E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Borxhi Publik, përtej kufirit ligjor

Pothuajse çdo ditë nëpër ekranet televizive vazhdon të shfaqet në aktivitete të shumëllojta publike dhe partiake kryeministri i vendit tonë, i cili përpiqet t’u mbushë mendjen jo vetëm shqiptarëve që në shumicën e tyre vuajnë varfërinë tronditëse, por edhe shteteve dhe organizmave të huaja që u detyrohemi borxhe të vazhdueshme në rritje, se qeverisja e tij është për t’u përgëzuar, se ajo shumë shpejt do ta shndërrojë Shqipërinë në një vend të zhvilluar etj, etj. Të gjitha këto, kur edhe përkrahësit e dikurshëm të zjarrtë të kryeministrit shqiptar, tani nuk para u zënë besë dokrrave pa doganë të tij, duke shoqëruar shpesh herë artikulimin e tyre me nënqeshje ironike, apo edhe me rrudhosje të ballit. Sikurse edhe me hezitime gjithnjë e më të forta për të gëlltitur mundësinë e ndodhjes së mrekullive që ofron Sali Berisha.

Dhe megjithatë, ligjërimet e tij euforike nuk kanë të sosur, ndërsa situatat tona ekonomike sa vjen e zymtësohen. Ky është një realitet, të cilin tashmë nuk mund ta kthejnë dot në mirazh as të dhënat e publikuara nga INSTAT - i, që i varur drejtpërdrejt nga ky kryeministër jo rrallë herë është bërë objekt i kritikave të opozitës politike dhe të shoqërisë civile brenda vendit. Ashtu sikurse shifrat e tij janë mohuar konkretisht prej organizmave autoritarë ndërkombëtarë. Këtë dalje kohët e fundit të një institucioni të tillë, mbuluar prej hijesh të gjata mosbesimi, nga orbita e deklaratave të liderit të koalicionit qeverisës e provojnë disa fakte, midis të cilëve mund të përmendim, për shembull, diskordancën rreth treguesit të papunësisë në vend. Kështu, kryeministri ynë ngado që vete dhe merr pjesë, si në inaugurime lotusesh të veçanta rrugësh nacionale dhe rurale, në mbledhje të Këshillit të Ministrave, në konferenca shtypi, në aktivitete të zhvilluara jashtë shtetit etj. deklaron që në Shqipëri, falë qeverisjes së suksesshme të tij në këtë kohë krize ekonomike globale, papunësia jo vetëm që nuk është rritur, por edhe është ulur, madje në mënyrë progresive. Kurse, po t’u referohesh së paku raportimeve të INSTAT, gjatë tremujorit të parë të këtij viti papunësia është paraqitur në të njëjtin nivel me atë të vitit të kaluar.

Por, ajo që shton edhe më tepër përgjegjësinë e të gjithë aktorëve vendimmarrës të koalicionit qeverisësh të këtij vendi është shkelja në vijimësi e legjislacionit që vetë e kanë hartuar dhe vetë e kanë miratuar. Pra, ku kanë shkuar paratë e përfituara nga privatizimet masive të pasurisë shtetërore e publike që ka ndërmarrë qeveria gjatë disa viteve të fundit. Ndërkohë që varfëria e pjesës më të madhe të popullsisë shtohet në përmasa shqetësuese, askush nga këta aktorë nuk jep përgjigje të plota dhe të sakta. Madje, u mbyllen dyert edhe deputetëve të opozitës për të kontrolluar segmente të veçanta, siç ka ndodhur bie fjala me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me përgjigjet arrogante që ka dhënë titullari i tij. Qëndrime këto që shpërfillin haptazi një parim themelor të shtetit të së drejtës i shprehur qartë edhe në Kushtetutën tonë, për ndarjen dhe kontrollin e ndërsjellë të pushteteve; përkatësisht, për kontrollin e Legjislativit mbi Pushtetin Ekzekutiv.

