Dyshimi për helmimin e kursantëve të Akademisë së Sigurisë, Salla: Kemi marrë masat për izolimin e ambienteve

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi sot se institucionet kanë marrë masat e nevojshme pas rastit të helmimit të rreth 60 kursantëve të Akademisë së Sigurisë, ndërsa priten rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovë, Armend Muja, ministri Salla bëri të ditur se ambientet e Akademisë janë izoluar, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
“Kemi marrë të gjitha masat për të izoluar dhe bllokuar ambientet në Akademi. Çështja po ndiqet nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese për të vënë para drejtësisë përgjegjësit”, u shpreh Salla.
“Në helmimin e parë nuk kemi pasur helmim prej ushqimeve, por prej higjienës dhe këtë e kanë treguar analizat. Do të presim analizat e sotme për të vërtetuar nga vjen shkaku dhe ku është problematika që duhet parandaluar nëpërmjet AKU-së”, deklaroi ai.
Rasti i fundit është i dyti në më pak se dy muaj në Akademinë e Sigurisë në Sauk, ku rreth 60 kursantë shfaqën simptoma të helmimit. Autoritetet kanë nisur hetimet dhe po presin rezultatet laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes.
/e.xh/a.f/r.e/