Kurthi historik i pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve
Serbia e Tadiqit (të birit të Ljubes filozof) përpiqet ta mohojë një fakt historik, demografik dhe para së gjithash gjeopolitik, Kosovën, të cilën paraardhësit e tij dhe ai plot një shekull u përpoqën ta mbajnë pa njerëz, si tokë të djegur.
Pasi nuk ia dolën, tashti pas 17 shkurtit 2008, ekselenca e Tij, Tadiq, ka probleme serioze me makinën logjike, me faktin Kosovë, të cilën nuk ia do zemra, prandaj përpiqet ta përjashtojë edhe nga arsyeja e tij, dhe nga kujtesa kolektive serbe si joekzistent. Paçka se të gjitha luftërat dhe fatkeqësitë që ua ka sjellë kjo Serbi konstante imperialiste fqinjëve të saj shqiptarë ishin projektuar mbi bazën e një postulati, një nomosi të quajtur miti i Kosovës, që e hyjnizonte tokën e saj si djep të serbizimit dhe Serbisë. E tash?
A duket pak e palogjikshme që djepi të ndahet me Shqipërinë?
Po të mos ishte kurth i menduar mirë, duket tepër qesharake.
Presidenti serb, Boris Tadiq, në një bashkëbisedim të gjatë që e pati këto ditë me shkrimtarin Svetoslav Basara, (e botoi të plotë Magazina Status) duke folur për çështjen serbe në rajon dhe europianizimin e saj, natyrisht se pashmangshëm folën edhe për Mitin e Kosovës. Nga dy bashkëbiseduesit u tentua që të dekonstruktohet ky mit i përgjakshëm, duke e cilësuar madje jo vetëm të rremë, por edhe të banalizuar si instrument në duart e politikës. Tadiq&Basara, këtë barsoletë deshën tua shesin serbëve, duke ua dërguar mesazhin se miti është i rremë, Kosova kurrë ska qenë djep i Serbisë, por thjesht një tokë, e cila ia vlen të ndahet në dy hise. Kështu miti për Tokën e shenjtë serbe u bë kartëmonedhë brenda natës. Prandaj sikur këta dy burra serbë deshën të thoshin: O njerëz, hiqni dorë nga Serbia Qiellore, zbrisni në tokë, të fitojmë diçka edhe ne, e jo vetëm pala kosovare.
Ndarja sipas versionit të parë serb deri në luftën e vitit 1999, ajo nuk mundi të realizohej, për arsye të efektit zinxhiror që do të kishte në ish-republikat dhe krahinat e tjera të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq me intervenimin e NATO-s më 1999, u pengua jo vetëm gjenocidi në tentativë, por edhe vetë ndarja territoriale e Kosovës, por po ashtu ideatori i fashizmit serb, Milosheviq, mendonte se do tia dilte ta mbante Kosovën si të plotë.
Sipas doktrinës serbe, me integrimin e veriut të Kosovës në institucionet e shtetit të ri shqiptarët do të ishin të vetmit fitues të gjithçkaje në Kosovë.
Serbia e ka humbur luftën për Kosovën dhe kreu i saj politik dhe ushtarak e policor është ndëshkuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, e pse u dashka të fitojë diçka Serbia, e cila po e ndjek rrugën e fitores sipas konditave të fashizmit të Milosheviqit?
Dhe çka mund të fitojë ajo?
Veriun? Jo. Sepse kjo e shkatërron rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e rizgjuar historinë dhe ulërimat e saj, boritë e luftës.
Serbia do të përpiqet që letrën e veriut ta ruajë për fund, për tia shitur BE-së tek pasi ta marrë statusin e vendit kandidat, më shtrenjtë se vetë kriminelin e luftës Ratko Mladiq pra heqjen dorë nga veriu do ta kushtëzojë me pranimin në bllok, deri atëherë le ta harrojë secili në Prishtinë por edhe në Beograd se mund të përdoret forca, për nënshtrimin e vullnetit politik.
Madje Tadiqi po sillet si padron i një toke që ka pronar të ligjshëm, kosovarët duke provuar të gjejnë aleatë në Tiranë (ndonjë Ahmet Zog p.sh. që për mbështetje politike dhe ushtarake mund të falë tokë – rasti i Shën Naumit) dhe të hyjë në pazare me qarqe etnonacionaliste atje, duke bërë hopa pa e kërcyer gardhin. Sjellja e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës shtet, i cili është pronë e të gjithë kosovarëve si komb i ri konstitucional, ka arritur në shkallë armiqësie, sepse Tadiqi nuk e do matematikën, duke e ditur se dy është më shumë se një, bën luftë të madhe që dyshin ta rikthejë në histori si një.
