E ardhmja e Kosovës në BE dhe NATO

Ajo ka thënë se ndodhet sot në Prishtinë, e shoqëruar nga shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Catherinë Ashton, për të mbështetur plotësisht aspiratat e Kosovës për integrim në BE dhe NATO.
“Dialogu është esencial, ky siguron një rrugë të prosperitetit afatgjatë. Ne po punojmë bashkërisht me Bashkimin Evropian në këtë drejtim, dhe unë dua që personalisht ta përshëndes kryeministrin Thaçi, që ka marrë guximin politik për takimin me kryeministrin Daçiq në Bruksel. Ky ka qenë një veprim i guximshëm”, ka thënë Clinton, e cila në të njëjtën kohë ka përshëndetur edhe angazhimin e presidentes së vendit, Atifete Jahgaja, në procese të rëndësishme të vendit.
Clinton ka thënë se SHBA-ja u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve dhe të bien dakord edhe për marrëveshje të reja, që janë të domosdoshme për progresin e të dyja vendeve.
“SHBA-ja krenohet me miqësinë me Kosovën... Të rinjtë e Kosovës meritojnë integrim të plotë në Evropë, e në do të punojmë bashkërisht në ndërtimin e një të ardhme të sigurt drejt rrugës tuaj të integrimit në BE dhe NATO. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara edhe në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës", ka thënë ndër të tjera Clinton.
"Kufijtë e Kosovës sovrane dhe të pavarur janë të qartë dhe janë të caktuar përgjithmonë", ka theksuar Clinton në konferencën me gazetarë në Prishtinë.
Ngjashëm me sekretaren Clinton është shpehur edhe baronesha Catherine Ashton, e cila ka deklaruar se të gjitha vendet e rajonit duhet ta vazhojnë rrugëtimin e tyre drejt realizimit të aspiratave për integrim në Bashkim Evropian.
“Dialogu nuk është i lehtë, për asnjërin nga kryeminsitrat, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Ky dialog ka për qëllimin ndërtimin e një jete më të mirë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që janë në veri të vendit. Kjo bëhet duke biseduar hapur dhe lirshëm. Thaç dhe Daçiqi janë treguar guximtarë për takimin e mbajtur në Bruksel”, ka thënë Ashton.
Kurse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se edhe pse Kosova ka arritur shumë suksese dhe përparime, sfidë e madhe për Qeverinë e Kosovës mbetet veriu i saj, duke shtuar se prania e strukturave paralele serbe në atë pjesë të vendit po e vështirëson realizimin zhvillimit edhe të asaj pjese të vendit.
Thaçi po ashtu i ka siguruar edhe sekretaren Clinton edhe Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Ashton, se Kosova do t’i përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme për integrim në BE.
Ai ka shtuar se janë pajtuar bashkërisht se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është vendimtar për të dyja shtetet, duke shtuar se dialogu është rruga e vetme për të arritur deri te kjo situatë.
Pas Jahjagës takojnë Thaçin
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, kanë përfunduar takimin me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kanë nisur takimin me kryeministrin Hashim Thaçi.
Para largimit, ato do të paraqiten edhe në një konferencë të përbashkët për media.
Clinton e Ashton nisin takimin me Presidenten Jahjaga
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton kanë filluar takimin me presidenten Atifete Jahjaga. Ndërkaq më pas ato do ta takojnë edhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Para largimit, ato do të paraqiten edhe në një konferencë të përbashkët për media.
Clinton dhe Ashton kanë mbërritur mbrëmë në Prishtinë, ku janë pritur nga presidentja Jahjaga. Paraprakisht ato kanë vizituar Sarajevën dhe Beogradin.
Misioni “Dialog”
Hillary Clinton dhe Catherine Ashton arritën të martën në Prishtinë, pas takimeve me zyrtarët shtetërorë serbë. Në Beograd ato kërkuan normalizimin e raporteve mes dy palëve, por jo edhe njohjen e Kosovës. Kërkesat për dialogun, Përfaqësuesja e Lartë e BE’së dhe Sekretarja amerikane e Shtetit do t’ua prezantojnë sot edhe autoriteteve kosovare.
Pasi kanë qëndruar gjatë ditës në Sarajevë dhe Beograd, Hillary Clinton dhe Catherine Ashton kanë arritur të martën në Prishtinë.
Për ta bërë këtë udhëtim dy diplomatet kanë përdorur aeroplanin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ato kanë arritur në Aeroportin e Sllatinës rreth orës 20.00, ndërsa për t’i pritur aty ka dalë vetë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe zyrtarë tjerë shtetërorë.
