E braktisëm Vlorën?
Dëgjoj shumë shpesh dhjetëra ekspertë që pohojnë me ngulm se plazhi i Durrësit duhet të ishte mbrojtur nga ndërtimet që e shkatërruan. Është pranuar gabimi që është bërë me Durrësin, është pohuar edhe se tashmë është shumë vonë për të korrigjuar diçka... E humbën një pjesë të mirë të turizmit të Durrësit...
Na kishte mbetur Vlora...por në një mënyrë të çuditshme po ndjekim këmba këmbës qendrat më të rëndësishme të turizmit për t'i gjunjëzuar me çdo kusht. Vlora, ku përveç vlerave historike, shënohet fillimi i një itinerari të mirë ku kemi joshur miqtë tanë të huaj, atëherë kur duhet të zgjidhnin mes Shqipërisë dhe ndonjë vendi fqinj për pushime. Vlora ku e kishim mundësinë e mirë për të qëndruar një fundjavë në ajër të pastër, por edhe për të shijuar pak det. Njëra pas tjetrës vijnë ofertat dhe projektet për parqe energjitike, tec-e e fjalë të tjera të mëdha si këto.. Për fat të keq, impakti nuk është vetëm psikologjik... Për fat të keq asnjëra prej palëve që luftojnë me ngulm kundër njëra-tjetrës prej tre viteve me radhë, nuk mohon se efekte ambientale negative do të ketë dhe besoj se vetëm një person dritëshkurtër nuk do ta kuptonte lidhjen e ngushtë mes ambientit dhe zhvillimit të turizmit. Pyetja që lind është: "Pse pikërisht gjiri i Vlorës?" Edhe sikur "konkurrentët" tanë në fushën e turizmit të kishin bërë një komplot kundër zhvillimit të kësaj fushe në Shqipëri, nuk do të kishin qëlluar dot kaq bukur në shenjë: "Durrësi, Vlora, pastaj...të shohim se cili qytet do të bëhet konkurrent më i rrezikshëm për turizmin". Të jemi kaq dritëshkurtër, sa t'i vëmë shkelmin pa e kuptuar për vite me radhë, një dhurate të tillë si bregdeti me të cilin krenohemi, apo kaq largpamës sa të mendojmë se po të zhvillojmë industrinë e rëndë dhe të zhvillohemi me shpejtësinë e dritës do të shpikim edhe një mënyrë që tec-i të mos na e shkaterrojë turizmin, ose që s'do të kemi më nevojë për turizëm? Apo mos ndoshta bëjmë plane që bregdetin tonë ta shndërrojmë në një bregdet industrial dhe të shkojmë diku tjetër të kënaqemi me pasuritë natyrore? Nuk di ç'të them në fakt.. Kam parë vende ku një popull i tërë, shumë më i madh se i joni, jeton me turizëm; kam parë vende me 50% të burimeve tona hidrike, ku nuk vuan njeri për drita, vetëm sepse ato shfrytëzohen në mënyrën e duhur; kam parë vende ku industria e rëndë funksionon më së miri, por larg qendrave të banuara dhe pa shkatërruar turizmin, e derisa të gjitha këto funksionojnë në vende të tjera, pse të mos funksionojnë në Shqipëri? Shpresoj që Vlora do të më falë, sepse përveç ndonjë shkrimi e ndonjë fjale në rubrika te tilla si kjo e Shekullit, nuk mundem të bëj dot më tepër për të dhënë një kontribut të vogël për ta shpëtuar ndopak. Do të më falin me siguri miqtë e mi të huaj, sepse do të gjejnë ndonjë atraksion tjetër përveç turizmit në Shqipëri. Ata që nuk do të më falin do të jenë fëmijët e mi. Nuk do të ma falin që nuk bëra dot më shumë për t'u lënë trashëgimi një bregdet si ai që pas disa vitesh do të ketë mbetur vetëm në fotografi... Shpresoj shumë që të mos arrihet deri në këtë pikë.