Zgjedhjet e 28 Qershorit, dështon debati Rama-Berisha
Dy liderët kryesorë në vend kanë refuzuar edhe iniciativën e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë për të realizuar një përballje mes tyre, pavarësisht se fillimisht e mbështeten formatin e propozuar
TIRANË- Zgjedhjet e afërme të 28 Qershorit nuk do të shoqërohen me debat publik mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, edhe pse në daljet publike, të dy janë shprehur parimisht dakord.
Një debat të tillë nuk ka mundur ta realizojë as Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë, edhe pse kjo organizatë biznesi synonte që të sillte standardet amerikane të debatit publik edhe në fushatën elektorale.
Në revistën "Advantage", një publikim i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Presidenti Filip Bay shkruan se një debat publik ballë për ballë dhe përpara publikut të gjerë, dëshmon për një standard demokratik, të cilin meriton një vend anëtar i NATO-s si Shqipëria, e cila aspiron të bëhet edhe pjesë e Bashkimit Evropian.
"Dy liderët kryesore kanë pranuar në parim ftesën, dhe nuk kanë hezituar t'i thonë "Po" Dhomës Amerikane, dhe kanë shprehur konsideratat e tyre pozitive për formatin e propozuar.
Por, fatkeqësisht, dy liderët e politikës kanë anashkaluar një detaj të hollësishëm, atë të përcaktimit të datës së debatit para zgjedhjeve",- shkruan Bay. Ftesa zyrtare drejtuar Berishës dhe Ramës, ditët e para të muajit maj, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, kishte për qellim të ftonte dy liderët kryesorë në vend në një forum biznesi, sipas një formati evropian komunikimi, që shmangte konfliktet.
Ky nuk është refuzimi i parë i dy liderëve për një debat publik të hapur. Ideja e zhvillimit të një debati mes tyre, përveç Dhomës Amerikane të Tregtisë, lindi edhe nga disa media televizive, drejtuesit e të cilave u angazhuan mjaft për të sjellë në një studio, dy liderët kryesore në vend.
Por, për arsye që ende nuk dihen zyrtarisht edhe pse gjithnjë shprehen parimisht dakord, Rama dhe Berisha ka shumë pak gjasa që të shfrytëzojnë ditët e fundit të fushatës për të përcjellë një debat ballë për ballë mbi programet e partive të tyre dhe alternativën, që ata kanë për një mandat katër vjeçar qeverisës.
Pak kohë më parë, në një emision televiziv, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ishte i gatshëm, që të debatonte me Ramën. Edhe lideri socialist, nga ana e tij, gjatë një komunikimi më gazetarët u shpreh se debati me Kryeministrin Sali Berisha nuk përbënte asnjë problem për të.
---------------------------------------------------------------------------------------------
PS: Berisha përuroi maternitetin bosh
DURRËS-Partia Socialiste në Durrës ka denoncuar përurimin e rifunksionimit të maternitetit të Durrësit, 5 ditë më parë nga Kryeministri, duke e cilësuar këtë si spekulim të pastër për nevojat politike të fushatës elektorale.
Sipas një deklarate zyrtare, PS e
ka cilësuar këtë përurim shfaqje të turpshme elektorale. "Në këtë mënyrë Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka kryer shfaqjen e tij të turpshme elektorale, duke përuruar një maternitet, i cili nuk është gati, por edhe ashtu si është ndërtuar në ambientet e brendshme është problematik dhe aspak funksional.
Në dëshpërim e sipër Kryeministri Berisha përuron çdo gjë që i del, por pa mundur t'u hedhë hi syve, shqiptarëve që vuajnë në kurriz dëmet e mëdha që i ka sjellë vendit ky kryeministër dhe qeveria e tij",- thuhet në deklaratën e Partisë Socialiste, Durrës.
PS është ndalur edhe në përqendrimin e konsultorit tek e njëjta ndërtesë. Zyrtarë të lartë të kësaj partie janë shprehur se në spitalin e lindjes është sjellë konsultori i nënës dhe i fëmijës, duke i centralizuar këto shërbime në mënyrë të skajshme.
Konsultoret e nënës dhe të fëmijës duhet të jenë të shpërndara në qytet për të kryer shërbimin në dobi të nënës dhe të fëmijës sa më mirë.