Digjet banesa dhe biznesi i kreut të PS-së në Prezë. Gaçi: Ngjarje me prapavijë politike
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Prezë në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Mësohet se kreut të PS-së në Prezë, Lavdi Kajmakut i është djegur banesa dhe biznesi, për shkaqe ende të panjohura. Ngjarja sipas burimeve të afërta ka ndodhur rreth orës 04:00.
Fatmirësisht të afërmit e Kajmakut kanë mundur të shohin flakët e zjarrit duke shpëtuar familjen Kajmaku nga asfiksia. Mësohet se biznesi dhe banesa ishin në emrin e babait të Lavdi Kajmakut Shefqet Kajmaku.
Zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje ku kanë mundur të neutralizojnë edhe flakët, ndërkohë që sipas tyre zjarri ka qenë i qëllimshëm, pasi ka pasur 8 vatra zjarri.
Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, tha se kjo është një zjarrvënie e qëllimshme.
Gjendja është shumë e rëndë, është zjarrvënie e mirorganizuar me pjesëmarrjen e disa personave, 8 vatra zjarri të vëna qëllimisht ndaj biznesit të familjes Kajmaku, afër bombulave të gazit, afër dhomës së gjumit.
Ata e kanë ngritur biznesin me sakrifica. Janë një nga familjet më të respektuara në zonë. S’kanë pasur kurrë probleme. E vetmja pistë është ajo politike.
Dy ditë më parë, një gazetë ka publikuar materiale, që komprometojnë se kreu i komunës së Prezës, që është dhe kryetari i PD-së në Prezë, është një person i kërkuar për rrahje e abuzim me minorenët në SHBA.
Tani vjen dhe përgjigja si pasojë e betejës politike në këtë zonë, ku PD ka humbur terren dhe nuk fiton më. As në ’97-n nuk kanë ndodhur këto gjëra. Të shkosh të djegësh banesën e një kundërshtari vetëm sepse është i PS-së nuk ka ndodhur, tha Gaçi./ep