E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimi: Bomba u vu në servis apo lavazh

VRASJA E KREUT TË PDK-së


Policia dyshon se mina që vrau Kekën, mund të jetë instaluar në ndonjë servis, lavazh, ose kur mjeti mund të jetë lënë i hapur


Ekspertët kryen një këqyrje të dytë gjatë dje, ndërsa policia po analizon pistat e ngjarjes. Në ceremoni politikanë e biznesmenë


SHKODËR- Një ditë pas krimit të rëndë të ndodhur në fshatin Grizhë të Malësisë së Madhe, specialistët e hetimit të policisë dhe të prokurorisë, si dhe ekspertët kriminalistë i janë rikthyer vendit të ngjarjes për të kryer një tjetër këqyrje të saj.


Ndërkaq, në lidhje me hetimin mbi rrethanat e krimit të rëndë të ndodhur ndaj kreut të demokristianëve të Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka, specialistët e hetimit janë përqendruar në përcaktimin e vendit të mundshëm ditës dhe vendit se kur dhe ku është instaluar bomba në mjetin e viktimës.


Dyshimet e hetuesve janë orientuar në tri drejtime, atë të vendosjes në ndonjë servis ku mjeti mund t'i jetë nënshtruar ndonjë riparimi të mundshëm, në ndonjë lavazh ku mjeti mund të jetë pastruar.


Ndërkaq, drejtimi i tretë që po verifikojnë hetuesit është mundësia që mjeti të mund të jetë harruar i hapur nga viktima, ndërsa më pas autorët kanë mundur të hyjnë në automjet duke instaluar sasinë e konsiderueshme të afërsisht 500 gramëve lëndë plasëse C4.


Kampione të kësaj lënde janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në laboratorin e saj kriminalistik për të nxjerrë edhe sasinë e saktë, lëndën dhe mjetet e tjera të përdrorura. Sipas ekspertëve, lënda plasëse ishte përgatitur që të shpërthente në mënyrë të telekomanduar me celular.


Për të qenë më të sigurtë në pasojat e shpërthimit të tyre sipas hetuesve, realizuesit kanë instaluar pakon në pjesën e poshtme të sediljes së shoferit, ndryshe nga sa ishte menduar në fillim se ajo mund të ishte vendosur në pjesën e poshtme të shasisë.


Pikërisht vendosja në këtë mënyrë sipas hetuesve, ka bërë që shpërthimi të jetë akoma më i rëndë pasi ai ka shkaktuar nxjerrjen e sediljes ku ndodhej drejtuesi i mjetit, viktima Aleksandër Keka, pjesa e sipërme e kabinës bashkë me mbulesën e saj.


Dyshimet për një parapërgatitje në një formë të tillë sipas hetuesve argumentoheshin me faktin se viktima kishte vetëm pak ditë që kishte marrë në përdorim, mjetin me të cilin udhëtonte në momentin e ngjarjes. Pikërisht për këtë shkak, hetuesit po mundohen të zbulojnë nëse viktima i ka kryer ndonjë riparim apo lavazh mjetit të tij.


Ndërkaq, ekspertët dje në vendin e ngjarjes janë munduar të kryejnë një rindërtim të saj, ndërsa ekspertët kanë kërkuar në vendin e ngjarjes dhe në zonën për rreth sende të tjera të mundshme që mund të ndihmonin ata në gjetjen e elementëve të rëndësishëm në interes të hetimit.


Lidhur me hetimet, mësohet se pranë prokurorisë së Shkodrës është ngritur një grup pune me specialistë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, antiterrori dhe drejtori i Krimeve të Rënda në drejtorinë e përgjithshme të policisë, Nikolin Bala.


Janë shoqëruar deri tani 20 persona të cilët janë pyetur pasi kanë patur kontakte me viktimën në 24 orët e fundut të jetës së tij. Po shqyrtohen të gjitha pistat dhe aktualisht nuk është përjashtuar asnjë pistë. Mësohet se po shqyrtohen të gjitha lidhjet dhe aktivitetet e të ndjerit, dhe hetimet janë shtrirë dhe përtej kufirit.


Ceremonia e Varrimit:
Marrin pjesë personalitete të biznesit dhe politikës


SHKODËR- Pasditen e së premtes është bërë përcjellja për në banesën e fundit e kryetarit të demokristianëve të Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka, i vrarë një ditë më parë në afërsi të fshatit Grizhë.


Ai do të prehet në varrezat e Pjetërshanit në komunën e Kastratit në rrethin e Malësisë së Madhe, vetëm rreth 200 m larg shtëpisë së tij. Kortezhi i përmotshëm e ka bërë në këmbë rrugën për tek varrezat në të majtë të kishës së fshatit, ndërsa ka patur një numër të madh personash, jo vetëm nga Malësia e Madhe por dhe nga Shkodra që kanë qenë të paranishëm në këtë ceremoni mortore.


