E Shtuna Shqiptare e Brukselit
Komuna Skarbek e Brukselit organizoi fundjavën e shkuar evenimente festive, kushtuar Vitit Jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Siç e patëm njoftuar lexuesin ca ditë përpara, me mbështetjen e plotë dhe me përkujdesjen e pakursyer personale të Burgmestrit Bernard Clerfayt, njëherësh deputet i Parlamentit Federal dhe nënkryetar i partisë së djathtë FDF (Federalistë Demokratë Frankofonë), banorët e komunës, belgë ose jo, e përjetuan të shtunën e 22 shtatorit me ngjyrime thellësisht shqiptare. Pa e tepruar, atë ditë do ta quaja E Shtuna Shqiptare e Brukselit.
Veprimtaria u mundësua falë nismëtarëve Prof. Sulejman Gjana, nënkryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit; Prof. Ramadan Gjana, Dekan i Universitetit të Lirë Ndërkombëtar të Brukselit; z. Burim Demiri, një ndër bashkëpunëtorët e afërt të Burgmestrit Clerfayt; si edhe falë administratës komunale. Si rrallë herë në historikun e bashkësisë shqiptare të Belgjikës, festimet u zhvilluan nën emblemën kombëtare, përtej ngjyrimeve politike. Ato mblodhën qindra bashkatdhetarë me banim në Belgjikë, si edhe të ftuar të tjerë nga Kosova, Shqipëria e trojet e tjera etnike.
Në çdo stacion, – le t’i quajmë kështu evenimentet më kryesore të së Shtunës Shqiptare në Bruksel, – ishte i pranishëm mikpritësi, Burgmestri Clerfayt, dhe stafi i tij i ngushtë. Republikën e Shqipërisë e përfaqësoi kudo z. Ilir Tepelena, Ambasador në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut, kurse. Republikën e Kosovës, Dr. Isa Mustafa, Kryetar i Bashkisë së Prishtinës, Ambasadori Ilir Dugolli dhe z. Avni Dervishi, Këshilltar për Bashkëpunim Ndërkombëtar i zëvendëskryeministrit të Kosovës. Nga Prishtina ishte i ftuar edhe Porf. Murat Jashari, si përfaqësues i familjes legjendare të Jasharajve, e cila shkrepi shkëndijën e luftës çlirimtare të Kosovës. Trojet etnike shqiptare të Maqedonisë, i përfaqësoi z. Sadullah Duraku, Kryetari Bashkisë së Likovës.
I pari ndër stacionet e veprimtarive përkujtimore ishte ai te përmendorja e Skënderbeut, fare pranë parkut Zhozafat, ndër më të mëdhenjtë e Brukselit. Z. Clerfayt mbajti një fjalim të shkurtër kushtuar figurës së Heroit tonë Kombëtar. Ai tha se ndihej i nderuar që në njërën prej qendrave kryesore të komunës që administron, ndodhet përmendorja e Fatosit Shqiptar. Në vazhdim, e morën fjalën miqtë e ftuar nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga trojet shqiptare të Maqedonisë. Përkujtimorja u mbyll me vendosjen e një pllake të përkohshme, e cila do të qëndrojë deri në prag të 28 Nëntorit, kur do të rikthehet përmendorja e rigjeneruar.
Prej andej, turma e pjesëmarrësve prej afro 1000 shqiptarësh, belgësh dhe pjesëtarësh të komuniteteve të tjera etnike, lëvizi në anën tjetër të Avenue Ernest Combier, për të përuruar FC - Kosova (Klubi i Futbollit – Kosova), një dhuratë me vlerë të madhe për edukimin dhe për ushtrimin e talenteve sportive të brezit të ri, kryesisht për të rinjtë shqiptarë, por edhe për ata belgë ose të komuniteteve të tjera që jetojnë në komunën e Skarbekut.
Stacioni i tretë ishte Bashkia e Komunës, ku u mbajt Akademia Solemne për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Salla e madhe e ceremonive të martesave mblodhi afro 400 bashkatdhetarë dhe të huaj, ulur ose në këmbë, për mungesë vendesh. Akademinë e hapën Himnet Kombëtare të Belgjikës dhe të Shqipërisë, luajtur me klarinetë nga Fatos Qerimi, shoqëruar nga pianisti Robert Radoja, që të dy mjeshtrit, ardhur nga Tirana enkas për ceremonitë festive.
Pas himneve, Burgmestri Clerfayt përshëndeti gjithë pjesëmarrësit, duke falënderuar njëherësh të ftuarit për angazhimin e tyre në veprimtari. Në mënyrë të veçantë, përshëndeti Princeshën Léa, si përfaqësuese e familjes mbretërore të Belgjikës. Në fjalën e tij të shkurtër, Burgmestri i Skarbekut, mes së tjerash, theksoi se integrimi është një ndër sfidat më të rëndësishme për shqiptarët e diasporës, “sepse mundëson angazhimin në një bashkëjetesë të frytshme midis popullit shqiptar dhe atij belg, veçanërisht falë ruajtjes së kulturës, të vlerave e të virtyteve tradicionale shqiptare”.
Pas fjalës përshëndetëse të mikpritësit, Akademinë Solemne e drejtoi Prof. Sulejman Gjana, cili më së pari lartësoi veprën e dëshmorëve tanë, të cilët “sakrifikuan për të na mundësuar festimet e këtij 100-vjetori”. Ai i ftoi të pranishmit të mbanin një minutë zie në nderim të tyre. Duke përshëndetur pjesëmarrjen e Princeshës Léa, Prof. Gjana tha se prania e Shkëlqesisë së Saj, si përfaqësuese e Familjes Mbretërore, u dha karakter të veçantë veprimtarive në kuadër të 100–vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Pas tij, e morën fjalën me radhë zotërinjtë: Dr. Isa Mustafa, Avni Dervishi, Sadullah Duraku, Murat Jashari etj.
Z. Michel Deherde, Ministër në Qeverinë Komunale të Skarbekut, tha se, kur ishte nxënës, kishte pasur një shok shqiptar, i cili u dëftonte belgëve për vendlindjen. “Ne nuk dinim asgjë për Shqipërinë, theksoi ai. Shoku ynë na tregonte sesi shqiptarët kishin luftuar kundër pushtimit fashist, por, pas lufte, vendi nuk e fitoi lirinë e vërtetë, pasi u sundua nga regjimi komunist”.
Në Akademinë Solemne e mori fjalën edhe përfaqësuesja e Familjes Mbretërore, Princesha Léa. Ajo u shpreh me nostalgji për mikpritjen shqiptare, ndërsa pati bërë një vizitë në Shqipëri, në vitin 2010.
Akademia Solemne u mbyll me një pjesë shqiptare, kompozuar për klarinetë e piano, luajtur prej mjeshtërve Qerimi e Radoja.
Në fund, Burgmestri Clerfayt i ftoi pjesëmarrësit në koktejin e organizuar nga Bashkia dhe, njëherësh, të vizitonin një ekspozitë fotografike të fotografit Asllan Krasniqi, me tematikë “Eksod – 1999”.
Që të mbyll këto rreshta kushtuar një ceremonie tepër emocionuese për vlerat e Shqipërisë e të shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë, nuk mund të rri pa i mëshuar edhe njëherë faktit se gjithçka gjatë Së Shtunës Shqiptare në Bruksel, iu përkushtua Çështjes sonë Kombëtare, nën Flamurin tonë Kombëtar, larg sloganeve dhe ngjyrimeve politike, në kuadër të Vitit Jubilar të Njëqindvjetorit të Pavarësisë.