjithshëm se Pranvera Arabe i ka dhënë guxim udhëheqjes palestineze që të mundohet të ndryshojë rregullat e lojës. Arabët në tërë rajonin, ndonëse të preokupuar me problemet e brendshme, po vazhdojnë të bëjnë presion për një gjeneratë të re liderësh që do ta mbështesnin në mënyrë më aktive kauzën palestineze. Rrëzimi i regjimit të Hosni Mubarakut në Egjipt, largimi i ambasadorit izraelit nga Kajro, trazirat politike në Siri, si dhe dëbimi i ambasadorit izraelit nga Ankaraja, janë duke shkaktuar paqartësi të mëdha tek qarqet udhëheqëse izraelite. Izraeli është i izoluar në aspektin rajonal dhe ndërkombëtar më shumë se kurrë, si rezultat i dështimeve diplomatike të kryeministrit izraelit, Binyamin Netanyahu. Abbas, kërkesa e të cilit është mbështetur unanimisht nga shtetet arabe dhe nga shumica e shteteve islame, është i bindur se arabët do t’u qëndrojnë pranë palestinezëve, pa marrë parasysh pasojat. Më shumë se 120 shtete besohet se mbështesin kërkesën palestineze për shtetësi. Megjithatë, palestinezët duhet ta sigurojnë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe ta kenë mbështetjen e dy të tretave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në mënyrë që ta sigurojnë njohjen e plotë zyrtare. SHBA-ja është kërcënuar se do t’i vërë veto rezolutës në Këshillin e Sigurimit, derisa Kongresi amerikan është kërcënuar me suspendimin e ndihmave për Autoritetin Palestinez. Anëtarët e Bashkimit Evropian vazhdojnë të mbesin të përçarë dhe vazhdojnë të shpresojnë për kompromis, apo për opsione të tjera.
Izraeli e ka dënuar strategjinë palestineze si nismë të njëanshme dhe u është kërcënuar palestinezëve me reperkusione. Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, ka sugjeruar anulimin e Marrëveshjeve të Oslos, të nënshkruara me Organizatën për Çlirimin e Palestinës në shtator të vitit 1993, të cilat siguruan bazën për krijimin e Autoritetit Palestinez në vitin 1994. Izraeli po ashtu është duke e shqyrtuar mundësinë e suspendimit të transferimit të të ardhurave palestineze nga tatimet e doganat, duke u kërcënuar po ashtu me aneksimin e disa pjesëve të Bregut Perëndimor. Në të njëjtën kohë, “Hamasi” dyshon se përpjekjet e Abbasit për ta siguruar njohjen në OKB kanë për synim që të vënë presion mbi Netanyahun për ringjalljen e negociatave paqësore mbi bazat e kufijve të vitit 1967, një qëndrim ky të cilin “Hamasi” e refuzon. “Hamasi” beson se po qe se Izraeli vihet nën presion dhe, për shembull, ndal ndërtimin e kolonive, atëherë pozicioni i Abbasit do të përforcohej. “Hamasi” e kritikoi fjalimin e Abbasit në OKB dhe kërkesën e tij për shtetësi, për shkak se në të hiqet dorë nga 78 për qind e Palestinës historike dhe vihet në rrezik e drejta për kthim e refugjatëve palestinezë. Ndërkohë, rëndësia e marrëveshjes për pajtim, e nënshkruar gjatë majit të kaluar nga “Hamasi” dhe “Fatahu”, lëvizjes shekullare nacionaliste që kontrollon Autoritetin Palestinez, mbetet e paqartë. Ndonëse disa analistë shpresonin se marrëveshja do të siguronte mbështetje për strategjinë negociuese të Abbasit, një gjë e tillë tani vihet në dyshim. Në të vërtetë, “Hamasi” është i bindur se çdo sukses i Abbasit dhe i Autoritetit Palestinez do të diskreditojë edhe më shumë sundimin e tij dhe do të rrisë izolimin e tij në Gazën e rrethuar. Mbështetja e “Hamasit” për shtetësinë palestineze përbrenda kufijve të vitit 1967 do të shpjerë të paktën drejt njohjes indirekte të Izraelit. Për më tepër, “Hamasi” vazhdon të kundërshton koncesione territoriale, duke insistuar se e gjithë Palestina historike duhet të jetë nën juridiksionin mysliman. Palestinezët në Rripin e Hazës, të cilët për më shumë se katër vjet vuajnë rrethim dhe izolim, janë apatikë ndaj kërkesës në OKB. Ata tashmë ndihen të tjetërsuar nga përpjekjet e shtetndërtimit në Bregun Perëndimor nga qeveria e Salam Fayyadit. Varfëria dhe papunësia i kanë lënë ata të zemëruar dhe të zhgënjyer, ndërsa përmbushja e ngadaltë e marrëveshjes së pajtimit “Hamas”-“Fatah” u jep atyre pak shpresë për ndryshime të prekshme. Në rast se Palestina arrin anëtarësimin e plotë në OKB, palestinezët e kuptojnë se kjo e arritur do të jetë pak më shumë se simbolike. Mbi të gjitha, më shumë se 100 shtete tashmë e kanë njohur Palestinën, pasi Yasser Arafati e shpalli atë shtet më 15 nëntor 1988. Për më tepër, palestinezët nuk janë të bindur se njohja në OKB do të ndryshojë jetët e tyre të përditshme, përderisa komuniteti ndërkombëtar nuk ndërmerr ndonjë veprim për t’i dhënë fund okupimit izraelit në Bregun Perëndimor dhe rrethimit e bllokadës së Gazës. Sidoqoftë, kërkesa palestineze në OKB do të ndërkombëtarizojë konfliktin izraelito-palestinez dhe do të diskreditojë insistimin amerikan për ndërmjetësim. Si gjithnjë, konflikti izraelito-palestinez qëndron në mes të diplomacisë dhe dhunës. Kështu, SHBA-së i mbetet që nëpërmjet bashkëpunimit me Izraelin dhe komunitetin ndërkombëtar të thyejë këtë bllokim dhe të ecë përpara një marrëveshjeje. Mirëpo dështimi i strategjisë diplomatike të Abbasit – mungesa e përfitimeve të prekshme edhe në rast të një suksesi – do të dëmtojë atë që ka mbetur nga besimi sa palestinezët kanë për të dhe do të fuqizojë ndikimin politik të “Hamasit”.
Autori është profesor i shkencave politike në universitetin “Al-Azhar” në Gaza. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Syndicate”