Dhe duke qenë një paranoik etnonacionalist egalitar, ai po përpiqet ti mashtrojë serbët për nevoja të brendshme politike dhe mundësisht ndonjë shqiptar që i qet kryet zjarr historish për rrumbullakimin e kombit unik shqiptar, sipas projektit të dështuar të Lidhjes së Prizrenit (1878), i cili tashmë është veçse një prononcim politik.
Evropianizmi i Tadiqit konsiston në pragmatizëm imperialist – ta heqë qafe përfundimisht Kosovën dhe kosovarët e të duartrokitet nga vendet e bllokut evropian për arritjen e një pajtimi historik me shqiptarët dhe Shqipërinë.
Nacionalizmi egalitar serb, pasues të të cilit janë ish-presidenti i Jugosllavisë sllobo-fashiste, Dobrica Qosiqi me babën e Borisit president në krah, Ljubomir Tadiqin, të prekur nga virusi i megaloideve ballkanike shtetomëdha, ende shesin dokrra në tregun imperialist (imperializmi primitiv, të lodhtë fare dhe të vonuar historikisht) duke projektuar dëshirat për shtete e kombe hyjnore e duke përjashtuar faktet gjeopolitike për shtete e kombe të qena fizikisht në fqinjësi. Idenë e madhe (Serbia e Madhe) këta nacionalistë egalitarë po përpiqen ta ruajnë edhe në shekullin 21, duke i mësuar serbët e rinj se Serbia kufizohet me Austrinë, me Italinë, përmes vijës ndarëse të Adriatikut, Shqipërinë, duke shmangur një entitet në mes (Kosovën), e ndonjëherë sillen sikur edhe Greqia është fqinji jugor i saj. Serbia e Tadiqit po e vazhdon rrenën e madhe, aty ku e kishin lënë etërit e kombit, rrenën të cilën e pati pranuar edhe vetë Qosiqi, serbët e kanë ngritur në doktrinë kombëtare.
Por kjo e thënë në gjuhën e tij i bie: Tadiu Srbija se ne granii sa Albanijom. Dosta lai dhe në gjuhën shqipe: O Tadiq Serbia nuk kufizohet me Shqipërinë! Mjaft me rrena
Ideja e ndarjes së Kosovës është e vjetër dhe mban firmën e Dobrica Nazi-Qosiqit.
Kjo ide daton që nga viti 1976 (Libri i kaltër) dhe i përshkruhet Dobrica Qosiqit, i cili e parashihte ndarjen diku tek hekurudha e Ferizajt dhe kjo ndarje duhej të arrihej mes Serbisë dhe Shqipërisë, duke e shmangur në secilin rast Kosovën si entitet.
Qosiq & Tadiq Senior iu rikthyen idesë së tyre tashti në një version të ri: Libri i bardhë, që thërret për një marrëveshje historike mes serbëve dhe shqiptarëve, pra mes Beogradit dhe Tiranës, sërish duke e shmangur Kosovën si shtet i pavarur dhe për fat të keq edhe disa çarqe shqiptare po bien në kurthin e ngrehur nga qosiqizmi, duke luajtur keq rolin e imperializmave ballkanikë që munden, kur tiu teket, të ridefinojnë e ripërkufizojnë etnikisht harta shtetesh e kombesh, pa i pyetur fare ato…
Dhe Tadiq Juniori po e mbështet këtë tezë naciste.
Tek po e lexoja librin eseistik të Amartya Sen, nobelistit indian, Identiteti dhe dhuna, në të cilin autori ringjall shpresën për një botë më pak të burgosur nga iluzioni dhe i jep zë njeriut që nuk do dhe nuk duhet të mbetet rob brenda një identiteti të ngurtë dhe përjashtues etnik ose fetar e ideologjik, por orvatet ti çlirojë energjitë njerëzore duke ia rikujtuar faktin se njeriu njëherësh mbruan brenda vetes shumë identitete, gjithqysh ndihem i zemëruar me burgun e iluzionit ku janë katandisur shoqëritë ballkanike, pra edhe ajo kosovare, ose një pjesë e saj që duan përkufizime etnike të shtetit, në vend të deetnizimit duke ngarendur të lyejnë sa më shumë tokë me ngjyrat etnike, e duke harruar integrimet dhe globalizimin, mirëqenien e qytetarëve dhe edukimin e tyre.
Në këtë kontekst, duke qenë pengje të së kaluarës, robër të identiteteve të ngurta, ballkanasit sikur ndiejnë se historia po rizgjohet dhe po ulërin, prandaj vazhdojnë ta mbajnë paqen ndërmjet vete dhe me fqinjët ende sipas postulateve të luftës së ftohtë, veçanërisht në kontekst të balancimit të frikës e jo të dinjitetit njerëzor të qytetarëve.
Presidenti serb duhet të thyej
