E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimet parlamentare

Jakup Krasniqi shfaqi dyshimet e tij rreth dialogut Kosovë-Serbi, derisa rikujtoi përgjegjësinë e lidershipit kosovar nëse tejkalohen kornizat e këtij procesi. E, deputetë të tjerë, të pozitës dhe të opozitës, përmendën edhe luftën nëse në dialog do të diskutohet për Veriun. Por, Hajredin Kuçi, në një prononcim për Express, thotë se askush nuk e ka ndërmend të bisedojë me Serbinë për këtë çështje.

Kanë përfunduar nëntë raunde të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por liderëve kosovarë iu është rikujtuar vetëm tani të mendojnë për natyrën e këtij dialogu.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka shfaqur të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, mëdyshjet e tij në lidhje me atë se sa teknik realisht është dialogu me Serbinë.

“Tash nuk duhet të japë vlerësime se çfarë janë këto bisedime. Ne e dimë që këto bisedime janë zhvilluar mbi bazën e një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka qenë kërkesa për të biseduar për çështje teknike dhe për çështje të lehtësimit të qytetarëve të Kosovës dhe nëse tejkalohen këto që janë precizuar edhe në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme, edhe në rezolutën e Kuvendit, mendoj se përgjegjësia është e atyre që janë futur në një çështje që s’ka qenë përgjegjësi e tyre”, ka thënë Krasniqi në konferencën e djeshme për media.

Ndërsa duke komentuar deklaratat e fundit të lehtësuesit europian në bisedime, Robert Cooper, i cili e ka lënë të hapur mundësinë e trajtimit të Veriut si temë në dialogun me Serbinë, Krasniqi ka mohuar të ketë marrë informacione në lidhje me këtë.

“Edhe një herë po deklaroj se nuk kam asnjë informacion dhe asnjë kërkesë nga asnjë faktor ndërkombëtar për të biseduar për atë çështje, por një gjë dua të them, raportet e Kosovës me Serbinë janë raporte të nivelit nacional dhe unë mendoj se duhet të respektohet kjo formë e këtij niveli dhe këto bisedime duhet të vlerësohen si të tilla dhe duhet të jetë i kyçur i gjithë spektri politik i Kosovës”, ka thënë Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në këtë fillim jave.

E, Cooper ndërkaq, nuk është i vetmi i cili e ka lënë të hapur mundësinë e trajtimit të Veriut të Mitrovicës si temë të bisedimeve.

Ditë më parë, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Phillip Gordon, kishte kërkuar nga pala kosovare dhe ajo serbe që të gjejnë edhe për këtë çështje një kompromis sikurse ato të mëhershmet.

Por, kundër kësaj është deklaruar Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Në një prononcim për Express, Kuçi ka thënë se çështja e Veriut duhet të zgjidhet në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë, mirëpo ka përjashtuar mundësinë që Serbia të pyetet për çështjet e brendshme të Kosovës.

“E para, sa e di, nuk kemi sinjale për çështje të tilla nga ndërkombëtarët. E dyta, është edhe një mandat kushtetues, një rezolutë e Kuvendit të Kosovës, e cila ka përcaktuar çështjet e dialogut në raportet ndërshtetërore dhe në asnjë rast nuk është menduar se duhet të ketë dialog me Serbinë për çështjet e brendshme, qoftë për Veriun apo për një pjesë tjetër të Kosovës”, ka thënë ai.

“Mendoj që veprimet e tilla që duhet të zgjidhen brendapërbrenda në bashkëpunim me institucionet vendore dhe me faktorët ndërkombëtarë, por jo edhe me Serbinë”, shtoi Kuçi.

E, pikërisht faktori ndërkombëtar, tek i cili udhëheqësit kosovarë po mbështeten vazhdimisht, është ai i cili bëri trysni për të lëshuar pe në raundin fundit të bisedimeve, duke pranuar nënshkrimin e një marrëveshjeje me të cilën Kosova do të përfaqësohet si shtet pa fjalën “Republikë” dhe me fusnotën që përveç opinionit të GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë, përmban edhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

Kryeparlamentari Krasniqi ka vlerësuar se po tejkalohen kufijtë e përcaktuar edhe nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në lidhje me dialogun, të ashtuquajtur, teknik me Serbinë.

