Opozita kërkon President me shumicë të cilësuar
Opozita ka propozuar tanimë ndërhyrje në Kushtetutë, për të mundësuar rikthimin e shumicës së cilësuar prej 3/5 të deputetëve të Kuvendit në zgjedhjen e krerëve të institucioneve kushtetuese. Ky ishte një nga ndryshimet më të debatuara që u kryen më 21 prill të 2008-s, ku Presidenti i Republikës nga 84 vota u vendos të zgjidhet në dy raundet e fundit me vetëm 71 vota. Kjo, sipas PS-së, i jep fund njëanshmërisë së pushteteve apo favorizimit të zgjedhjes së njëanshme të Presidentit nga mazhoranca në vitin 2012, kohë kur mbaron mandati i presidentit aktual Bamir Topi. Duke konsideruar se të gjitha institucionet e pavarura janë të zhbalancuara, zgjedhja me konsensus të detyruar e Presidentit, siç ka qenë në Kushtetutë para vitit 2008, do të garantojë, sipas socialistëve, që disa prej drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme të vendit të jenë produkt i konsensusit dhe jo i imponimit politik. Sipas Kushtetutës, para dhe pas ndryshimeve, Presidenti firmos dekretin për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe e shkarkon atë pas propozimit nga Parlamenti. Presidenti, gjithashtu, ka të drejtën të miratojë apo të refuzojë propozimin e Kryeministrit për kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe drejton Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sipas socialistëve, këto institucione dhe pushteti i gjyqësorit nuk duhet të jenë rezultat i vullnetit të vetëm të forcës që ka pushtetin dhe që, sipas Kushtetutës aktuale, ka mundësinë të zgjedhë e vetme Presidentin.