Po të ishte rasti i mësipërm një ndodhi e veçuar, ndoshta nuk do t’ia vlente as të përmendej në këto radhë. Por, le të mos merremi me të dhe le t’i hedhim një sy të shpejtë, qoftë edhe shkarazi, procesit të tenderimit për privatizimin e ’Albpetrol’ - it. Një proces, ku procedurat ligjore shkelen pa kurrfarë ndrojtje, për t’i hequr shtetit 100 për qind të aksioneve të tij dhe për t’ia dhënë ato 100 për qind një kompanie private, në një mënyrë që shton bindshëm dyshimet për klientelizëm në kurriz të popullit, që duhej ta gëzonte këtë pasuri. Dyshime që bazohen te vlerësimet që po u bëhen ofertave të paraqitura, veçanërisht asaj 850 milionëshe. Garancia bankare që paraqiti kompania ofertuese, fillimisht vetëm në letër, nga një bankë e Çikagos, e cila është renkuar, renditur brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës e 232 – ta, nuk plotësonte kriterin ligjor, sipas të cilit garancitë prej 10 për qind të shumës ofertuese duhej t’u përgjigjeshin depozitave në një prej 50 bankave të njohura si më të fuqishmet në botë. Nëse ky kriter është më së shumti orientues, siç po bëhen përpjekje brenda radhëve të aktorëve të vlerësimit të ofertave për ta justifikuar këtë mangësi, përse u pritën jo më pak se sa pesë ditë që të mbërrinte nga Çikago e materializuar garancia përkatëse dhe të konsiderohej kështu e vlefshme ajo? Më tej, a është e vërtetë që kompania, e cila përflitet çdo ditë e më shumë si e privilegjuar në këtë proces, mund të plotësojë një tjetër kriter ligjor që ka të bëjë me përvojën e ngjeshur në fushën e hidrokarbureve, së paku gjatë pesë viteve të fundit? Të dhënat e deritanishme tregojnë të kundërtën.

Por, ajo që do të jetë akoma më shqetësuese ka të bëjë me kriterin tjetër ligjor, nëse e gjithë shuma e ofruar do të derdhet brenda 30 ditëve që nga firmosja e kontratës, apo do të jepet me këste (sikurse ka ndodhur me privatizimin e ARMO – s), ndonjë prej të cilëve mund të përdoret nga kryeministri për fushatën elektorale të partisë që drejton. Kësaj, ai nuk gjen kohë t’i japë ndonjë formulim, qoftë edhe propagandistik. Përkundrazi, kritikave të ashpra të opozitës dhe të një numri jo të vogël ekspertësh të fushës, më së fundi, në këtë fillim jave, gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të partisë kryesore në pushtet, Berisha iu përgjigj (sipas zakonit) me anatema ndaj kundërshtarëve politikë të tij dhe, gjithashtu, me një përdëllim të dalë nga thellësia e shpirtit për bashkëqytetarët e shkretë, duke thënë se është më mirë të ngremë rrugë e shkolla se sa t’i lëmë hidrokarburet të fjetura në nëntokë, dhe popullin e varfër. Ndërkohë që, jo më larg se java e kaluar, ai e paraqiste përsëri e përsëri Shqipërinë gjatë punimeve të Internacionales së partive të djathta të qendrës, si një vend me të ardhura të mesme dhe të larta. Përpara tij, deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kanë një profil ekonomiko – financiar kanë deklaruar përpara kamerave, se privatizimet e fundit, si ai i ’Albpetrol’ – it dhe i katër HEC – ve të nxjerrë në ankand do të ndikonin sigurisht për të rritur investimet dhe për të amortizuar disi borxhin publik. Sidoqoftë, ata nuk dolën më pas të shpjegojnë përse pritet që të ndryshojë përsëri Ligji për Buxhetin e Shtetit të vitit në vijim dhe arsyen kryesore të këtij ndryshimi që e dikton sidomos ulja e planit të investimeve.

Sa për Borxhin Publik, edhe ai nuk i takon nivelit që propagandohet nga Qeveria. Për t’u ndalur këtu le t’i referohemi përsëri vetëm të dhënave zyrtare, sipas të cilave, Borxhi Publik i Qeverisjes Qendrore në fund të vitit 2011 vlerësohet të ishte 58.75 për qind. Pra, si Borxhi i Brendshëm, ashtu sikurse edhe ai i Jashtmi qëndronin në nivele më të larta në krahasim me fundin e vitit 2010, përkatësisht me rritje prej 0.46 dhe 0.51 pikë përqindje në Raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto. Prirja në rritje e stokut të Borxhit të Jashtëm ndaj PBB vihet re që në fund të vitit 2007, si pasojë e ndjekjes së një politike të financimit nga tregjet e huaja, duke i lënë mundësi ekonomisë shqiptare që të përfitojë nga kreditë në tregun e brendshëm. Se sa ishte ky përfitim në vazhdimësi, këtë e tregojnë më mirë gjendja reale e ekonomisë, rritja me shpejtësi e kredive të këqija dhe ndërkohë rënia e ndjeshme e të gjitha llojeve të kredive nga bankat e nivelit të dytë brenda vendit.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›