Dy mysafiret i ka nderuar edhe Togu i Nderit të FSK’së. Në Aeroport nuk ka pasur ndonjë prononcim për media. Kosovarët kanë pasur rastin ta ndjekin “live” zbarkimin e dy diplomatëve në televizion. Pavarësisht se të dyja kanë qëndruar edhe më parë në Kosovë, autoritetet vizitën e tyre e kanë cilësuar historike.
Sekretarja amerikane e Shtetit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE’së natën do ta kalojnë në hotelet në kryeqytet.
Sot ato do të takojnë Presidenten Jahjaga, Kryeministrin Thaçi me të cilin edhe do të dalin para mediave, derisa në agjendë janë edhe takimet me përfaqësues të partive politike.
Siç dihet, Clinton dhe Ashton përveç Bosnjës , Serbisë e Kosovës, pritet të shkojnë edhe në Shqipëri dhe Kroaci.
Por, vizita e tyre në Prishtinë dhe Beograd ka një dimension më të veçantë.
Clinton dhe Ashton po përpiqen të nxisin dy palët që të normalizojnë raportet mes vete.
Ditë më parë atyre u ka shkuar për dore që të ndërmjetësojnë edhe një takim mes Kryeministrave të dy vendeve.
Për takimet në Beograd, Ambasada e SHBA’ve është kujdesur që të njoftojë edhe përmes “Twitter” duke bërë të ditur për një bashkëbisedim të dobishëm.
Pasi kanë përfunduar takimin me Presidentin Nikolic dhe Kryeministrin Dacic, dy diplomatet kanë thënë se nuk kanë shkuar atje për të bërë ndonjë presion apo për t’i vendosur kushte të reja Serbisë.
Në konferencën për media me Kryeministrin Dacic , Clinton dhe Ashton janë kujdesur që të përçojnë porosinë se askush nga Serbia nuk është duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ashton ka potencuar se dialogu me Prishtinën dhe normalizimi i marrëdhënieve nuk nënkupton njohjen e Kosovës.
“Ky dialog nuk do të thotë se po kërkojmë nga Serbia që ta njohë Kosovën”, ka thënë ajo.
Kryediplomatja europiane ka inkurajuar palën serbe që të përshpejtojë reformat për integrim në BE.
“Ardhmëria e Serbisë është në Bashkimin Europian”, ka thënë Ashton.
Clinton po ashtu ka theksuar se e mbështet dialogun mes palëve, duke bërë thirrje që të zbatohen marrëveshjet e arritura si dhe të ndërmerren hapa konkretë për normalizimin të marrëdhënieve.
Sipas saj, kjo nuk është kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Mbështesim synimin që Europa demokratike dhe e bashkuar ta ketë brenda saj Serbinë dhe tërë rajonin”, ka thënë Clinton.
Por Clinton e ka bërë të qartë se për SHBA’të Kosova është shtet i pavarur dhe se kufijtë e saj nuk do të ndryshojnë.
Ajo ka thënë se ka shumë fusha ku Prishtina dhe Beogradi mund të përmirësojnë raportet, duke potencuar se e kupton që një gjë e tillë është e vështirë.
Clinton ka pohuar se serbët e Kosovës duhet të gëzojnë përkrahje të plotë në kuadër të Kosovës dhe të mbajnë lidhjet e tyre me Serbinë.
“Nuk jemi këtu që të vëmë kushte dhe të bëjmë ndonjë kontroll apo të vendosim kushte pasi nuk i kemi ato. E ardhmja e Serbisë është në duart e Serbisë”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se dy zyrtaret e larta nuk kanë shkuar në Beograd për t’i vendosur ultimatume Serbisë, por për t’i diskutuar çështjet me rëndësi jetike për Serbinë - vazhdimi dhe përshpejtimi i integrimeve europiane dhe përmbushja e kritereve për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Dacic ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovë dhe se për këtë nuk duhet të ketë presion as nga BE dhe SHBA.
Por, ai ka theksuar se Serbia do të bëjë gjithçka që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.
Dacic ka thënë se dialogu me Prishtinën do të vazhdojë në nëntor dhe se Qeveria e Serbisë deri në fund të mandatit të saj do t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura.
“Qeveria e Serbia ka marrë përgjegjësi që të zbatojë të gjitha marrëveshjet nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës dhe të vazhdojë dialogun në nivelin më të lartë”, ka thënë ai.
Kryeministri serb ka shtuar se gjatë takimit është diskutuar edhe për data konkrete për vazhdimin e dialogut, duke theksuar se është i kënaqur që as Clinton e as Ashton nuk kanë kërkuar nga Serbia njohjen e Kosovës.