E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina – Tovërlani, drejt kurorëzimit

Ejup Mehmeti – Kapiti vetëm edhe pak ditë do ta udhëheqë Prishtinën. Madje, ndeshja e së hënës kundër Hajvalisë – mund të jetë e fundit për të si trajner i klubit më të famshëm kosovar, pasi bardhekaltrit tashmë e kanë gjetur pasardhësin e tij.

Krerët e klubit në mesjavën e ardhshme do të nënshkruajnë kontratë me strategun prishtinas, Afrim Tovërlanin, dhe gjasat janë shumë të vogla që ky proces të dështojë. Lajmin e kanë konfirmuar burime të besueshme të Expressit, të afërta me zhvillimet.

Në fakt, të enjten krerët e kampionit ishin afër ta shkarkonin Kapitin, për ta zëvendësuar atë me Bylbyl Sokolin. Por, ky i fundit për shkaqe ende të panjohura kishte rënë nga ‘kombinimi’, me ç’rast Kapiti shpëtoi pa u shkarkuar, por vetëm edhe për pak ditë.

Kjo për shkak se kryesia e klubit, më në fund, është pajtuar që ta rikthejë Tovërlanin, pavarësisht disa kundërshtimeve shumë më të vogla, sesa që kishin më herët disa zyrtarë ndaj ikonës së klubit bardhekaltër. Megjithatë, këtë assesi nuk duan ta konfirmojnë udhëheqësit e kampionit aktual, e as Tovërlani.

“Me mua nuk ka biseduar askush, dhe nuk di asgjë, përveç informatave që po i marr nga mediat”, tha Tovërlani, i cili Prishtinën e pati udhëhequr me sukses të madh edhe në edicionet 2007/08 e 2008/09, duke i fituar dy tituj kampioni e një Superkupë.

Madje, në edicionin e parë ai i kishte regjistruar dhjetë fitore rresht me bardhekaltrit, derisa një edicion më vonë pati thyer rekord, të cilin ende e mban, ngase në 20 ndeshje kampionale nuk pati ditë çka është humbja.

Kurse, si futbollistë, me fanellën bardhekaltër ai qe shpallur pesë herë kampion, derisa i pati fituar edhe tri kupa e dy superkupa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›