E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinjiteti i shqiptares së Kosovës s’mbrohet dot nga njerëzit që e ngatërrojnë dinjitetin

03-10-2011 / Nga Sibel Halimi

Pretendimi i fundit i Fuad Ramiqit për t`ia rikthyer dinjitetin gruas është mediokër, ngase ajo ka dinjitet, nuk e ka humbur, ndaj rrjedhimisht nuk ka nevojë për ta rikthyer. Teksa flet për gruan, krijohet përshtypja se gratë e pambuluara kanë krizë të dinjitetit! Masa jote për dinjitet nuk është e thënë se u mjafton dhe u bie tamam të gjitha grave. Iku koha e uniformizmit, këto thirrje për mbulojë po na i kujtojnë kominoshet komuniste, andaj, mos ceno lirinë në emër të dinjitetit, sepse dinjiteti është brenda lirisë. Kërkesa për rikthimin e dinjitetit të gruas është baras me nënshtrimin, inferioritetin dhe kategorizimin e saj në qytetare të dorës së dytë. Por, gruaja në Kosovë nuk ka nevojë për këtë prapakthim, por as për apologji nga një person, i cili dehumanizon gruan si qenie dhe e degradon mirëqenien e saj në emër të islamit të proklamuar nga individë, të cilët për qëllime të tjera flasin për të dhe në emër të saj. Dinjiteti i gruas vjen në shprehje vetëm kur shoqëria e pranon dhe e njeh atë si qytetare me të drejta të barabarta me burrin, duke u nisur nga familja e deri te shtetndërtimi. Shoqëria kosovare ka nevojë për avancim e  ridefinim të konceptit të dinjitetit të saj, një vlerësim e respekt, por jo nga moralistë të shpifur dhe ideologji, të cilat në esencë e degradojnë rëndë lirinë e saj duke ia imponuar edhe dukjen, jo vetëm si një e drejtë e lindur.       
Pretendimi i fundit i Fuad Ramiqit për t`ia rikthyer dinjitetin gruas është mediokër, ajo ka dinjitetin e saj të ndërtuar nëpër sfida me shekuj, nuk e ka humbur as në luftë e as tani në paqe, ndaj rrjedhimisht nuk ka nevojë për ta rikthyer, pavarësisht interesave të grupeve e individëve. Së dyti, Ramiqi vërehet haptazi se konceptin mbi gruan e pambuluar e ka të ndërtuar ekskluzivisht mbi bazën e paragjykimeve dhe gjithnjë duke u përpjekur për të sjellë qëndrime përfundimtare për këtë gjë. Teksa flet për gruan, krijohet përshtypja se gratë e pambuluara kanë krizë të dinjitetit. Nga kjo premisë pretenduese, ai kërkon mbulimin e saj, duke harruar se ajo ka dinjitet dhe sovranitet të plotë mbi veten. Prandaj, nëse ajo vishet me xhinse apo mbulohet duhet të jetë reflektim i vendimit të saj pa pasur nevojën për interpretues të mendimeve apo tutor që e menaxhon trupin e saj. Madje, vetë Ramiqi përdhos dinjitetin e vajzave të mitura teksa tenton që dy vajza të mbuluara me shami t`i fusë me zor në shkollë. Për më tepër, dinjitetin e tyre ai e përdori medialisht për të lançuar tezat e tij tanimë të njohura dhe për ta promovuar veten gjithnjë e më tepër në një lider politik me keqpërdorim të rrastë të religjiozes. Kësisoj, gruaja kthehet në agjendë, nëpërmjet konceptit të “imoralitetit”, “zhveshjes” dhe “krizës”, ndërsa frika e tjetrit është instrument që përkujdeset për të dhe në njëfarë mënyrë apriori e pozicionon atë në anën e pafuqishme, jo të gatshme për të qenë pjesë e vendimmarrjes për vete. Gjithnjë, pra, duhet dikush tjetër të luajë rolin e arbitrit për një çështje që i përket vetë asaj. Pra, kjo nuk është asgjë tjetër, përpos një tentim për ta vënë atë në kontroll, për t`i treguar veprimet dhe kahun e lëvizjes së zhvillimit të saj. Në këtë kontekst, me të drejtë Simone De Beauvoir shtron dilemën për gjenezën e vërtetë të problemit në relacion ndërmjet burrave dhe trupit të gruas. Për këtë shkak, ajo konstaton se trupi femëror është i varur nga situata.
