E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE nuk përkrah planet e palestinezëve për shtet

BE-ja ka refuzuar sot kërkesën që të mbështetë planin e palestinezëve për të siguruar njohjen për shtetin e tyre të pavarur, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pa pëlqimin e Izraelit.

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, vendi i së cilit e kryeson presidencën e radhës të BE-së, tha para gazetarëve se ende nuk janë pjekur kushtet për ndërmarrjen e një hapi të tillë.

Shpresoj se do të jemi në situatë që të njohim shtetin e Palestinës, por së pari duhet të krijohet një shtet i këtillë, prandaj mendoj se është ky një hap i ngutshëm, tha Bildt.

Ministrat e Jashtëm të BE-së dje kanë diskutuar për koordinimin e aksioneve me SHBA-në, për të bindur palestinezët dhe Izraelin që të kthehen në tavolinën e negociatave, tha Komisionerja e BE-së për marrëdhënie me jashtë, Benita-Ferrero Waldner.

Gjëja më e rëndësishme tani është që të ndihmojmë amerikanët në përpjekjet për të kthyer dy palët në tavolinë, tha ajo.

Bildt theksoi se e kupton se pse palestinezët po sugjerojnë ndërmarrjen e një hapi të tillë, për ti dhënë fund bllokadës aktuale.

Është ky qartazi një veprim, i cili ka dalë në sipërfaqe si pasojë e situatës së vështirë, nga e cila ata nuk shohin ndonjë rrugëdalje dhe unë e kuptoj këtë, tha Bildt.

Shefi i BE-së për politikë të jashtme, Havier Solana, theksoi se ndërmarrja e hapave, për krijimin e shtetit të qëndrueshëm të Palestinës, duhet të bëhet me qetësi dhe në momentin më të përshtatshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›