E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja biometrike

Qytetarët e Kosovës duhet të presin deri në qershor ose më së largu në shtator të këtij viti për t`u pajisur me pasaporta biometrike.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kohë më parë kanë deklaruar se pasaportat biometrike mund të fillojnë të shpërndahen më 15 qershor të këtij viti, por që kjo ka shumë pak gjasa që të realizohet.

Në rast se Kosova mund të përfshihet në “Shengenin e bardhë” këtë vit, njëri nga kushtet është që secili kosovar të ketë pasaportë biometrike.

Ndryshimi i legjislacionit për pasaporta biometrike, procedimi i projektligjit për nënshtrim elektronik në Kuvendin e Kosovës për miratim, pajisja me teknologjinë që është në gjendje t`i lexojë të dhënat që janë të inkorporuara në çip, për policinë kufitare të Kosovës, janë disa nga elementet kryesore që zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë duke punuar në përmbushjen e këtyre kushteve në mënyrë që të fillohet më dhënien e pasaportave biometrike për qytetarët e Kosovës.

“Sipas të gjitha gjasave, kosovarët do të pajisen sivjet me pasaporta biometrike. MPB-ja është duke e koordinuar të gjithë procesin. Ky proces nënkupton ndryshime në infrastrukturën ligjore. Ndërkohë ne jemi duke e avancuar sistemin tonë për pajisje për pasaporta biometrike, do t`i ndërrojmë sivjet, kah mesi i vitit, të gjitha pajisjet nëpër qendra komunale për marrjen e të dhënave biometrike në përputhje me standardet e BE-së”, thotë këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Artan Duraku.

Zyrtarë të MPB-së thonë se që nga viti 2008 kanë filluar përgatitjet për ndërrimin e sistemin në mënyrë që sa më shpejt të fillojnë me dhënien e pasaportave biometrike.
Ende nuk dihet se sa do të kushtojë i gjithë procesi për prodhimin e pasaportave biometrike deri në fazën kur qytetari i Kosovës zyrtarisht mund të pajiset me të.

“Është herët të flitet për koston, sistemi është në reformim e sipër, që nga viti 2008 ne kemi pasur një sistem të trashëguar nga UNMIK-u dhe qasja jonë ka qenë të ndërrohet hap pas hapi. Tash mbetet të kompletohet infrastruktura, siç e quajnë e “çelësit publik”, si dhe porositja e pasaportave me një çip të integruar, kjo do të kushtojë më lirë sesa në shtetet e rajonit”, thotë Artan Duraku.

Vetëm në rast se Qeverisë së Kosovës i kërkohet që të ndërrohen pasaportat nga Komisioni Evropian, atëherë qytetarët e Kosovës janë të detyruar të bëjnë ndërrimin e pasaportave aktualë me ata biometrikë, përndryshe nuk ka asnjë kushtëzim nga MPB-ja që një qytetar të ndërrojë pasaportën aktuale me atë biometrike.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›