E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshohet se 3 të kërkuarit fshihen në Shqipëri

24/07/2009  Vrasësit e Ilir Krypit

ITALI- Policia italiane ka arritur të identifikojë tre vrasësit e shqiptarit Ilir Krypi. Sipas agjencive të lajmeve italiane, ekzekutorët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, janë shqiptarë dhe aktualisht nuk dihet asnjë informacion mbi vendndodhjen e tyre. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shqiptarët nuk ndodhen më në Xhenova. Për arrestimin e tyre policia italiane ka ndërmarrë një operacion të gjerë, pasi dyshohet se ekzekutorët mund të jenë larguar në qytete të tjera të shtetit fqinj. Ndërkohë që në të njëjtën kohë karabinierët kanë ngritur dyshime se të kërkuarit mund të jenë strehuar në Shqipëri, çka do të sillte vështirësimin e punës për arrestimin e tyre. Dje prokurori Biagio Mazzeo ka kërkuar rezultatet e autopsisë së 42-vjeçarit shqiptar dhe marrjen sërish në pyetje të vajzës rumune, e cila është e vetmja dëshmitare e ngjarjes. Shqiptari Ilir Krypi, i cili u ekzekutua të dielën në darkë në mënyrë mafioze, është vrarë, pasi tentoi që të shpëtonte një vajzë rumune nga shfrytëzimi për prostitucion. Policia italiane bëri të ditur se Krypi është ekzekutuar nga pesë shqiptarë, tutorët e vajzës rumune, dy prej të cilëve janë arrestuar. Ata janë Endri Bajra dhe Alfred Mara, ndërsa nuk është bërë i ditur identiteti i tre të dyshuarve të tjerë, të cilët tashmë janë shpallur në kërkim. Ilir Krypi e kishte njohur pak ditë më parë vajzën rumune. Megjithëse mes tyre nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie sentimentale, 42-vjeçari kishte pranuar që ta ndihmonte vajzën rumune, me qëllim shpëtimin e saj nga shfrytëzuesit shqiptarë. Por, pavarësisht qëllimit të tij të mirë, Krypi nuk ka arritur dot që ta shpëtojë nga shfrytëzimi vajzën e re rumune, pasi shqiptarët që e kanë pasur nën mbikëqyrje kanë zbuluar planin e tij dhe e kanë ekzekutuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›