E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarkozy kërkon rifillimin e negociatave për Lindjen e Mesme

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, tërhoqi vërejtjen për forcimin e ndjenjave ekstremiste, nëse së shpejti nuk fillojnë negociatat paqësore për Lindjen e Mesme, vërejtje kjo të cilën e bëri në momentin kur u nis për vizitë zyrtare në Riad, ku do të takohet me mbretin e Arabisë Saudite, Abdullahun.

Prioritet i yni është që procesi paqësor të rifillojë sa më shpejtë që është e mundur, tha Sarkozy në intervistën dhënë gazetës saudite, Al Rijad.

Është kjo një çështje urgjente, ngase bllokada aktuale shkon në favor të ekstremistëve dhe me kalimin e çdo dite, gjasat për paqe po zbehen, shtoi ai.

Sarkozy zbarkoi sot në Rijad, për të kaluar natën në rezidencën e mbretit Abdullah, me të cilin do të bisedojë për situatën në Lindjen e Mesme.

Sauditët janë të frustruar për shkak të mungesës së përparimit në përpjekjet për të ringjallur procesin paqësor mes Izraelit dhe palestinezëve. Sarkozy kohëve të fundit ka shtuar angazhimin e tij në Lindjen e Mesme, me takimet që ka pasur gjatë tetë ditëve të kaluara me udhëheqësit e Irakut, Izraelit dhe Sirisë.

Përveç situatës në Lindjen e Mesme, Sarkozy dhe Abdullah pritet të diskutojnë edhe për shitjen e armatimit francez Arabisë Saudite.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›