E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legisi: Rama kërkon të dalë i vetëm në zgjedhje

• Anëtari i kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi duke komentuar zhvillimet e fundit në gjirin e së majtës, pas daljes së partisë së tij nga ky koalicion, shprehet se qëndrimi ...Aristir Lumezi...i PS-së do të çojë në mënyrë të pashmangshme në humbjen e të majtës në zgjedhjet e përgjithshme të 2009. Sipas tij, bipartizani i njohur PS-PD për reformën zgjedhore është i destinuar të dështojë. Komisioni i Reformës Zgjedhore është bllokuar që prej dy muajsh. Përse po ndodh një veprim i tillë sipas jush?Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, shqiptarët për shkak të një kodi elektoral që në thelb lejonte transferimin e votës, u bënë viktima të lojës politike PS-PD duke votuar, në mënyrën më qesharake të mundshme, për partitë aleate të majta dhe të djathta. Në të vërtetë ky deformim, pjellë e mendjeve djallëzore të ekspertëve të këtyre dy partive, prodhoi një parlament me efekte të papara dhe të pa dëgjuara ndonjëherë në sistemet demokratike, ku më shumë se 15% e deputetëve që prodhoi ky sistem të kalojnë nga partia në parti dhe nga e majta në të djathtë. Në këto rrethana LSI dinte dhe publikoi para shqiptarëve se komisioni bipartizan i reformës zgjedhore PS-PD po përpiqej të bënte një kod që kishte për qëllim të minimizonte ose të eliminonte përfaqësimin në parlament të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Ju shpreheni se qëllimi i këtij sistemi ishte eliminimi i partive të tjera..?Me gjithë përpjekjet dhe ustallëkun e përdorur për të eliminuar LSI-në, mendjet djallëzore jo vetëm që nuk ia arritën, por nga ana tjetër i bënë një dëm shumë të madh Shqipërisë duke i dhënë një parlament që me të drejtë mori emrin “parlamenti i Dushkut”, që do mbetet në historinë tonë si parlamenti i deformimit të vullnetit të lirë të popullit. LSI në atë kohë kërkoi që nëpërmjet Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 2005-ës t’u bënte të ditur shqiptarëve shkallën e deformimit të votës së tyre. Megjithatë përsëri të bashkuara shpeshherë si në të tilla raste, përfaqësuesit e PS-PD në Komisionin Hetimor nuk lejuan asnjëherë të hapeshin kutitë e votimit që shqiptarët të shihnin shkallën e manipulimit. Sot jemi në të njëjtën situatë dhe përballë të njëjtëve protagonistë, përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në Komisionin e Reformës Zgjedhore, të cilët përsëri së bashku duket se kanë vendosur të bllokojnë Komisionin Zgjedhor të ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë deri në ato momente ku vendimmarrja e tyre do mundësojë sipas tyre, hartimin e një kodi bipartiak që rrit artificialisht rolin e tyre. Çfarë efekte mendoni se do ketë ky bashkëpunim bipartizan? Eshtë praktikë e njohur, në të gjitha rastet kur jemi ballafaquar me të tilla reforma, që procesi shtyhet pa fund për ta arritur momentin e një vendimmarrje dypalëshe në kurriz të të tjerëve, dhe në mënyrë të pakthyeshme. Ne patëm rastin të flasim edhe me përfaqësues të ODIHR dhe t’ua thonim troç atë që ne nxorëm si konkluzion për të gjitha ndërhyrjet në kodet zgjedhore për gjatë gjithë këtyre viteve se jo vetëm kanë qenë certifikues të sistemeve të mbrapshta zgjedhore, por ekspertë të tipit Vulçanov përfaqësuesi i ODIHR, mbajnë po kaq përgjegjësi për aplikimin e sistemeve që kanë prodhuar deformim të votës së lirë të shqiptarëve. Ne u bëmë me dije atyre, se kemi vullnetin e duhur për të kontribuar për hartimin dhe  miratimin e një kodi të ri zgjedhor që respekton votën e ndershme të shqiptarëve, dhe që votat e tyre përkthehen në mënyrë të pa cenueshme dhe të pa deformuar në mandate deputetësh në Parlamentin e Shqipërisë.  