E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta rikonfirmohet edhe në Komunën e Paskuqanit, epërsi e kandidatit Fatos Rexha

Kandidati demokrat për Komunën në Paskuqan Fatos Rexha ka rezultuar në një epërsi të dukshme ndaj rivalit të PSD-së, Gjin Markaj. Pas hapjes së kutive të para është evidentuar mbështetja e dukshme ndaj koalicionit të djathtë dhe kandidatit të PD-së, Rexha, që mendohet të në fund të procesit të numërimit të mbërrijë në kuotën e 7200 votave. Zgjedhësit e Komunës së Paskuqanit votuan dje në 18 qendra votimi, për zgjedhjen e kryetarit të ri të komunës së tyre. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, deklaroi dje se procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme në komunën e Paskuqanit, nisin rregullisht në orën 7:00 të mëngjesit, komform të gjitha procedurave, ndërkohë që edhe shpërndarja e bazës materiale dhe trajnimi i komisionerëve është bërë sipas afateve të përcaktuara me ligj. Megjithatë, zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, konfirmoi se subjektet politike shkaktuan vonesa në dërgimin e emrave të anëtarëve të grupeve të numërimit të votave (GNV) për procesin zgjedhor në komunën Paskuqan, duke shkelur kështu afatet e parashikuara në ligjin zgjedhor. Sipas zëdhënësit Olli, partitë politike krijuan vonesa duke mos paraqitur në kohë emrat e anëtarëve për këto grupe. Ndërkaq, sekretari i KZQV-së për komunën Paskuqan, Isa Ajazi, bëri të ditur se emrat e anëtarëve të grupeve të numërimit të votave (GNV), u përcollën për në KQZ, dhe trajnimin i tyre filloi rreth orës 16.00. Zgjedhjet e 24 shkurtit në komunën Paskuqan zhvillohen pas ndarjes së papritur nga jeta të ish-kryetarit të saj, Jashar Hoxha, përfaqësues i PD-së. Ndërkohë, në votimet e djeshme PD-ja konkurroi me kandidatin Fatos Rexha, ndërsa opozita me Gjin Markajn, kandidat i PSD-së. Në këtë komunë ishin regjistruar 26 mijë e 102 votues, në 18 qendra votimi.
Zgjedhjet në Paskuqan-Policia garantoi një proces normal zgjedhor/Drejtoria e Policisë e Qarkut të Tiranës garatoi dje një proces zgjedhor tërësisht normal, të zgjedhjeve të pjesshme që u zhvilluan dje për kryetar të komunës së Paskuqanit, në Tiranë. Policia e Tiranës ka vendosur një ditë para zgjedhjeve shërbimet e policisë për ruajtjen e Qendrave të Votimit, (që prej momentit kur në KQV mbërritën materialet zgjedhore, deri në momentin kur KQV-ja filluan veprimet paraprake për çeljen e votimit), ndërsa sot, pas çeljes së votimit punonjësit e policisë janë grumbulluar në vendet e caktuara më parë nga Komisariati i Policisë, larg Qendrave të Votimit. Me përfundimin e procesit të votimit në orën 18.00, punonjësit e policisë u vendosën përsëri në Qendrat e Votimit të planifikuara, për të bërë shoqërimin e Komisionit të Qendrës së Votimit me materialet zgjedhore, për në Vendin e Numërimit të Votave të KZQV-së Paskuqan. Po ashtu, u morën të gjitha masat për ruajtjen dhe sigurimin me punonjës policie të KZQV-së dhe Vendit të Numërimit të Votave të Komunes Paskuqan, duke përmbushur detyrimet ligjore. Policia e Tiranës bëri të ditur dje se, në Paskuqan, nuk është evidentuar asnjë incident në lidhje me procesin zgjedhor dhe rendin publik në tërësi. Policia në mënyrë rigoroze zbatoi ligjin, duke qenë e paanshme, institucion me neutralitet absolut në rregullat e konkurrencës demokratike në zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›