Serbia diskuton platformën për Kosovën

Zëvendës-kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic ka deklaruar për mediat serbe se pjesëmarrësit në takimin e lartë shtetëror që mbahet sot, do të hedhin mbi tavolinë të gjitha vërejtjet dhe propozimet lidhur me Platformën e Qeverisë së Serbisë për dialog me Kosovën, e cila po profilizohet drejt versionit përfundimtar. Qeveria serbe është duke mbajtur sekret shtetëror platformën, të cilën është duke e përgatitur lidhur me dialogun i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Platforma pritet që ditëve dhe javëve në vijim, t’u prezantohet edhe partive opozitare në Serbi, me qëllim të marrjes së një konsensusi sa më të gjerë politik, njoftojnë media serbe.
Drejtuesit shtetëror në deklaratat e tyre, disa herë deri më tani kanë deklaruar se synojnë të marrin një pajtim të gjerë dhe tek më pas platforma për Kosovën t’i shtrohet për miratim parlamentit të Serbisë.
Sipas kreut të parlamenti serb Nebojsha Stefanoviq, platforma duhet të jetë çështje shtetërore dhe jo politike. Vetëm pasi Platforma të ketë arritur konsensusin e nevojshëm, do të bëhet e njohur edhe për opinion publik, citohet të ketë thënë kreu i parlamentit të Serbisë. Deri atëherë ajo do të vazhdojë të mbetet sekret shtetëror. /rtk/