E diela e derbive

Bëhuni gati për futboll të nivelit më të lartë. Dhe, krejt kjo e pasqyruar me tre super derbi në tri liga të ndryshme evropiane. Të gjitha brenda një dite, të dielën. Disa e kanë përshkruar si ‘e diela e çmendur’ dhe kanë plotësisht të drejtë. Njëra pas tjetrës, derbit që janë në program të dielën do t’ju përcjellin nga Spanja në Itali, duke vazhduar në Francë.
Barcelona-Real Madrid, e diel, ora 19:50
El Clasico i tretë i vitit, pas dy përballjeve në kuadër të Superkupës së Spanjës që kaluan nën festën e skuadrës madrilene. Barcelona pret Real Madridin në Nou Camp të dielën me synim të shtojë ose së paku të ruajë epërsinë aktuale prej tetë pikëve ndaj kampionit në fuqi, pas gjashtë xhirosh në La Ligë. Ekipi i Tito Vilanovës ka filluar furishëm stinorin e ri me bilanc të qindpërqindtë, kurse ai i Jose Mourinhos ka bërë disa gabime të papritura dhe gjendet prapa katalanëve. Por, Reali në takimet e kaluara ka treguar se di të fitojë në Nou Camp dhe do ta synojë një triumf të ri për të kompensuar disavantazhin. Dueli është i veçantë dhe gjithnjë spektakolar.
Milan-Inter, e diel, ora 20:45
Është xhiroja e shtatë në Serie A dhe vjen një prej takimeve më të rëndësishme të vitit, së paku për dy ekipet e përfshira. Një duel që meriton pak prezantim. Derbit e qytetit të Milanos janë ballafaqimet më të përcjella në Itali, kurse këtë vit takimi do të jetë edhe më interesant për faktin se të dyja skuadrat nuk e kanë nisur në mënyrën më të mirë sezonin, sidomos Milani, dhe fitorja është e domosdoshme për të dyja. Milani do të jetë vendas, dhe i hyn duelit nga pozita e 11-të, por i motivuar nga fitorja e vështirë në udhëtim te Zenit St Petersburgu në Ligën e Kampionëve. Interi është i katërti në renditje dhe në seri prej tri fitoreve me radhë.
Marseille-PSG, e diel, ora 21:00
Për momentin janë dy skuadrat më të mira që ofron Kampionati francez. Paris Saint-Germain i trajnerit Carlo Ancelotti, i freskët nga humbja 1-0 nga Porto në Ligën e Kampionëve, por në seri prej katër fitoreve të njëpasnjëshme në Ligue 1, do të jetë mysafir i liderit Olympique Marseille. Marseille në xhiron e shkuar humbi me rezultat të thellë 4-1 nga Valenciennes dhe PSG-ja iu afrua në tri pikë. Kjo ishte disfata e parë e Marseilles pas gjashtë fitoreve të njëpasnjëshme në duelet e kaluara. Përballja me PSG-në e përforcuar do të jetë një betejë e vështirë.