E Shtunë, 31 Tetor 2026

I bien pishman

Edhe pse ishin këmbëngulës dhe kategorikisht kundër shtyrjes tjetër eventuale të kampionatit, zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) janë bërë pishman.

Keqësimi i motit ka bërë që Komisioni i Garave (KG) ta shtyjë për herë të dytë fillimin e sezonit pranveror për fundjavën që vjen, më 14 mars, derisa kjo ishte paraparë të ndodhë këtë të mërkurë.

“Komisioni i Garave i FFK-së, me sugjerim të Këshillit për Çështje Urgjente të FFK-së, për shkak të motit të ligë që po mbretëron në vendin tonë, ka vendosur që fillimin e stinorit pranveror në Raiffeisen Superligë ta shtyjë për 14 mars (e diel) e jo siç ishte paraparë më 10 mars 2010. Ndeshjet do të fillojnë në orën 14:00 me persona të njëjtë zyrtarë”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga shtëpia e futbollit kosovar.

Sezoni pranveror ishte paraparë të fillonte fundjavën që shkoi, por qe shtyrë çuditërisht vetëm për tri ditë, duke e parë gjendjen e rëndë të fushave të futbollit pas motit të ligë që po mbretëronte ditëve të fundit mbi vendin tonë.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, të dielën ishte i sigurt se fillimi i stinorit pranveror mund të shtyhet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Por, të hënën gjërat ndryshuan.

“Komisioni i Garave e ka shikuar parashikimin e motit, ku pritet të ketë borë edhe të martën, ndërsa të mërkurën edhe më keq, borë me shi. Kurse në fundjavë pritet një mot më i mirë, andaj, sipas të gjitha gjasave, ndeshjet do të luhen të dielën. Mbasi kemi hapësirë kohore, kemi vendosur që ta shtyjmë deri në fundjavë kampionatin. Nuk shoh asgjë të keqe këtu, këtë po e bëjmë vetëm për të mirën e klubeve”, tha Salihu.

Vendim i drejtë

Në anën tjetër, kryesuesi i Komisionit për Inspektimin e Objekteve Sportive, Agim Maloku, e vlerëson të drejtë shtyrjen e kampionatit, duke marrë parasysh se të gjitha fushat janë të mbuluara me borë.

“Fushat nuk janë në gjendje të mirë, por në mënyrë që mos të prishen edhe më tutje dhe në mënyrë që të ruhen ato që janë, është vendosur të shtyhet xhiroja deri në fundjavë. Fushat janë të mbuluara me borë, gjë që e vështirëson zhvillimin e ndeshjes. Shpresojmë që deri në fundjavë të rregullohet moti dhe të zhvillohet xhiroja e parë e pranverës”, tha Maloku.

Tifozët dhe simpatizuesit e futbollit në Kosovës duhet të presin edhe pak ditë për t’i parë skuadrat e tyre të zemrës në fushën e blerët, pas një pauze të gjatë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›