E adhuruara Hillary

Në botën fantastike të televizionit në SHBA, sekretarja amerikane e shtetit çdo të diele tani quhet Elaine Barrish Hammond. Ajo ka një bashkëshort jo-besnik, i cili quhet Bud dhe i cili ishte dikur president dhe i cili ndjekë prapa të gjitha femrat.
Ajo deshi të bëhet presidente, por pësoi humbje nga kolegu i saj më i ri partiak. Në shenjë besnikërie, ajo e pranoi funksionin e sekretares së shtetit. Dhe tani vendi mund ta shohë se ajo ishte zgjidhje më e mirë për Shtëpinë e Bardhë: me integritet moral dhe aftësi për të depërtuar.
Është vetëm televizor. Por paralelet me Hillary Clintonin janë të dukshme në seriali televiziv “Political Animals”, serial ky i cili synon të përfitojë nga popullariteti i Clintonit.
Kur Hillary në vitin 1975 vendosi të mbajë mbiemrin e saj të vajzërisë, pas martesës me Billin, ishte kjo ende një gjë mjaft e pazakonshme, para se gjithash në një shtet jugor, si Arkanzasi. Sot Hillary mbështetet nga 65 për qind e amerikanëve dhe është anëtarja më e adhuruar në kabinetin e presidentit Barack Obama.
Në serial, jeta e saj shkon më tutje, por atë që e bën Elainë, vështirë mund të paramendohet se do ta bënte edhe Hillary. Ajo nuk u shkurorëzua nga Billi, edhe pasi që ai e pranoi aferën me Monica Levinskyn.
Por tani, pasi që Hillary ka paralajmëruar se do të largohet nga funksioni i sekretares së shtetit, tani pothuajse gjysma e Amerikës dëshiron ta di se çfarë skenari ka ajo në kokë.
Çfarë synon të bëjë?
Obama mund të përballet me vështirësi gjatë vitit zgjedhor 2012, por duket pak e mundshme kundër-kandidatura e papritur e Hillaryt në Konventën e demokratëve për emërimin e Obamës në shtator, ngase kjo do të ishte vetëvrasje politike, edhe përkundër faktit se adhuruesit e saj nënvizojnë se Hillary do të ishte një presidente më e suksesshme.
Kah mesi i marsit, ajo paralajmëroi se pas skadimit të mandatit do të largohet nga funksioni, me ç’rast mohoi spekulimet se synon të zë vendin e Joe Bidenit si zëvendëspresidente-gjë që do ta bënte kandidate të natyrshme për presidente në vitin 2016. Por ajo mohoi se synon të kandidojë për presidente në vitin 2016, e më pas mohoi edhe spekulimet se mund të kandidohet për funksionin e presidentes të Bankës Botërore.
Clinton tani gëzon një respekt më të madh në radhët e amerikanëve, se sa asnjëherë më parë gjatë dy dekadave të fundit. Dy e treta e amerikanëve kanë vlerësim pozitiv për të. Është kjo një gjë e jashtëzakonshme, e cila nuk mund të arsyetohet me sukseset e politikës së jashtme të SHBA-së.
Është e vërtetë se revolucionet arabe mund të cilësohen si përhapje e lirisë, por gjatë viteve në vijim rrëzimet e diktatorëve fillimisht do të shoqërohen me turbulenca, trazira dhe pasiguri, e mund të ndodhë që në vend të tyre në pushtet të ngritën regjime tjera jodemokratike. Paqja në Lindjen e Mesme nuk është më afër. Rusia ka ngurruar që të “rifreskojë” marrëdhëniet me SHBA-në, ndërsa marrëdhëniet me Kinën janë mjaft të vështira. Irani, Koreja e Veriut dhe Venezuela vazhdojnë me anti-amerikanizmin e tyre.
Marrëdhëniet me aleatët tradicional në Evropën Perëndimore nuk janë më aq të përzemërta, si gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Marrëdhëniet me “evropianët e ri”, si me Poloninë, Çekinë dhe shtetet baltike, janë ftohur.
Edhe përkundër disa dallimeve, Hillary dhe Obama janë një ekip mjaft i mirë. Obama i di aftësitë e saj dhe i lë hapësirë të lirë për të manovruar, për tu angazhuar më shumë për çështjet që i interesojnë asaj, gjatë udhëtimeve të saj të ndryshme nëpër botë. Për të drejtat e femrave, para se gjithash në Afrikë. Për lirinë e internetit, para se gjithash në Kinë. Për të drejtat e njeriut në Birmani.
Elaine, Hillary në serialin televiziv, pyetet nga një gazetare se pse po e mundon edhe më tutje vetën me funksionin që ushtron. “Ngase besoj se mund të bëjë diç për njerëzit”, është përgjigjja. Është ky një rresht, i cili shpjegon mjaft mirë personalitetin e Hillaryt. Intriga, vuajtje personale-të gjitha këto gjëra janë humbje kohe. Ajo dëshiron të mbahet në mend si një njëri, falë punës të së cilit bota është bërë një vend paksa më i mirë.