E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Sulme të paprincipta ndaj institucioneve të pavarura

24/07/2009  Demokratët reagojnë ndaj qëndrimit të kreut të PS-së Edi Rama

Nënkryetari i PD-së thotë se po tentohet të shmanget përgjegjësia e humbjes

Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili tha se Kolegji Zgjedhor nuk u shpëtoi presioneve të pushtetit. Nënkryetari demokrat Astrit Patozi tha dje se forca politike që përfaqëson dënon me forcë sulmet e paprincipta të kreut të PS-së mbi Kolegjin Zgjedhor. Ai tha se deklaratat e kryesocialistit Rama janë një formë e pastër presioni mbi institucionet e pavarura të shtetit për të ndryshuar me dhunë rezultatin e zgjedhjeve. “Këto sulme dhe presione, që kanë nisur ditë më parë duke pasur në shënjestër fillimisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të cilin vetë partia e Ramës ka votuar me konsensus të plotë në Parlament, nuk kanë asgjë të përbashkët me konceptin europian dhe perëndimor të respektimit të shtetit ligjor”, - ka deklaruar nënkryetari i PD-së. Patozi tha se PD-ja do ta priste me kënaqësi çdo vendim për rinumërim të institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri, pasi ka bindjen absolute se një gjë e tillë veçse mund t’i shtonte vota rezultatit të saj fitues në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Nga ana tjetër, zyrtari i lartë demokrat tha se PD-ja është e vendosur të respektojë ligjin dhe çdo vendim të bazuar në Kodin Zgjedhor, si dhe sovranitetin e pacenueshëm të Kolegjit Zgjedhor dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “PD-ja fton zotin Rama dhe PS-në që të heqin dorë nga sulmet dhe presioni mbi sistemin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, duke pranuar me qetësi dhe në mënyrë të qytetëruar vendimet e tyre të bazuara në ligjet e vendit. Çdo përpjekje për të akuzuar dhe sulmuar gjithkënd pas rezultatit të qartë të këtyre zgjedhjeve, nuk është gjë tjetër veçse një tentativë e dëshpëruar e Ramës për të shmangur dhe fshehur përgjegjësinë e humbjes”, - deklaroi nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi.

“PD-ja fton zotin Rama dhe PS-në që të heqin dorë nga sulmet dhe presioni mbi sistemin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, duke pranuar me qetësi dhe në mënyrë të qytetëruar vendimet e tyre të bazuara në ligjet e vendit. Çdo përpjekje për të akuzuar dhe sulmuar gjithkënd pas rezultatit të qartë të këtyre zgjedhjeve, nuk është gjë tjetër veçse një tentativë e dëshpëruar e Ramës për të shmangur dhe fshehur përgjegjësinë e humbjes.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›