E Diel, 1 Nëntor 2026

Muja: Shqipëria dhe Kosova drejt tregut të integruar agroushqimor

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Forcimi i bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, shkëmbimi i eksperiencave dhe lehtësimi i tregtisë agroushqimore mes Shqipërisë dhe Kosovës ishin në fokus të konferencës së përbashkët për shtyp ditën e sotme, pas nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja, vlerësuan marrëveshjet si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ekonomik.

Ministri kosovar, Armend Muja u shpreh se marrëveshjet prekin fusha strategjike si promovimi i produkteve agroushqimore dhe transferimi i teknologjisë dhe inovacionit, duke mundësuar shkëmbimin e njohurive mes fermerëve të dy vendeve.

“Dy marrëveshjet e nënshkruara sot prekin disa shtylla të rëndësishme që lidhen me promovimin e produkteve agroushqimore të dy vendeve tona dhe transferimin e teknologjive dhe inovacionit, na mundëson përfitimin dhe shkëmbimin e njohurive mes fermerëve të dy vendeve tona”, tha Muja.

Ai theksoi gjithashtu se Kosova do të vërë në dispozicion të Shqipërisë përvojën dhe studimet në fushën e prodhimit të verës, ndërsa do të përfitojë nga ekspertiza shqiptare në prodhimin bimor dhe në fushën e farërave, me synim rritjen e rendimentit bujqësor.

Sipas tij, një tjetër prioritet është forcimi i sigurisë ushqimore dhe heqja e barrierave administrative që pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave, si dhe digjitalizimi i proceseve të kontrollit.

Muja theksoi se Shqipëria mbetet partneri kryesor tregtar i Kosovës në rajon për produktet agroushqimore, ndërsa eksportet kosovare drejt Shqipërisë janë në rritje të vazhdueshme.

Synimi i përbashkët, sipas tij, është krijimi i një tregu më të integruar dhe funksional mes dy vendeve, në funksion të zhvillimit të sektorit bujqësor dhe garantimit të produkteve të sigurta për konsumatorët.

“Kemi diskutuar edhe për forcimin e sigurisë ushqimore, ku po rishikojmë të gjitha barrierat e mundshme administrative që pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave mes dy vendeve. Të digjitalizohet i gjithë procesi i kontrollit dhe të hiqen të gjitha pengesat mes nesh. Eksportet tona drejt Shqipërisë janë dyfishuar që prej vitit 2021, ndërsa 1/3 e eksporteve tona e zënë prodhimet bujqësore. Shqipëria është partneri ynë kryesor tregtar në rajon në importin e produkteve agroushqimore dhe objektivi jonë është që të krijohet një treg i integruar agroushqimor me interes të përbashkët drejt BE-së dhe me prodhime të sigurta për konsumatorët”, deklaroi ai.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›