Nuk kanë munguar as figurat politike si Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Frrok Gjini, Gilman Bakalli etj të Polit të Lirisë, por dhe Astrit Bushati, Ramiz Çobaj, Gjokë Uldedaj të PD, si dhe Tom Doshi i PS.


Në ceremoni kanë qenë politikanë të Malësisë së Madhe pavarësisht bindejeve poltike. Kortezhi i prirë nga kurorat dhe fotografia e të ndjerit është shoqëruar nga shumë njerëz. Në prononcimin e tyre për mediat, poltikanët Dashamir Shehi, Astrit Bushati dhe Paulin Sterkaj janë shprehur se :


Dashamir Shehi: U përgjak fushata


"Kjo është një ditë e rëndë për familjen, Malësinë e Madhe, Shkodrën e Shqipërinë. U përgjak e gjithë fushata dhe kjo i jep një shije të keqe. Kemi shpresuar gjithmonë që sa herë kemi zgjedhje të mos ndodhin këto, por duket se klima që prodhon politika në Shqipëri të çon këtu.


Kjo vdekje dhe kjo vrasje, në mos qoftë politike, dhe unë uroj të mos jetë e tillë, prapë është derivat i një dialogu politik që tek njerëzit poshtë, tek krimi që i ngre veshët sa herë mungon shteti dhe ka arrogancë nga ana e tij, sigurisht që do të prodhojë të tilla ngjarje,- tha Dashamir Shehi, gjatë deklaratës së tij.


Ndërkaq, më tej ai shtoi se ata që hipin në tribuna e mbajnë fjalime, të kenë parasysh se ata njerëz që janë poshtë nuk i kanë të gjithë duart e pastra dhe mendjen të kthjellët.


Duhet që këta njerëz të japin vetë të parët mesazhin e paqes, mirëkuptimit, bashkëpunimit, qetësisë, aq më tepër në një zonë tipike kristiane dhe aq më tepër ata që flasin dhe hiqen si kristianë, duhet ta dinë se kjo nuk është gjuha as e krishtit, as e shejtorëve të tjerë, as e fesë.


Sipas Shehit, kjo ngjarje i duhet lënë kohës për të gjetur motivin e vrasjes, por se të dhënat janë që ky ishte një personazh me dimension politik në Malësinë e Madhe. "Mendoj se sigurisht në qoftë se zonja Topalli do të vazhdojë me këtë gjuhë, atëherë gjuha e saj do të prodhojë dhe viktima të tjera",- shtoi Shehi.

--------------------------------------------------------------------------

Astrit Bushati: Mbështesim hetimin e ngjarjes


"Ne kemi qenë që mbrëmë pranë familjes së të ndjerit, natyrisht që kemi patur dhe njohje personale me të dhe i shprehim ngushëllime familjes së tij, në emër të PD dega Shkodër. Kemi mbështetur deklaratën e PD në qendër që kërkon zbardhjen e ngjarjes, do të mbështesin çdo iniciativë nga organet e hetimit, prokuroria,- tha deputeti i PD-së Bushati.


Më tej ai tha se kjo është një ngjarje e dhimbshme që ndodhi në një fushatë zgjedhjesh. "Ne mbështesim deklaratën e PD në qendër, ndërsa lidhur me deklaratat e forcave të tjera politike dhe atyre konkurruese me ne në këtë fushatë elektorale, nuk kam shumë komente pasi sot është një ditë varrimi dhe nuk ia vlen të përmendet,- përfundoi ai.



Paulin Sterkaj: Ngjarja nuk ka lidhje me PD-në


"Absolutisht që kjo, nuk ka lidhje me PD, pasi çdo gjë ka qenë shpifje dhe njerëzit e dimë më mirë se të gjithë se gjithçka ka qenë shpifje. Ne jemi të gjithë banorë të kësaj zone dhe e njohim njëri tjetrin më shumë se kushdo. Ato deklarata i kanë bërë keq vetëm atyre që i kanë thënë.


Për akuzat që kanë bërë ndaj meje do të përgjigjen në prokurori. Ata që kanë deklaruar një ditë më parë kanë bërë shpifje publike dhe me ta do të merret drejtësia. Ne jemi këtu për këtë tragjedi. Aleksi ka qenë një mik shumë i mirë i imi. Ka qenë një ndër miqtë e mi që më ka mbështetur shumë në zgjedhjet e 2005.


Në mënyrë absolute që do të ishte dhe në zgjedhjet e 2009, pavarësisht se ai ishte në një pozicion politik. Më vjen keq, është një rast i rëndë për familjen e tij, për ne që kemi humbur mikun, shokun.


Kjo më bën që të rris miqësinë me familjen e tij, të rris kujdesin sado që të jetë nevoja. Problemet e hetimit janë çështje të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të policisë. Unë do t'i kërkoj prokurorisë që të bëjë punën e saj dhe të zbardhë ngjarjen"

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›