E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e 8 marsit

Autorja e cila njihet me tema të cilat në mënyrën e saj ndihmojnë dhe janë dhuratë për gruan, e cila ndoshta nuk gëzon te drejtat e saj, Seadete Beqiri, edhe këtë 8 mars kishte një dhuratë për gruan. Këtë herë, bashkë me regjisoren Burbuqe Berisha, dhanë premierën e shfaqjes “E kaluara takon të ardhmen”, të dielën mbrëma në teatrin “Oda”.

Nëpërmjet penës apo inskenimit pikërisht në këtë datë, autorja dhe regjisorja e shfaqjes synojnë që në këtë mënyrë të ndihmojnë në vetëdijesimin e shoqërisë, që t’ju afrojnë ndihmë grave të cilat kanë nevojë.

“Qëllimi kryesor i kësaj shfaqje ka qenë që të paraqesim format e dhunës ndaj gruas, sensibilizimi i shoqërisë ndaj dhunës, e cila ushtrohet ndaj gruas dhe ndoshta ngritja e vetëdijesimit të shoqërisë në përgjithësi tu ofrojmë ndihmë grave të cilat kanë nevojë, nuk mendoj se duhet vetëm të mbështetemi në institucione shtetërore, por ne si shoqëri duhet të vetëdijesohemi që këto raste që kanë nevojë për ndihmë, të mundohemi që ti inkuadrojmë në jetë dhe në shoqërinë në përgjithësi”, shprehet Seadete Beqiri, autorja e shfaqjes.

Janë shtatë personazhe femra, të cilat shpalosin jetët e tyre, problemet, në një vend “në strehimore”. Katër gra shqiptare, një serbe dhe dy gra rome ishin ato të cilat autorja dhe regjisorja e dramës i personifikojnë me aktoret kosovare, Arbresha Grabovci-Nixha, Anisa Ismaili, Sheqerie Buqaj, Shengyl Ismaili, Vjoca Shala, Aurita Agushi, dhe Vjosa Abazi janë gratë që bashkëjetojnë dhe bashkëndjejnë problemet e njëra tjetrës.

Disa nga roleve, sipas Beqirit, janë ndoshta vetëm inspirim ndërsa për rolet e dy grave Rome thotë se nuk janë të rastësishme. “Janë dy gra rome me qëllim, kam dashur ta paraqes jetën në kampin “Osterode” edhe të “Roma Mahallës”.

Roli i njërës Rome, Shukit të cilën e luajti Vjosa Shala ishte ideja që nëpërmjet komikes të jepet tragjikja apo fati i keq. “E kam prit shumë mirë rolin që më është dhënë, sepse ka qenë shumë sfidues. Arsyeja pse jam ndjerë mirë kanë qenë elementet të cilat i ka pasur personazhi im Shuki, elemente të cilat ndoshta femrat tjera nuk i kanë. Kam pasur një luks më të madh sa i përket batutave”, tha Vjosa Shala njëra nga aktoret e shfaqjes.

Jo pak sfidues ishte roli i Mirës, një grua e minoritetit serb, të cilën nuk e ndal asnjë problem për t’i kushtuar vetës rëndësinë e duhur, një grua e bukur, elegante me problemet e saja, të cilësuara të thjeshta nga grat tjera të strehimores. “Jam gëzuar në një mënyrë për rolin tim, por ndoshta edhe kam menduar se mund të gjykohem nga publiku, është një lloj sfide për një aktor të pranoj kësi lloj rolesh”, tha Anisa Ismaili.

Mira ka problemin e vet edhe pse ne krahasim me grat tjerat kjo ndoshta ka problemin më të but por prapë se prapë është problem, “edhe pse nuk kishte dhunë fizike mjaftonte dhuna psikike për Mirën”, shprehet Anisa Ismaili.

Mesazhi ishte i qartë. “T’i ndihmojmë këto gra, t’i ndihmojmë këto qendra, sepse ka shumë qendra të tilla të cilat në to jetojnë viktimat e formave të ndryshme të dhunës, ekonomike të dhunës, familjare , abuzimi ndaj gruas, të luftës së fundit, etj.”, thotë Autorja Beqiri.

Për një temë dhe problem të llojit të tillë nuk mungoi përkrahja, derisa autorja falënderon ekipin dhe regjisoren për punën e pa lodhshme ajo falënderon teatrin “Oda” i cila e ka mundësuar realizimin e shfaqjes në skenën e tij , “Kadin” dhe drejtoreshën Albertina Binaku e cila ka gjetur fondet nga Kfosi, Mbretërisë Norvegjeze, dhe Zyrën për Minoritete pran Kryeministrisë.

“E kaluara takon të ardhmen” do të jetë në repertorin e Odës me pesë repriza, në ditët në vijim. Shfaqja do të jepet edhe në qendra tjera të Kosovës, në Mitrovicë, Prizren, Gjakovë, Pejë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›