Në këtë rast ju po flisni edhe për ish-aleatin tuaj Partinë Socialiste, si bashkë krijuese e këtij sistemi?Pa dyshim. Si në vitin 2005 dhe në ecurinë e reformës zgjedhore të tanishme, Partia Socialiste ka përgjegjësi po kaq të madhe sa Partia Demokratike. Ne mendonim që gabimi i bërë në vitin 2005, me përpjekjet për të miratuar një sistem zgjedhor që zvogëlonte partitë e rëndësishme dhe që rriste artificialisht partitë e vogla, do ishte një rrugë dhe një gabim që nuk do të përsëritej më. Por me keqardhje vërejmë se çdo ditë e më shumë brenda tyre po promovohet një sistem plotësisht i pa përshtatshëm për kushtet e Shqipërisë e që ka për qëllim tashmë të zhdukë partitë e vogla, të minimizojë sa më shumë efektin e partive përfaqësuese dhe të detyrojë votuesin shqiptar që pa mëdyshje ta hedhë votën ose për Partinë Demokratike ose për Partinë Socialiste. Kjo formë, që në thelb synon që t’i përdorë shqiptarët dhe votën e tyre në interes të partive të mëdha, jo vetëm që është shumë djallëzore dhe meskine, por bëhet thjesht në funksion të rritjes së autoritarizmit të binomit Berisha-Rama. Çfarë ka në vetvete sistemi zgjedhor spanjoll që kërkohet të aplikohet?Sistemi zgjedhor spanjoll në të vërtetë është një dushk i ri, kur një deputet në një rajon të caktuar p.sh në Tiranë ose në një rajon tjetër me numër të madh popullsie del me 4% të votave të shqiptarëve, ndërsa një tjetër në një zonë me një popullsi më të vogël do t’i duheshin 15 deri 20 % të votave. Ne mendojmë që ky sistem jo vetëm që nuk është proporcional, por është një mashtrim i ri për shqiptarët. Pakti për këtë sistem i PD-PS, është një dhunë dhe një pakt që kërkon që të instalojë në Shqipëri regjimin e vjetër dy-partiak PD-PS. Por më keq akoma ky sistem kërkon të ngrejë në piedestal të pavërtetë peshën dhe rolin e këtyre dy partive. Ndërkohë që dihet mirë dhe kjo u konfirmua nga zgjedhjet e fundit vendore, se PD-PS nuk përfaqësojnë as gjysmën e elektoratit shqiptar.Dy partitë e mëdha janë shprehur në mënyrë të përsëritur për lista të mbyllura. Përse?PS dhe PD kanë frikë nga listat e hapura, promovojnë këtë sistem, sepse duan të vendosin diktatin absolut brenda partive të tyre me lista të mbyllura, duke u hequr mundësinë qytetarëve që të zgjedhin midis kandidatëve të një partie. Ky është një rast i qartë që prodhon mentalitetin dhe konceptin për votën e lirë. Sinqeriteti në bashkëpunim është shumë i rëndësishëm dhe askush nuk mund të pretendojë mbështetje për pushtet personal. Jo gjithmonë gremina është vetëm për ata që shtyhen drejt saj, por shpesh ndodh që ai që shtyn bie vetë i pari. LSI dëshmoi seriozitet në bashkëpunimin për zgjedhjet e 18 shkurtit dhe fituam bashkë kudo ku u gjet mirëkuptimi. Nuk është faji ynë, por i atyre që nxitën mungesën e bashkëpunimit që humbëm në disa bashki e komuna. Eshtë e kuptueshme se kur i do të gjitha, mund edhe t’i humbasësh të gjitha. Kjo ndodh shpesh. Mua nuk më shqetësojnë liderët ambiciozë, por pasojat që ata sjellin si produkt i pretendimeve të tyre. Historia e hidhur e 2005 dëshmoi se përpjekjet e pandershme për të zvogëluar gati me 10 deputetë peshën e LSI në parlament nuk bëri asgjë tjetër veçse çoi të majtën në opozitë. Nëse lidershipi aktual i PS-së nuk e ka prioritet fitoren e së majtës dhe vazhdon të këmbëngulë në skemat e vjetra kjo është punë e tyre.Zoti Legisi kur ju ishit në koalicion me PS-në, ka munguar konsultimi për çështje të rëndësishme të reformave?Në dijeninë time dhe në