"Përpara se të linde një shtetas, ka lindur një fëmijë"
Po lexoj prej disa ditësh komentet e shumta në Blogun e Shekullit-Online për shkrimin mbi martesat e vajzave shqiptare të Veriut me shtetas serbë. Kisha këtë koment… Përpara se të lindë një shqiptar, një amerikan, apo një serb, një nënë ka lindur një fëmije. S'të thotë kush të të rrojë shqiptari, por të të rrojë fëmija. Nuk e kuptoj përse komentohen kaq shumë këto martesa, e mbi të gjitha fryti i tyre? Akoma do të vazhdojmë të flasim për raca e për etni? Është e vërtetë që ajo që ndodhi në 1999 në Kosovë nuk harrohet, e nuk duhet të harrohet, por kjo s'do të thotë që duhet vazhduar që dy popujt ta shohin veten si armiq të njëri-tjetrit. Luftërat ndërmjet Francës e Gjermanisë, e pse jo edhe urrejtja ndërmjet këtyre dy popujve, kanë vazhduar me shekuj, deri në Luftën e Dytë Botërore. Por, që të dy vendet nxorën mësime e i dhanë dorën njëri-tjetrit. Dy duart e shtrënguara të ish-Kancelarit gjerman Kol e të ish-Presidentit francez Miteran, janë simbol i miqësisë franko-gjermane, janë simbol paqe. Do të doja që një ditë të shihnim, ne gjithashtu, Presidentin e Republikës së Kosovës dorë për dorë me Presidentin Serb për një fqinjësi të mirë e paqe. Plagët e luftës janë akoma të freskëta, e statuti i Kosovës akoma i pa vendosur, e kjo që them unë mbase për disa nuk ka as kuptim, por urrejtja nuk është zgjidhja. Ç'do t'i uroja unë këtyre nënave, që për një arsye apo një tjetër, kanë bërë martesa të tilla? Do t'i uroja që t'i transmetojnë fëmijëve të tyre sa më shumë dashuri, dashuri për njeriun, për jetën, që ata para se ta ndjejnë veten serbe apo shqiptar, shqiptaro-serb, apo serbo-shqiptar, ta ndjenjë veten në radhë të parë humanë.