Ndërsa këto deklarata të Kryekuvendarit nuk deshi t’i komentojë Zëvendëskryeministri Kuçi.

“Unë nuk i komentoj deklaratat e Kryeparlamentarit për shkak të pozicionit që ka dhe për shkak të respektit personal”, tha ai, duke hezituar të përgjigjet nëse dialogu është apo jo vetëm teknik.

Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar vitin e kaluar me insistim e Bashkimi Europian, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, si kusht për integrimet europiane të të dyja shteteve.

Nga nëntë raundet e mbajtura në Bruksel, Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri dhe përfaqësuesi serb, Borsitlav Stefanovic kanë arritur pesë marrëveshje.

E fundit ishte ajo e nënshkruar në shkurt të këtij viti, për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, për të cilën pala kosovare mori një varg kritikash nga opozita.

Ndërkohë, pikërisht për shkak të koncesioneve të arritura me Serbinë në Bruksel, disa deputetë opozitarë edhe gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar dorëheqjen e Qeverisë.

Reagimet e partive politike vijnë pas një deklarate të komandantit të KFOR’it në Kosovë, Erhard Drews, i cili sikurse zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë, kishte thënë për Radio Evropën e Lirë se për Veriun nevojitet vetëm një zgjidhje politike.

Deputeti i Partisë Demokratike, Nait Hasani thuhet t’i ketë thënë shefit të tij, Hashim Thaçit, se bisedimet politike për Veriun do të ndiznin edhe një herë luftën në Kosovë.

“Deklaratat e KFOR’it dhe të EULEX’it janë mjerane. Edhe deklaratat e Robert Cooperit po tregojnë se ne nuk kemi pasur asnjëherë bisedime teknike me Serbinë. Kjo tregon që ne nuk kemi pasur një pavarësi të mirëfilltë. Ne kemi pasur një pavarësi jo të kontrolluar, por të shkatërruar. Ne kemi pasur vetëm kënaqjen e epsheve të disa njerëzve. Ata që mendojnë se me bisedime politike mund të zgjidhin çështjen e Veriut, gabojnë dhe ndezin edhe një luftë në Kosovë”, ka thënë Hasani.

E, kolegia e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Teuta Sahatçiu, është shprehur e bindur se ekzekutivi do të bisedojë edhe për Veriun duke vazhduar të bëjë pazare në dëm të sovranitetit të Kosovës me Serbinë.

“Fatkeqësisht, pas fusnotës, Qeveria tani po hyn në bisedime për Veriun, duke dhënë një pas një koncesione dhe duke rrezikuar edhe sovranitetin e shtetit”, ka thënë Sahatçiu.

Por, për të evituar krejt situatat e pakëndshëm për Kosovën, një zgjidhje e ka dhënë deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu duke rikërkuar që bisedimet me Serbinë të ndërpriten. “Nuk mund të flitet për Veriun parcialisht tash ngase kjo është pjesë e një zinxhiri të madh negociatash, të cilat kanë prurë deri këtu. Ne vazhdojmë të kërkojmë atë që është opsioni i vetëm, ndërprerjen e negociatave dhe duhet të hidhen poshtë të gjitha marrëveshjet që janë bërë në negociatat e deritashme”, ka thënë Aliu.

Veriu ende vazhdon të jetë një çështje problematike, si për përfaqësuesit ndërkombëtarë, ashtu edhe për vendorët në Kosovë. Ndërsa, veprimi i vetëm i Qeverisë në lidhje me këtë çështje mbetet ndërhyrja e Njësisë Speciale “ROSU”, më 25 korrik të vitit të kaluar. Në aksionin për rimarrjen e pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjakë, të cilat në 2008 u dogjën nga serbët e Veriut, u vra polici Enver Zymberi, ndërsa situata pas kësaj rezultoi me barrikada nga ana e serbëve të Veriut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›