E dashuruar në Tiranën
Afërdita Dreshaj, që cilësohet si njëra prej femrave më të bukura shqiptare, në një intervistë dhënë gazetës “Trafik VIP”, ka shpalosur planet e saj si në muzikë, ashtu edhe në karrierën e saj prej modeleje.
“Për momentin, pres klipin tim të dalë në transmetim, i cili është bërë në bashkëpunim me ‘Max Production’ për baladën time ‘Qyteti hesht’. Klipi është realizuar dhe po presim të dalë shumë shpejt. Këtë radhë me një baladë R&B… Kjo këngë flet për një dashuri të humbur dhe po kërkoj si e çmendur gjithë qytetin dhe nuk po e gjej”, ka thënë këngëtarja dhe modelja Dreshaj.
Ajo ka thënë se ka edhe një numër të madh të koncerteve, të cilat është duke i realizuar nëpër qytete të ndryshme shqiptare. “Sapo jam kthyer nga një turne, Kosovë, Zvicër dhe Mal të Zi për festat e Pashkëve që kaluan… U kënaqa, gjëja më e bukur është kur shoh që i këndojnë me mua këngët e mia. Ajo është e rëndësishme!”.
Sa i përket pjesëmarrjes së saj në Miss Universe, ku Dreshaj do ta përfaqësojë Kosovën, ajo ka thënë se nuk i besohet se do të konkurrojë me 84 vajzat më të bukura të botës në këtë eveniment.
“Spektakli do të mbahet në Brazil dhe do nisem në gusht, kurse nata e madhe është më 12 shtator. Ende nuk i njoh vajzat, por do t’i takoj në gusht në Brazil!”.
Këngëtarja po ashtu ka folur edhe për Tiranën, për të cilin qytet ka thënë se e do shumë dhe se e viziton shumë shpesh.
“Dua të jetoj këtu në Tiranë! Këtë ia kam kërkuar Shpatit! E dashuroj Tiranën”, ka thënë Dreshaj në këtë intervistë.
Kurse sa i përket lidhjes së saj me Shpatin, Dreshaj thotë se ata janë duke ia kaluar për mrekulli. Megjithatë, ajo nuk ka folur shumë për ndonjë martesë të mundshme.
“Jemi të dashuruar, kemi marrëveshje perfekte! Për martesë akoma nuk kemi vendosur, kemi kohë…”.
Aktualisht çifti janë duke bashkëjetuar dhe ka disa vite që janë në lidhje por ende nuk e kanë kurorëzuar lidhjen e tyre.
Dreshaj thotë se nuk i pengon kjo gjë, përkundrazi ajo është shumë e lumtur.
“Më pëlqen çdo gjë, seriozisht çdo gjë në këtë lidhje”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Afërdita Dreshaj ka më shumë se dy vjet që janë së bashku. Ata janë parë disa herë edhe me persona të tjerë që kanë shkaktuar thashetheme, por asnjëherë deri më tani nuk ka pasur krizë në lidhjen e tyre. Realisht, Afërdita Dreshaj, edhe pse e lindur në Prishtinë, është me prejardhje nga Mali i Zi dhe qysh e re jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Modelja e bërë këngëtare më parë kishte bërë karrierë si modele në SHBA, por tani është më aktive me karrierë muzikore në Kosovë dhe Shqipëri.