këndvështrimin tim për koalicionin opozitar, bashkëpunimi në mes të partive aleate ka një vit që nuk funksionon. Kjo ka ndodhur që kur Rama u rizgjodh kryetar i Bashkisë Tiranë. E kam thënë edhe brenda strukturave të partisë sime dhe sot po e them publikisht se Ilir Meta ka përgjegjësinë e tij se besoi pa fund në seriozitetin e bashkëpunimit me Partinë Socialiste. Ai nuk duhet të heshtë gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë të mos funksionimit të koalicionit. Në dijeninë time koalicioni nuk u mblodh, qoftë edhe njëherë të vetme, për të rakorduar bashkëpunimin për zgjedhjen e këshilltarëve në qarqe, apo për Kryetarët e këshillave komunale dhe bashkiake, të cilët në dijeninë time humbën në shumicë edhe për shkak të mos koordinimit brenda koalicionit të majtë. Ky i ashtuquajtur koalicion nuk bëri asnjë analizë të humbjeve që u pësuan në shumë bastione të së majtës dhe në 11 Qarqe të Shqipërisë. Kjo të lë të kuptosh se koalicioni i zgjedhjeve të 18 shkurtit ishte i ideuar, vetëm për të fituar Bashkinë e Tiranës dhe më keq, për t’u përdorur si një kamxhik kundër çdo mendimi ndryshe në Partinë Socialiste. Unë mendoj se sot koalicioni ka degraduar në një skenar të fëlliqur për eliminimin e aleatëve përmes intrigave të tipit, ju të LSI-së duhet të mbështesni sistemin spanjoll për të mbetur dy parti të majta dhe të zhduken tre parti të vogla sepse tek ne i marrin votat. Nga ana tjetër, tre partive të vogla ju bëhet ftesë të bashkohen, për të mbështetur sistemin spanjoll, se në këtë mënyrë sipas ekspertëve që përllogarisin efektet e sistemeve zgjedhore, do rrudhin LSI në disa qarqe me numër popullsie të vogël.Këto janë akuza të rënda dhe cenojnë rëndë edhe mundësinë e një bashkëqeverisje të koalicionit të majtë pas zgjedhjeve të 2009?Unë mendoj se është në të mirën e të majtëve dhe të shqiptarëve që gjërat të thuhen troç dhe pa doreza, pasi sipas përvojës dhe eksperiencës sime politike, skenare të tilla rrezikojnë të lënë në opozitë të gjithë të majtën. Që sot është mirë që shqiptarët dhe veçanërisht votuesit e majtë të identifikojnë përgjegjësin kryesor që rrezikon t’i lërë në opozitë. Në politikë është shumë e thjeshtë të bësh demagogji, por duhet të kuptosh se kur mendon se ke gënjyer të tjerët, në radhë të parë ke gënjyer vetveten. Pra, kur mendon se mund të shtypësh të tjerët në demokraci, maksimumi që mund të kesh bërë është që ke shkurtuar vetveten. Mentaliteti autoritarist nuk mund të triumfojë kudo njëlloj. Ai mund të triumfojë në PS për shkak se një pjesë e tyre ose u lodhën nga luftërat e vazhdueshme brenda vetes, ose pranuan humbjen, ose nuk e kanë për gjë që të mbyllin gojën për interesa personale të vazhdueshmërisë së karrierës së tyre politike, ose të rregullimit të ndonjë gjëje të vogël për shkak të pushtetit që administrohet në bashki e komuna. Autoritarizmi nuk mund të prekë dhe nuk mund të ushtrohet mbi mijëra socialistë të ndershëm në të gjithë Shqipërinë, që në 17 vjet kanë sakrifikuar gjithçka, dhe shumë prej tyre nuk kanë përfituar asgjë për votën e dhënë me gjithë mundin, dhe djersën e derdhur gjatë këtyre  viteve. Pas asaj që ndodhi në 2005-ën ku me të njëjtin mentalitet dhe të nxitur nga të njëjtët njerëz dhe të argumentuara me të njëjtat formula, të majtët mbetën në opozitë. Sot socialistët janë më të qartë dhe më syhapur. Ne të LSI-së kemi 4 vjet që jemi larguar nga Partia Socialiste dhe kemi krijuar partinë tonë. Ka po kaq vjet që në PS sherri dhe shamata nuk ka pushuar. Është rasti që socialistët të kuptojnë që nuk paskemi qenë ne sherrxhinjtë e asaj partie, por është edhe momenti që