Nëse liria e vetëpërcaktimit është e drejtë themelore, atëherë pse kjo ngarendje protestash për ta përcaktuar mënyrën se si të vishet ajo. Trupi i saj i nënshtrohet fiziologjisë. Nga jashtë, trupi i gruas nuk duket si një shprehje e qartë e vetvetes, ndërkaq brenda tij (trupit), ajo ndihet e huaj, sepse të huaj e bënë edukata e kontrollit në të cilën rritet ajo. Rrjedhimisht, ndonëse në emër të saj e pa të, pamja trupore u shndërrua në akuzë dhe gati sa s`përfundoi në fatva. U desh edhe një shtytje në mënyrë që të dëgjohen zëra për të drejtën e saj, e cila nuk do të ketë edhe ashtu bujë të madhe në kuptimin e përmirësimit të jetesës së saj. Kjo tendencë edhe njëherë vërteton dëshirën e fshehur të grupeve të interesit për rikthimin e gruas në rolin tradicional të paracaktuar nga shoqëria, rol ky që gruan e nxjerr në pozicionin e kujdestares për më të fuqishmit. Pra, një rol të cilin në fakt një grup i caktuar shoqëror ia ka besuar asaj. Prandaj, në rrëzimin e shenjtërimit të amësisë dhe rolit social që ia detyron gruas, shoqëria krijon modele të ndryshme të të jetuarit të grave, duke përfshirë edhe dukjen, ndaj duhet marrë parasysh një mendim të Judith Hollit, sipas së cilës “kurdo që mendohet se sjellja pa zë e grave është e padëshirueshme, përsëri vendoset një mit tjetër”. Shoqëritë moderne sërish po e rikthejnë debatin për krijimin e kuptimit të ri të trupit femëror, duke shtruar pyetjen esenciale, nëse trupi është vetja jonë apo ai e ka pavarësinë autonome, i pakontrolluar nga shoqëria. Pikërisht këtu shohim përçarjen ndërmjet vetes dhe trupit, ndërhyrjes së shoqërisë në thellimin e krizës ndërmjet trupit dhe vetes. Vetja, për shkak të pozitës sociale, i është lënë në duar trupit dhe në këtë rast trupi, veçanërisht ai femëror, po bëhet mjet i përdorimit për qëllime të caktuara nga formacione të ndryshme shoqërore.
Sipas Susan Brisonit (Aftermath: Violence and the Remaking of a Self), pakënaqësitë për trupin janë përdorur si një përpjekje për të dëshpëruar dhe luftuar përsëri kundër një sulmuesi, i cili është përtej trupit dhe në fakt përdoren për rikuperimin e dinjitet të dhënë. E, koncepti i dinjitetit nga Axel Honnethi është vlera e një personi që ka vetëm aq sa i është dhënë nga të tjerët. Mirëpo, në qoftë se varet dinjiteti në afirmimin e jashtëm, atëherë vetë vlerësimi nuk mund të jetë i brendshëm. Pakënaqësitë për trupin janë reagime që nuk kërkohen në rrethana të përditshme. Amery argumenton se janë të rezervuara për shkak të shkeljeve kundër të të ashtuquajturve kufij truporë. “Kufijtë e trupit tim janë edhe kufijtë e vetes sime. Sipërfaqja e lëkurës është mburoja ime për mua kundër botës së jashtme. Nëse unë kam besim, unë duhet të ndjejë në të vetëm atë që unë dua ta ndiej, por jo edhe të tjerët”, shprehet Amery. Dhe, kjo para së gjithash, lidhet me dinjitetin, të cilën e ka dhe do ta ketë gruaja. Ajo është vetja dhe si e tillë duhet të vendosë për veten. E të tjerëve as që duhet t`u shkojë ndërmend të shndërrohen në avokat të dinjitetit të saj. Atë, secila e ka aq sa e ndërton brenda lirisë së saj.
Ju nuk keni dinjitet ta mbroni dhe ta ruani dinjitetin tim!

Autorja është sociologe- menaxhere e projekteve në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore. Shkrimi është botuar së pari në të përditshmen e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›