E djathta greke, unike përpara zgjedhjeve
Dora Bakojanis rikthehet tek Demokracia e Re. Është kjo një prej “martesave” aspak të çuditshme të kohëve të fundit që po ndodhin në skenën politike greke, pas rezultateve te paqarta te zgjedhjeve të 6 majit, me synim ribashkimin e së djathtës konservatore në një front të vetëm.
Kështu, ish-Ministrja e Jashtme Greke, Dora Bakojanis, një prej figurave më të shquara të konservatorëve, ishte larguar nga Demokracia e Re, pasi kishte humbur betejën me kundërshtarin e saj, Andonis Samaras, për udhëheqjen e partisë.
Ajo përfaqësohej në zgjedhje nëpërmjet një force tjetër politike të djathtë, por ka vendosur të bashkohet përsëri me partinë mëmë, në prag të zgjedhjeve të reja të 17 qershorit.
”Para rrezikut që përballon Greqia, lëmë mënjanë mosmarrëveshjet tona dhe mobilizohemi së bashku në një front patriotik për Europën”, deklaroi Bakojanis, partia e së cilës siguroi vetëm 2.95 për qind të votave, pa mundur të hyjë në Parlament.