socialistët të gjykojnë se çfarë po i mbetet socialistëve në Partinë Socialiste. Të gjithë ata të majtë jo nga funksioni, por nga alternativa që kanë zgjedhur.Pas gjithë këtyre zhvillimeve dhe nga sa thatë ju, e majta del e përçarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?Po. Në të vërtetë ajo që shoh në horizont nuk është pikërisht nxitja për miratimin e një sistemi elektoral. Në thelb është kërkesë e Partisë Socialiste për të shmangur bashkëpunimin brenda së majtës me qëllim realizimin me të njëjtën mënyrë të suksesit që Rama pati brenda Partisë Socialiste. Unë mendoj që në demokraci nuk mund të ushtrohet presion i njëjtë si brenda partisë dhe brenda aleatëve. Mënyrat e aplikuara për marrjen e kontrollit të një partie sikurse ndodhi në Partinë Socialiste nuk mund të shërbejnë si një model, për t’u imponuar që të pranohet me dhunë një lider i caktuar edhe nga parti të tjera që kanë identitetin dhe rolin e tyre në jetën politike. Ideja se unë do të jem i gjithëpushtetshëm dhe të gjithë të tjerët do t’i trajtoj si të vegjël dhe që kanë nevojë për ndonjë vend pune, ndaj të qëndrojnë urtë, është një avaz i vjetër dhe jo një politikë e re. Eshtë pretendimi i tepërt që realizimi dhe personifikimi i demokracisë të bëhet nga një parti e vetme dhe ca më pak nga një person i vetëm. Si shprehet politika e re e Ramës në bashkëpunimin me koalicionin?Ideja se të djathtë dhe të majtë, pra, i gjithë populli, mund t’i besojë një partie ose një lideri është sa e parealizueshme po aq edhe absurde. Përpjekjet e këtij karakteri jo vetëm që janë të njohura nga bota, por kanë qenë një mesazh i dëmshëm për zhvillimet demokratike. Përpjekjet e Ramës për ta paraqitur një pjesë të shoqërisë civile si një shoqëri servile e tij, nuk mendoj se do kenë sukses dhe se do arrijnë të shtojnë aq sa mendon z. Rama në hambarin e partisë së tij, dhe ca më pak në hambarin e së majtës shqiptare. Zoti Rama me përçarjen e koalicionit të majtë po e çon atë në humbje dhe për këtë përgjegjësia do jetë vetëm e tij. Disa sajesa që shiten si strategji të studiuara, por në fakt janë të shëmtuara për të manipuluar opinionin publik qoftë edhe me ndihmën e disa mediave, nuk mund të japë efekte të pritshme sidomos kur flitet për liderë që bëjnë politikë të re, por që në të vërtetë në politikë janë po kaq të vjetër sa edhe ata me të cilët për interesat madhore të zhdukjes së partive të tjera synojnë të hartojnë kode zgjedhore dhe të bëjnë “reforma të suksesshme”. Zoti Legisi i konsideroni të ashpra deklaratat e ditëve të fundit të përfaqësuesve të lartë të LSI-së?Mendoj se është momenti i duhur që gjërat të thuhen troç pavarësisht se çfarë emocioni do ngjallin tek individë të veçantë. Të gjitha këto që thashë më sipër janë konkluzione të dala nga shqetësimi i shumë të majtëve që jo vetëm nuk ndihen rehat me atë që po ndodh, por edhe nuk ndihen të sigurtë për ardhjen e tyre në pushtet. Ata ndihen të anashkaluar, të papërfillur dhe të dëshpëruar në atë çfarë ndodh në të vërtetë prapa imazhit televiziv. Përballë kësaj situate dhe këtyre kushteve që i imponon z. Rama nëpërmjet sistemit zgjedhor spanjoll partive të koalicionit të majtë, LSI duhet të mendojë dhe synojë të ruajë sa të jetë e mundur bashkëpunimin me partitë e tjera të majta. Shpreh bindjen e palëkundur se këtë mision do ta përmbushë koalicioni “E Majta për Integrim” që u iniciua për të garantuar përfaqësimin e elektoratit të majtë që prej kohësh kishte filluar të ndihej jo i përfaqësuar ashtu siç e meriton për faj të lidershipit të Partisë Socialiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›