Berisha në Gjirokastër ndalohen media të bëjë foto
GJIROKASTËR- Kryeministri i vendit njëherazi kryetar i Partisë Demokratike është ndalur në jug të vendit, në kuadër të asaj që e ka cilësuar si rilidhje të kontratës me shqiptarët për vazhdimin e rrugës së ndryshimit të Shqipërisë.
Ndërsa ka theksuar një pjesë të arritjeve të qeverisjes demokratike, kryeministri ka deklaruar rritje të mëtejshme të rrogave dhe pensioneve në nivele më të larta se vende të Bashkimit Europian si dhe Shqipërinë europiane brenda vitit të parë të madatit të ardhshëm qeverisës. "Takohemi sot si qytetarë të një vendi, anëtarë të aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur, pas një përpjekje të madhe 4-vjeçare në të cilën ne lartësuam emrin e Shqipërisë.
Gjirokastra europiane dhe Shqipëria europiane për mua dhe për ju do të thotë të kemi rrugë të standarteve europiane, ndaj dhe ju jap fjalën ju se boshti i jugut është projekti i të gjitha projekteve të mandatit që vjen, çka do të shkurtojë distancat. Shqipëria europiane do të thotë se do shpërblehet me pensione më të mëdha se pensionet e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Europian, me rroga të mëdha se rrogat e gjashtë vendeve europiane. Ju zotohem se projektet më gjigande që Shqipëria ka njohur do të zbatohen gjatë katër viteve të ardhshme", është shprehur kryeministri Berisha.
Ndryshe nga çdo takim tjetër elektoral në Gjirokastër, kreu i qeverisë dhe Partisë Demokratike nuk e ka përmendur për asnjë moment opozitën apo liderin e saj, por nuk ka ngurruar t'u bëjë thirrje socialistëve gjirokastritë, banorëve të minoritetit si dhe emigrantëve që të japin votën për numrin 10 në fletën e votimit. "Një thirrje vëllazërore unë dua t'u drejtoj sot socialistëve të Gjirokastrës, le të bashkohemi në ëndrrën tonë europiane, sepse për mua, për të gjithë shqiptarët ky është projekti më i mirë, ky është projekti më madhështor.
Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të minoritetit të votojnë Partinë Demokratike. I garantoj se investimet e katër viteve që vijnë do të jenë së paku 15 herë më të mëdha se të katër viteve që shkuan dhe ju jap ju fjalën se nuk do të jetë e largët dita kur bijtë tuaj, bijtë e Gjirokastrës, të mbarë Shqipërisë që jetojnë në vende të tjera, do vijnë në Shqipëri të punojnë në shtëpinë e tyre.
Në emrin tuaj do t'u drejtoj një thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo që janë, për t'u shprehur mirënjohjen më të thellë, por dua t'u them se jeni qytetarë të një vendi anëtar i NATO-s dhe së shpejti do lëvizni të lirë në gjithë Europën, ndaj ju bëj thirrje, ejani në 28 qershor të kontribuoni për një Shqipëri europiane", ka deklaruar më tej shefi i qeverisë.
Ndërkaq, ekskluziviteti i kompanisë që ka marrë përsipër menaxhimin e turit elektoral, ka ndaluar çdo lloj filmimi apo fotografimi gjatë këtij mitingu. Më herët kryeministri Berisha ishte ndalur në qytetet e Përmetit dhe Tepelenës, në të tjera takime elektorale.