E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon ngrohja në shkollë, 500 gjimnazistë bojkotojnë mësimin

Gjirokastër- Mungesa e ngrohjes në shkollë i ka detyruar 500 nxënës të gjimnazit “Siri Shapllo” në qytetin e Gjirokastrës, që ditën e hënë të bojkotojnë orët e mësimit. Nxënësit e kësaj shkolle thonë se në këto ditë me temperatura të ulëta po përballen me mungesën e ngrohjes në klasat e mësimit. “Mungesa e ngrohjes në klasë na ka detyruar të mbajmë të veshur xhupa dhe dorashka. Madje ka pasur raste kur si shkak i temperaturave të ulëta, orët e mësimit i kemi zhvilluar të reduktuara”, - thotë një përfaqësues i qeverisë së nxënësve. Në këtë situatë, ditën e hënë të 500 nxënësit e këtij gjimnazi, njëri prej më të mëdhenjve në qytetin e Gjirokastrës, nuk kanë pranuar të hyjnë në mësim duke bojkotuar procesin mësimor. “Ne jemi njohur përpara disa ditësh me kërkesat e nxënësve për ngrohjen në klasa dhe në këtë situatë kemi kërkuar ndihmën e Bashkisë së qytetit, por deri tani situata nuk ka ndryshuar çfarë i detyroi nxënësit të ndërmarrin veprim ekstrem të bojkotimit të procesit mësimor”, - thonë drejtuesit e shkollës. Por gjimnazi “Siri Shapllo” nuk është e vetmja shkollë në qytetin e Gjirokastrës që përballet me mungesën e ngrohjes. Aktualisht, pjesa më e madhe e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qytetin e Gjirokastrës kanë probleme për sa i takon ngrohjes së klasave dhe ambienteve të tjera mësimore. Në disa shkolla mungon ngrohja me lëndë djegëse, duke bërë që nxënësit dhe mësuesit t’i drejtohen ngrohjes me energji elektrike. Sipas drejtuesve të shkollave, mungesa e furnizimit të rregullt me dru zjarri në shkolla ka sjellë probleme për ngrohjen e nxënësve gjatë procesit mësimor. Ndërkohë, problematik për godinat shkollore paraqitet edhe mosfunksionimi i rregullt i kaldajave apo sistemit të furnizimit me energji elektrike. Në disa shkolla, si shkak i amortizimit dhe mungesës së investimeve, sistemi i shpërndarjes së energjisë nuk mund të përballojë ngrohjen alternative të klasave të mësimit me rezistenca apo kaloriferë. Problematike paraqitet situata edhe në godinat shkollore që ngrohen me kaldaja. Për shkak të mungesës së fondeve dhe personelit përkatës për mirëmbajtjen e kaldajave në shkollat ku ato janë vendosur, nuk funksionojnë për ngrohjen e mjediseve mësimorë. Në lidhje me këtë problematikë, përfaqësues të Bashkisë së qytetit thonë se rikonstruksioni i shkollave, duke përfshirë edhe vendosjen e impianteve ngrohëse apo kaldajave, është përgjegjësi e qeverisë qendrore. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›