E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana mund Skënderbeun, vendi i dytë “del në ankand”

TIRANE-Kategoria Superiore e startoi javën e 21-të në Kavajë, me ndeshjen Besa-Kastrioti, e fituar nga vendësit me rezultatin 2-0, falë një dopietë të Sokol Cikalleshit. Gjashtë ndeshjet e tjera të kësaj jave i takonin së dielës, në dy orare.

Me start nga ora 14:00, katër skuadra vendase kanë regjistruar fitoret e radhës. I papërmbajtshëm kryegolashënuesi i Superiores (me 18 gola) Migen Memelli, me dopietën e tij në fitoren 3-0 të Flamurtarit ndaj gjirokastritëve. Kurbinasit “përmbysin” Bylisin në fushën e Krujës, ku një tjetër lojtar realizon dopietë (Erjon Vuçaj), ndërsa Vllaznia s’e prish dot tersin e fushës peqinase as pas katër vitesh. Shkumbini ka fituar minimalisht dhe vijon të besojë te ndonjë mrekulli për të mbijetuar mes më të mirëve.

Tomori ka bërë të vetin “derbin” e të dëshpëruarve dhe të rënëve një kategori më poshtë, duke treguar se ka dicka më tepër se Apolonia. Kjo tashmë është konfirmuar edhe në klasifikim, ku skuadra e Muxhajit ia lë fundin Apolonisë së vetme dhe matematikisht të rënë në Kategorinë e Parë.

Në orën 17:00 janë luajtur dy sfidat përmbyllëse, Tirana-Skënderbeu dhe Teuta-Kukësi, rezultati i të cilave e ka bërë dukshëm antagonizmin më të madh për vendin e dytë. Nëse deri sot këtë pozicion e mbanin të vetëm “djemtë e detit”, tashmë ata janë barazuar me pikë nga Flamurtari, ndërsa ndiqen nga fare afër prej Kukësit. Barazimi i verilindorëve në “Niko Dovana” ishte tepër i cmuar, ashtu sikurse triumfi 1-0 i bardhebluve ndaj kampionëve të Skënderbeut. Kjo ka bërë që edhe Tirana të futet në luftën për vendin e dytë, që vlen Kupat e Europës. Me 35 pikë për momentin, Tirana mban vendin e pestë, por e sheh veten vetëm katër pikë larg vendit të dytë, një hendek i rikuperueshëm në javët e mbetura të garës.

Lufta për mbijetesë duket se i ka kristalizuar disi gjërat, me Tomorin dhe Apoloninë të dorëzuar përfundimisht, ndërsa skuadra të tjera pranë tyre, Luftëtari, Shkumbini dhe Besa, mbeten më të kërcënuarat për momentin. Kujtojmë se veç fierakëve dhe betarasve, edhe dy skuadra të tjera do t’i thonë në mënyrë direkte lamtumirë elitës së futbollit shqiptar. Matematikisht nuk mbeten jashtë kësaj vorbulle edhe Kastrioti me Bylisin, që kanë në llogarinë e tyre diçka më shumë pikë, por jo sa për ta bërë gjumin të qetë. Aq më tepër kur dihet se çfarë “surprizash” prodhojnë zakonisht javët e fundit në kampionatin tonë, kur luhet më shumë në letër se në fushën e lojës.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›