E Shtunë, 31 Tetor 2026

E dashur nënë! Për kë të të shkruaj më parë

I nderuar Shekulli! Po ju nis në blog një “letër” që e lexova sot online në shtypin e ditës. Sigurisht është imagjinare dhe me humor, por në pak rreshta, ka shumë të vërteta.. Ia “dërgon” Damiri, miku që ia ka rrëmbyer zemrën dhe mendjen kryeministrit, nënës së tij:

“… E dashur nënë Jovanka! Ëndrra jote e madhe ka qenë që unë një ditë të bëhem i famshëm në Bosnjë dhe, sidomos, në Serbi. E kishe inatin me armiqtë tanë shqiptarë. Po unë në fakt të kam zhgënjyer pak. Jam bërë po kaq i famshëm dhe në Shqipëri. Tani më njohin të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Shumica nuk më duan, por ama ata që më duan, bëhen copë për mua. Bëjnë sikur t’i kisha nënë dhe babë.

Dhe ata janë pjesa më e shëndoshë e Shqipërisë. Janë qeveria, gjysma e deputetëve dhe çereku i shtypit. Janë njerëz që rrallëkund mund t’i gjesh. Të gjithë të përkushtuar ndaj meje. Më mbrojnë me argumente të pabesueshme. Njëri më i fortë se tjetri. Edhe pse nuk njoh shumicën e tyre, ata të magjepsin me fantazinë që kanë për të më mbrojtur.

E dashur nënë! Për kë të të shkruaj më parë. Ti nuk e njeh kryeministrin Berisha. E di që të kanë folur keq njerëzit në Serbi për të, se e kanë ditur nacionalist shqiptar. Po ai është zemërbardhë dhe shumë i dashur me ne. Pas 18 vitesh demokracie në Shqipëri, e dashur nënë, ai ka futur më në fund biznesin serb në Shqipëri. Dhe jo serb dosido, por dhe serb nacionalist të Bosnjës. Është mendje shumë e hapur. E keni gjykuar keq nga gazetat. Tani biznesi serb ndjehet mirë në Tiranë. Ja, unë i pari për tre vjet kam bërë 50 milionë euro. Nuk janë pak. Asnjë shqiptar s’ka mundur t’i bëjë dot kaq.

Por nuk është puna që kryeministri na ka hapur dyert, por dhe na ka dhënë fonde publike. E njeh atë serbin që jeton në Vjenë, Aleksandrin? E kam sjellë njëherë në shtëpi, se jemi ortakë. Ai ka marrë 53 milionë dollarë nga qeveria ‘Berisha’ për dy vjet dhe, shumica, me prokurim direkt. Ka respekt të paparë për të. Por dhe ai ia bën respektin. Ndan ndonjë dhuratë për të.

Po ai serbi i Bosnjës, Sllobodani, të kujtohet? Ndoshta të kujtohet, se dhe atë e kam sjellë shpesh në shtëpi. Ai ka marrë 110 milionë euro rrugë. Ka marrë një rrugë që do të bëhet nga Vlora në Levan, një rrugë që do të bëhet nga Tepelena në Mallakastër dhe një mbikalim në hyrje të Tiranës.

Dhe, a e di se kë ka administrator? Atë të gazetës “55” që ne na kishin thënë se është nacionalist dhe i urren serbët. Po ç’ne.. Sllobodani në fakt mbeti shumë i kënaqur me ta. Punoi shumë mirë. Pastaj u këmbye me një serb tjetër që dhe ky është shumë i kënaqur. Berisha u ka thënë se “ju kam besuar te miku im që e akuzojnë për nacionalist, por mos kini frikë, se janë gënjeshtra. Është njësoj i hapur si unë”.

Ç’të të them tjetër moj nënë. Si s’i kisha njohur më parë këta njerëz? Janë gati të shkojnë para plumbit për mua. Është e pabesueshme, e dashur nënë, sa të mirë janë. Ndjehem aq i lumtur, sa nuk më tremb asgjë, as burgu, as drejtësia që përpiqet të prishë këtë miqësi të pandalshme me shqiptarët e mirë. I joti Damir…”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›