Hysi synon ta vazhdojë serinë pozitive
Ndeshje shumë interesante pritet të zhvillohet të shtunën në Merdar, ku Hysi do t’i matë forcat me Vëllaznimin – në kuadër të xhiros të nëntë të Superligës.
Llapjanët, të cilët edicionin e ri e nisën me ekip të përtërirë, tashmë janë komponuar mirë mes veti dhe po aplikojnë lojëra tepër të mira. Madje, në dy xhirot e fundit, ata kanë shkëlqyer në çdo aspekt, duke e mposhtur fillimisht Llamkos Kosovën në shtëpi (4:0), e më pas e befasuan kampionin në fuqi, Prishtinën, duke e mposhtur midis kryeqyteti (1:2).
Ajo fitore i ka motivuar djelmoshat e Hysni Maxhunit, të cilët të shtunën do të mundohen ta shënojnë fitoren e tretë rresht përballë Vëllaznimit, respektivisht të katërtën në këtë kampionat.
“Lojtarët e mi janë të vetëdijshëm se nuk ka ndeshje të lehtë, e njëkohësisht t’i respektojnë kundërshtarët, por edhe assesi mos të frikësohen prej tyre. Jemi të përgatitur mirë dhe duelin me Vëllaznimin tani e presin me më shumë motiv pas këtyre dy fitoreve të fundit. Shpresoj që angazhimin që do ta japin futbollistët për të fituar t’u kurorëzohet me tri pikë të reja”, deklaroi trajneri i bardhezinjëve, Hysni Maxhuni që po bëjë punë të shkëlqyeshme në Merdar.
Mirëpo, kësaj radhe Hysi nuk do ta ketë aq të lehtë ta arrijë objektivin, pasi fitore ndaj tij do të kërkojnë edhe gjakovarët, të cilët nuk dinë për fitore qe katër javë. Pas tri barazimeve e një disfate, kuqezinjtë synojnë ta korrin fitoren e tretë këtë sezon.
“Ne po luajmë mirë, por fatkeqësisht nuk po jemi efikas në fazën e sulmit, sepse nuk e kemi një sulmues tipik. Hysi po tregohet i fortë këto javët e fundit, por ne synojmë që ta shfrytëzojmë euforinë e lojtarëve të tyre. Shpresojmë të fitojmë, por edhe një barazim eventual s’do të ishte i keq për ne”, u shpreh kapiteni i gjakovarëve, Atdhe Gashi.
Po të shtunën, Drita do të kërkojë fitore përballë Trepçës, pas katër barazimeve të njëpasnjëshme, derisa tri duele të tjera zhvillohen të dielën, e një tjetër ndeshje luhet të hënën.
Superliga – xhiroja e 9-të
E shtunë
Hysi – Vëllaznimi 14:00
Drita – Trepça 15:00
E diel
Besa – Liria 15:00
Trepça ’89 – Drenica 15:00
Ferronikeli – Ll. Kosova 15:00
E hënë
Hajvalia – Prishtina 15:00