Dy mjekë nën akuzë për korrupsion

Një kirurg gjinekolog dhe një reanimator, hetohen për mitmarrje. Një person denoncoi në muajin mars pas operacionit të një të afërmi
Gjykata vendosi dy ditë më parë ndaj tyre masën e sigurisë me garanci pasurore prej 500 mijë lekësh të reja
TIRANË- Dy mjekë të maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" në kryeqytet, u morën në ndjekje penale nga Policia e Tiranës, me akuzën e mitmarrjes dhe korrupsionit.
Janaq Kasapi, 54 vjeç, mjek kirurg (përgjegjës i grupit të mjekëve) dhe Arti Qosja, 38 vjeç, mjek reanimator, të dy në maternitetin "Mbretëresha "Geraldinë", janë marrë nën hetim, pasi dyshohet se merrnin ryshfet për operacionet e lindjes të afërmëve të pacienteve të ndryshëm.
Denoncimi ndaj tyre është dhënë në muajin mars të këtij viti, nga një person i cili iu ka pohuar hetuesve se dy mjekët i kishin marrë një shumë prej 500 mijë lekësh të vjetra, duke u ndarë në 300 mijë për kirurgun, 100 mijë për anestezistin dhe 100 mijë të tjera për infermieret dhe mamitë. Të dy mjekët, janë shoqëruar nga oficerët e Antikorrupsionit të Policisë së Tiranës, në ambientet e kësaj të fundit gjatë operacionit të koduar "My baby".
Dy mjekëve dje iu komunikuar akuza e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Një ditë më parë, ndaj dy mjekëve, Gjykata e Tiranës kishte vendosur masën e sigurisë "garanci pasurore" prej pesë milionë lekë të vjetra, për t'u hetuar në gjendje të lirë.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, Kasapi dhe Qosja janë mbajtur nën hetim prej disa muajsh dhe dyshohet se merrnin nga 50 mijë lekë të reja, për çdo operacion lindjeje që kryhej në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë".
Policia e Tiranës ka nisur hetimet në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë pranë Prokurorisë së kryeqyteti, pas denoncimit të ardhur nga një person i dëmtuar, të cilit i ishin kërkuar rreth 400 mijë lekë të vjetra për një ndërhyrje.
Më pas dy mjekët janë mbajtur nën hetim për disa muaj, ndërkohë që sipas policisë janë dokumentuar disa raste ku dyshohet se mjekët kanë marrë ryshfet nga qytetarët. Janaq Kasapi dhe Arti Qosja, pasi janë dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, janë pyetur nga hetuesit për veprimet për të cilat ata akuzohen.
Gjatë pyetjes mjekët kanë deklaruar se nuk kanë kërkuar para, për kryerjen e operacioneve të lindjes apo ndërhyrjeve të tjera, duke mohuar të ishin përfshirë në mitmarrje.
Gjykata e Tiranës vendosi të hënën masën e "garancisë pasurore", ndaj mjekëve, pas kërkesës së prokurorisë e cila paraqiti si prova pamje filmike, regjistrime dhe përgjime ndaj dy mjekëve, si dhe denoncimin e të dëmtuarit. Pavarësisht se ata janë nën hetim dhe të akuzuar, burimet nga materniteti "Mbretëresha Geraldinë" thonë se mjekët vazhdojnë të punojnë.
Policia në bashkëpunim me prokurorinë po hetojnë, nëse ka persona të tjerë që marrin ryshfet për kryerjen e operacioneve të lindjes apo edhe ndërhyrjeve të tjera që ofrohen në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë".
Kosova: Do bashkëpunoj me drejtësinë
Pas shoqërimit të dy mjekëve të maternitetit "Mbretëresha Geraldinë", që ndodhet në bulevardin "Zogu i Parë", kanë reaguar edhe drejtuesit e këtij spitali.
Drejtori Halim Kosova u shpreh dje për "Shekullin", se dy mjekët vazhdojnë të punojnë dhe nuk janë pezulluar nga detyra. Sipas Kosovës, nëse do të ketë nevojë për bashkëpunim nga organet e policisë dhe të prokurorisë, për të hetuar mbi dyshimet e ngritura ndaj mjekëve nuk do të ketë hezitim për një gjë të tillë.
Ai ka pohuar se do të bashkëpunohet me organet përkatëse për të mos penguar hetimet. Janaq Kasapi dhe Arti Qosja, pas marrjes në pyetje në ambientet e Policisë së Tiranës, janë lënë të lirë.
Janaq Kasapi, 54 vjeç, me detyrë mjek kirurg
Arti Qosja, 38 vjeç, mjek reanimator
50 mijë lekë të rinj dyshohet se merrnin mjekët për operacionet e lindjes