E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, me intervistën e Lindës, në vend të vetullave nxori sytë

20-01-2013 / Redaksionale

Duhet të kesh shumë arsye për të mos thënë asnjë të vërtetë. Bashkëshortja e Edi Ramës, Linda Basha në një intervistë riparuese doli të justifikohej për pasurinë përrallore, pallatin 5 katësh të familjes, shtëpinë e re në Dajt dhe huan 100 milionë për motrën. Në këtë intervistë të përgatitur ditë me radhë në shtëpi, me grupe konsultimi dhe prova të herëpashershme të përgjigjej konciz të pyetjeve Linda Basha do të shfaqej e denjë për një aktore model në përvetësimin e identitetin të  një personazhi pozitiv, e cila sipas saj, ishte “agresuar verbalisht teksa po ecte në rrugë”. Mirëpo Linda Basha nuk është një aktore edhe pse ka të gjitha premisat për të qenë një personazh në skenarët trilluese të Edi Ramës.
Thirrja disa herë gjatë intervistës në emër moderatorit ishte një shkelje syri.
Linda Rama e sotme e kishte të vështirë të fshinte emrin e saj të mëparshëm, Lindita Xhillari, e cila gjendet në raportet e OJQ-së së saj, “Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor”, ku bashkëhartonte raporte me ekspertë të përvetësimit si Kosta Barjaba. Edhe pse Linda Rama u mobilizua të mohonte lidhjen e saj institucionale me Kosta Bajrabën, në fakt pohoi miqësinë me të dhe ndarjen e shumë projekteve bashkë. Po ashtu përgjigja e saj se pallati 5 katësh i familjes Basha nuk është veçse një shtëpi banimi ishte synimi banal për të minimizuar një ndërtesë që flet më shumë se fjalët e bashkëshortes së Edi Ramës. Në këtë lulishte publike te rruga “Qamil Guranjaku” jo të gjithë mundën të ndërtojnë ndërtesa shumëkatëshe. Ish-kryebashkiaku Edi Rama është përkujdesur të ndërtonin veç njerëzit kishin një partneritet me të dhe jo pronarë të tjerë të ligjshëm.
Ish-kryebashkiaku Rama ka përdorur nenin 62 të Ligjit 8405 “Për Urbanistikën” për t’i anuluar lejen e  ndërtimit një qytetari të quajtur Edision Tefik Cela që pronën e kishte vetëm 20 metra më tej familjes së Linda Bashës, dhe po në kundërshtim me këtë nen ka dhënë leje për ndërtimin e ndërtesës 5 katëshe. Familja Çela, pasardhëse e Mehdi bej Frashërit, përmes një letre publike pyet Edi Ramën pse është anuluar leja e ndërtimit për ta gjatë kohës që ai mbante postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Familja Çela ka qenë fqinj me familjen e bashkëshortes së Edi Ramës, Linda, në rrugën “Qamil Guranjaku” në Tiranë.
Ish-Kryebashkiaku Rama ka përdorur dy standarde të ndryshme për një shesh publik, ku nga njëra anë lejon familjen e bashkëshortes Linda Basha të ndërtojë dhe në sajë të pushtetit të tij, nga ana tjetër të anulojë lejen për komshiun. Megjithatë përtej justifikimeve të Linda Ramës është e vështirë të besohet që ndërtimi i këtij objekti shumëkatësh të jetë bërë me kursime të një xhaxhai pensionist (Hasan Basha) dhe vëllait të vetëpunësuar (Fatmir Basha). Sigurisht, familjet shqiptare kanë nga një të afërm në emigracion dhe të paktë janë refugjatët që ndërtojnë ndërtesa me vlerë ndërtimi 1 milion euro. Refuzimi i familjes së Linda Bashës për të treguar faturat dhe firmën e ndërtimit të ndërtesës sinjalizon për mungesën e transparencës dhe shton misterin e këtyre kursimeve. Në lidhje me kursimet e Linda Ramës, e cila jep 100 milion lekë borxh motrës, ndërton shtëpi në Dajt, jeton me qira në Tiranë, jep mijëra euro për shkollim e vajzës në Zvicër dëshmon se kemi të bëjmë me një pasuri të jashtëzakonshme larg kursimeve të një familje normale shqiptare.
Sidoqoftë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me orkestrimin e intervistës së Linda Bashës në vend të vetullave nxori sytë. Mesazhe justifikuese të bashkëshortes së Ramës për Kosta Bajrabën, shtëpinë shumëkatëshe të familjes së Linda Bashës, borxhi 100 milion lekë për motrën, nxorën në pah  një nevojë për të fshehur të vërtetën nëpërmjet ca gjërave banale si “paratë e gjakut në emigracion” e “borxh për motrën”, janë personazhet tragjikomike të një rrethi të ngushtë familjar që nuk do ta “shesin” kurrë Lindën e tyre.

 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›